Aksident i rëndë me nëntë të vdekur në Brazil, shumica anëtarë të një ekipi
Nëntë persona vdiqën, kur kombibusi me të cilin po udhëtonin u përplas me një kamion të dielën vonë në jug të Brazilit, thanë autoritetet lokale.
Shtatë prej viktimave ishin anëtarë adoleshentë të një ekipi të kanotazhit nga qyteti Pelotas, në shtetin Rio Grande do Sul, që po ktheheshin nga një garë në Sao Paulo, kur ndodhi aksidenti në Guaratuba të shtetit Parana, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas policisë federale të autostradave, vetëm njëri nga dhjetë personat që ndodheshin në kombibus – një sportist 17-vjeçar – ka mbijetuar. Autoritetet shtuan se vozitësi i kamionit, burrë 30 vjeç, ka pësuar vetëm lëndime të lehta.
Policia tha se kamioni dështoi që të frenonte dhe u përplas me pjesën e pasme të kombibusit, i cili u hodh përpara dhe u përplas në një veturë tjetër që vozitej nga një burrë, i cili nuk u lëndua.
Kombibusi më pas u rrotullua dhe kamioni e nxori atë nga rruga, duke rënë mbi të, shtoi policia.
Presidenti i vendit, Luiz Inacio Lula da Silva, shprehu ngushëllime në rrjete sociale. “Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen e humbjes së një fëmije ose një nipi. Dhimbja është e pariparueshme” – tha ai.