Akuza për përdhosje të Kuranit në Paksitan: Turmat djegin kisha, aktivizohet ushtria - NACIONALE

Akuza për përdhosje të Kuranit në Paksitan: Turmat djegin kisha, aktivizohet ushtria

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trupa paramilitare kanë rrethuar një vendbanim të të krishterëve në pjesën lindore të Pakistanit, ku një turmë e myslimanëve vandalizoi dhe dogji disa kisha e shtëpi, pasi akuzoi dy banorë për përdhosje të Kuranit, thanë të enjten policia dhe dëshmitarët.

Sulmi ndodhi në Jaranwala, në distriktin industrial të Faisalabadit të mërkurën dhe vazhdoi për më shumë se dhjetë orë pa ndonjë ndërhyrje nga policia, e cila ishte në vendin e ngjarjes, thanë banorët dhe udhëheqësit e komunitetit. Policia e mohoi akuzën, duke thënë se forcat e sigurisë kishin parandaluar një situatë edhe më të rëndë, raporton agjencia “Reuters”.

Sulmuesit kërkuan që dy personat që i akuzojnë për blasfemi e të cilët kishin ikur nga shtëpitë e tyre, t’u dorëzoheshin atyre.

Banorët thanë se mijëra myslimanë, të udhëhequr nga klerikët lokalë, mbanin në duar shufra hekuri, shkopinj e thika gjatë trazirave.

Në një deklaratë të qeverisë provinciale thuhet se trupa paramilitare janë dislokuar për ta ndihmuar policinë për ta kontrolluar situatën.

Trupat e kanë rrethuar vendbanimin e të krishterëve, duke i bllokuar të gjitha hyrjet me tela me gjemba, sipas një kameramani të agjencisë “Reuters”.

Më shumë se 100 persona të dyshuar për përfshirje në trazira janë arrestuar, sipas deklaratës së qeverisë provinciale, ku shtohet se është dhënë urdhër edhe për nisjen e një hetimi për këtë incident.

Blasfemia dënohet me vdekje në Pakistan dhe, edhe pse askush nuk është ekzekutuar për këtë gjë nga autoritetet në Pakistan, shumë persona të akuzuar janë mbytur nga turmat e zemëruara. Një ish-guvernator provincial dhe një ministër i pakicave janë qëlluar për vdekje për shkak të akuzave për blasfemi.

Lajme të ngjashme