Pas YouTube e Facebook, Pakistani bllokon edhe Wikipedia-n për shkak të “blasfemisë” - NACIONALE

Pas YouTube e Facebook, Pakistani bllokon edhe Wikipedia-n për shkak të “blasfemisë”

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Pakistani ka bllokuar Wikipedia-n, pasi është bërë e ditur se fondacioni Wikimedia, që e zotëron platformën ka dështuar në një afat 48-orësh që i ishte dhënë për të heqë disa nga materialet e konsideruara si “blasfemike.

Wikimedia ka reaguar ndaj vendimit duke thënë se ky bllokim “nënkuptonte se pakistanezëve do t’u mohohej qasja në depo të madhe falas të njohurive”.

Dihet se blasfemia është një çështje shumë e ndjeshme dhe nxitëse në Pakistan, ndërsa për këtë arsye vendi mysliman ka bllokuar edhe më parë disa platforma tjera, përfshirë Tinder, Facebook dhe YouTube.

Ndërkohë që nuk janë dhënë detaje për materialet e konsideruara si blasfemike, aktivistët e fjalës së lirë kanë ngritur shqetësime për këtë veprim, duke thënë se dukej se kishte "një përpjekje të bashkërenduar për të ushtruar kontroll më të madh mbi përmbajtjen në internet".

Në vitin 2010, Pakistani bllokoi YouTube për shkak të "përmbajtjes sakrilegjioze në rritje”, ndërsa pas një mosmarrëveshje për një fushatë në internet që bënte thirrje për karikatura të profetit Muhamed, në po të njejtin vit, vendi bllokoi edhe Facebook-un.

Për “përmbajtje imorale”, janë ndaluar edhe aplikacionet e takimeve, Tinder dhe Grindr.

Lajme të ngjashme