“Al Jazeera”: Kameramani ynë, Samer Abu Daqqa, u vra nga një sulm i Izraelit
Kameramani i televizionit “Al Jazeera”, Samer Abu Daqqa, ka vdekur nga plagët e pësuara gjatë një sulmi ajror izraelit në Khan Younis, në jug të Gazës, tha të premten ky medium.
Daqqa kishte mbetur i bllokuar në një shkollë në Haifa, ku po punonte sipas detyrave që i ishin caktuar, kur u ballafaqua me zjarrin, tha të premten rrjeti televiziv. Autoambulancat nuk mund të arrinin te kameramani i plagosur, sipas gazetarëve në Gaza, dhe televizioni tha se ai ishte ngujuar atje, duke pasur gjakderdhje për pesë orë.
Televizioni “Al Jazeera” publikoi pamje ku u panë familja dhe miqtë e kameramanit duke qarë pranë trupit të tij në kompleksin mjekësor “Al Nasser”, afër qytetit Khan Younis, raporton televizioni CNN.
Nëna e tij u pa duke u mbajtur nga dy persona e u dëgjua duke thënë: “Ai s’i ka parë fëmijët e vet, s’i ka parë fëmijët e vet.”
Sipas televizionit ku punonte, Daqqa ishte 45 vjeç, ndërsa bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij – tre djem e një vajzë – ndodhen në Belgjikë.
Gazetari hulumtues i televizionit “Al Jazeera”, Tamer Almisshal, e përshkroi ish-kolegun si “kameraman dhe montazher të mrekullueshëm, që nuk frikësohej nga asgjë, dhe profesionist”.
“Fola me të para disa ditëve dhe i thashë: Pse nuk po bëhesh bashkë me familjen jashtë vendit? Ai më tha se do të kthehej së shpejti, kur lufta të përfundonte”- tha gazetari Almisshal.
Sipas tij, Daqqa i kishte thënë se nuk do ta linte Gazën, duke shtuar se kameramani kishte punuar për më shumë se 20 vjet në të njëjtin televizion.