Aksident katastrofal në Etiopi, raportohet për mbi 70 të vdekur
Së paku 71 njerëz vdiqën në Etiopi, kur një kamion i mbushur me pasagjerë ra në një lumë, sipas zëdhënësit të qeverisë rajonale në Sidama.
Aksidenti ndodhi në distriktin Bona, tha të dielën vonë në një deklaratë byroja rajonale e komunikimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Wosenyeleh Simion, zëdhënës i qeverisë rajonale në Sidama, i tha agjencisë “Reuters” të hënën se të paktën 71 njerëz kanë vdekur, përfshirë 68 burra e tri gra.
“Pesë janë në gjendje kritike dhe po marrin trajtmn në Spitalin e Përgjithshëm të Bonas” – tha ai.
Në një deklaratë të dielën vonë, byroja rajonale e komunikimit kishte raportuar për 60 të vdekur.
Wosenyeleh tha se kamioni kishte dështuar që të hipte mbi një urë dhe kishte rënë në një lumë dhe se ajo rrugë ka shumë kthesa.
Disa prej pasagjerëve po ktheheshin nga një dasmë dhe disa familje kanë humbur shumë anëtarë, tha ai, duke shtuar se policia e trafikut në rajon kishte raportuar se kamioni ishte i stërngarkuar dhe ky mund të ishte shkaktari i aksidentit.
Aksidentet vdekjeprurëse në trafik janë të zakonshme në Etiopi, ku standardet e vozitjes janë të dobëta dhe shumë automjete nuk mirëmbahen si duhet.
Të paktën 38 njerëz, shumica nxënës, kishin vdekur më 2018, kur një autobus kishte rënë në një grykë në pjesën veriore malore të Etiopisë./Nacionale