Akuza për korrupsion, arrestohet zv/presidentja e Parlamentit Evropian
Është arrestuar nën akuzat për korrupsion një nga 14 zëvendëspresidentet e Parlamentit Evropian, pas hetimeve mbi përpjekjet e dyshuara të Katarit për të korruptuar zyrtarë brenda parlamentit.
Sipas DailyMail, eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, 44 vjeçe, po merret në pyetje pas një kontrolli të kryer nga oficerët gjatë ditës së sotme, ku u njoftua edhe për arrestimin e katër zyrtarëve të tjerë.
Në mesin e katër të arrestuarve thuhet se është edhe partneri i Kaili, Luca Visentini, 53 vjeçar i cili është sekretari aktual i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ITUC. Ndërsa, sipas të dhënave të para, katër të arrestuarit janë shtetas italianë ose me origjinë italiane.
Arrestimet e mëparshme janë njoftuar nga Prokurori federal i Belgjikës, ndërsa hetimet kanë nisur pas zbulimit të 600 mijë eurove kesh, në 16 adresa të ndryshme në Bruksel.
Fillimisht prokurorët nuk kanë specifikuar identitetin e të dyshuarve dhe as nuk kanë emërtuar vendin e përfshirë, duke thënë vetëm se ishte një shtet i 'gjirit'. Por, sipas Politico, është Katari vendi që akuzohet se ka vënë në shënjestër zyrtarët 'me një pozicion të rëndësishëm politik dhe/ose strategjik' në Parlament, përpara se t'u dërgojë atyre shuma të konsiderueshme parash'.
Në një deklaratë të dhënë nga zyra e prokurorisë federale belge, u tha se kontrollet janë kryer si pjesë e një hetimi më të gjerë për 'organizatat kriminale, korrupsionin dhe pastrimin e parave' dhe kishin në shënjestër kryesisht asistentët e parlamentit.
Megjithatë, DailyMail shkruan se një burim i afërt me çështjen ka konfirmuar raportet e shtypit se hetimi ishte fokusuar në përpjekjet e dyshuara të Katarit për të korruptuar një socialist italian, i cili ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri në vitin 2019.
