Akademiku turk: Politika e jashtme e Turqisë po dështon në çdo front
Pozita, reputacioni dhe politika e jashtme e Turqisë janë dëmtuar rëndë, dhe komuniteti diplomatik ndërkombëtar e ka vënë re këtë.
Kjo ka bërë që Turqia të jetë më e brishtë ndaj zhvillimeve që vijnë nga jashtë.
Me këto parashikime jo fort shpresëdhënëse fillon e mbaron analiza e fundit e akademikut, politikanit dhe autorit turk, Ilhan Uzgel, përcjell NACIONALE.
E botuar ditë më parë në të përditshmen turke ‘BirGün’, analiza thotë se ka sprapsje të Turqisë jo vetëm në Azinë Qendrore, Mesdheun Lindor dhe Evropë, por në çdo drejtim.
Sipas Uzgelit, i cili mban postin e ministrit në hije për Punë të Jashtme në Partinë Republikane Popullore, i gjithë kapaciteti i shtetit shpenzohet për ta mbajtur në këmbë regjimin e Erdoganit.

Ai ka shkruar se “kostoja e gabimeve në politikën e jashtme shtrihet në kohë, pasojat janë të rënda, dhe humbjet tepër vështirë të ndreqshme.”
“Qeverisja e AKP-së ka bërë që Turqia të përjetojë humbjen strategjike më serioze dhe shembjen e politikës së jashtme… Pasojat e gabimeve të bëra në politikën e jashtme nuk shfaqen të nesërmen. Çmimi paguhet i shtrirë në kohë, pasojat janë të rënda, dhe ndreqja e humbjeve është tepër e vështirë, në mos e pamundur”, ka shkruar Uzgel.
“Pasojat negative të disa vendeve të Azisë Qendrore që e njohin administratën greko-qipriote të Qipros së jugut si Republika e Qipros me nxitjen e BE-së dhe hapja e ambasadave atje, ashtu si dhe vendimi që të mos njihet Republika Turke e Qipros së veriut, do të ndihen më së shumti gjatë viteve në vazhdim.”
Nga mburrja në dështim
Qysh në fillim, autori turk ka shkruar se fajtorët kryesorë për një gjë të tillë nuk janë republikat e Azisë Qendrore, BE-ja apo grekët qipriotë – sipas tij, secili vend dhe secili aktor në botë luan lojën e vet, duke e bërë atë që është politikisht e nevojshme.
‘Nëse ka një problem, një dobësi, ato janë qeveritë e AKP-së që e drejtojnë Turqinë dhe bëjnë deklarime në hava që nuk mund t’i mbajnë në politikën e tyre të jashtme”, ka shkruar ai.
Uzgel ka përkujtuar se me ardhjen e Trumpit në pushtet, dhe përçarjen mes ShBA-së dhe BE-së, Turqia erdhi në shprehje për sa i përket sigurisë evropiane, duke e shtuar rëndësinë strategjike të vendit.
Ishte një kohë ku, sipas tij, vetëbesimi i Erdoganit, Hakan Fidanit dhe gazetarëve të afërt me qeverinë mbërriti kulmin. Shumë prej tyre thoshin se “siguria evropiane nuk mund të përfytyrohet pa Turqinë.”
Në këtë kohë kur ishte shtuar nevoja për Turqinë në Ukrainë dhe Siri, Turqia ishte bërë vendi më kritik për sigurinë energjetike, ku Evropa mëtonte të krijonte autonomi strategjike me Turqinë dhe kjo e fundit do të përfitonte nga burimet financiare të ndara për të.
“Dështimi i 4 prillit (shtetet e BE-së nënshkruan marrëveshje me Republikat e Azisë Qendrore që nuk e njohin Republikën Turke të Qipros së veriut) ngjau në një kohë kur po mbaheshin protestat në rrugë, kur Banka Qendrore shkëmbeu 10 miliardë dollarë në ditë për ta parandaluar rritjen e kursit të shkëmbimit, dhe Turqia u kthye pas”, ka shkruar Uzgel.
“Të gjitha mburrjet e qeverisë së AKP-së u bënë copë e grimë kur BE-ja e përfshiu njohjen e Qipros së jugut në Planin e saj më të ri të Investimit në Rrugën Globale për Azinë Qendrore. BE-ja bëri një lëvizje të tillë që në të njëjtën kohë i shkaktoi dëm të madh Turqisë në tri rajonet më të rëndësishme, Azinë Qendrore, Mesdheun Lindor dhe Evropën. Historia e politikës së jashtme turke kurrë nuk ka parë një shembje të tillë strategjike në këto tri rajone kritike në të njëjtën kohë.”
BE i tha Erdoganit: “Mos e ekzagjero rolin tënd”
Siç shkruan në analizë, BE-ja me këtë hap i ka treguar mjaft qartë Erdoganit për kufijtë e rëndësisë strategjike të Turqisë. “Me këtë hap, Brukseli i ka thënë Erdoganit, ‘Mos e ekzagjero si shumë veten’”.
Autori turk ka vlerësuar se nga tani e tutje Erdogani dhe Fidani do të ulen në tryezën e negociatave me BE-në, duke e kapërdirë mburrjen e përparshme kur thoshin se BE-ja ka nevojë për Turqinë përballë Amerikës.
“Tabloja është kaq e rëndë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së prej kohësh kanë pushuar së qeni ‘të orientuara nga vlerat’, kurse procesi i anëtarësimit tash sa kohë ka ndaluar. Shpresa e Qeverisë ishte t’i vendoste marrëdhëniet në relacionet e një boshti gjeopolitik me Erdoganin që mëtonte të ishte më i forti në rajon.”
Derisa Erdogani po matej të bënte një marrëveshje të ngjashme si ajo për refugjatët në vitet 2015-16, BE-ja e përjashtoi praktikisht Turqinë dhe e trivializoi Erdoganin në vendet e Azisë Qendrore.
Republikat e Azisë Qendrore u shkëputën nga Turqia
Prej 20 vitesh Erdogani ka zhvilluar marrëdhënie me vendet e Azisë Qendrore, ku edhe formacione të mëhershme politike më 2021 u riemëruan si Organizata e Shteteve Turkike.
Siç ka shkruar Uzgel, “administrata e Erdoganit mëtonte se Azia Qendrore, ashtu sikundër edhe Lindja e Mesme, do të ishte përgjegjësia jonë.”
Por, sipas tij, këto marrëdhënie pësuan goditje të fortë, goditje që e preku më së shumti idenë dhe idealin e një bote turkike.
“Ajo pengoi edhe ata që argumentonin se lidhjet me republikat turkike duhej të fuqizoheshin edhe më tej.”
Ai ka shkruar se republikat e Azisë Qendrore, që dikur ishin gati ta njihnin pjesën turke të Qipros, e njohën pjesë greke të Qipros dhe atje hapën ambasada.
“Madje edhe më keq nga perspektiva diplomatike, më 4 prill, Turkmenistani, Kazakhstani, Kirigizstani dhe Taxhikistani nënshkruan rezoluta të Këshillit të Sigurimit, në samitin e mbajtur në Samarkand, ku zotoheshin se nuk do ta njihnin Republikën Turke të Qipros së veriut. Prandaj, problemi nuk është vetëm që këto vende hapën ambasada në pjesën greke, por që ato u zotuan për të mos e njohur Republikën Turke të Qipros së veriut. Nëse kishte një grup vendesh tek të cilat mund të mbështetej Turqia, ato ishin republikat e Azisë Qendrore. Tani më nuk është një mundësi e tillë.”
Dështim në Mesdheun Lindor
Sipas akademikut turk, as braktisja e mëtimeve për Mesdheun Lindor nuk është e re. Ky proces kishte nisur rreth vitit 2021, dhe në saje të një marrëveshje mes AKP-së dhe BE-së Turqia ishte tërhequr nga kërkim-shpimet dhe nuk do t’i pengonte të tjerët që e bënin një gjë të tillë.
“Mesdheu Lindor veçse ishte disfatë strategjike për Turqinë. Turqia, që kishte kapacitetin të ishte fuqia më e rëndësishme në rajon, u bë më e izoluara, më joefektivja dhe vendi më i izoluar”, ka shkruar Uzgel.
Ai ka fajësuar se politikat jokonsistente të Qeverisë për sa i përket Qipros janë arsyeja kryesore për gjendjen e tanishme.
Sipas tij, qeveria krijoi pritshmëritë se vendet e Azisë Qendrore do ta njihnin Republikën Turke të Qipros së veriut, por ngjau e kundërta.
“Një vend që dikur kishte mundësinë për anëtarësim në BE, dhe në të njëjtën kohë themeloi një organizatë shtetesh turkike, nuk pati asgjë për të thënë apo për të bërë përballë këtij kolapsi tragjik strategjik që po e përjeton. Qeveria qartazi nuk e pa këtë zhvillim, nuk i gjeti mënyrat për ta parandaluar e as nuk mundi të zhvillonte një kundërlëvizje.”
Humbje në çdo front
Te “humbjet strategjike” të vendit të cilat nuk mund të ndreqen, sipas autorit të analizës, janë edhe ato me vendet e Gjirit, Qipros dhe Greqisë që e anashkaluan Turqinë.
Duke shtjelluar faktorët e një rënie të tillë të diplomacisë turke, Uzgel ka theksuar se “kapaciteti i një vendi si Turqia është shpenzuar, dhe vazhdon të shpenzohet, për ta mbajtur në këmbë regjimin e Erdoganit.”
Duke folur për regresin e politikës së jashtme në një periudhë kaq të shkurtër kohore, ai ka përmendur se humbjet janë në çdo front.
Kështu, analiza përmend qeverinë e re siriane që ka vendosur tarifa të larta doganore, nuk ka pranuar turkmenë në qeveri, kurse portin e Latakisë ia ka dhënë Francës.
“Izraeli bombardoi aeroportet në të cilat Turqia donte të vendoste baza. Katari nisi shpimet e përbashkëta me grekët. AKP-ja dhe qeveria e Erdoganit, në anën tjetër, vetëm kanë bërë sehir në zhvillimet përreth, shumë prej të cilave do të kenë pasoja afatgjate për vendin”.
“Në frontin diplomatik, Katari spikati në bisedimet Izrael-Hamas, Arabia Saudite në ato Ukrainë-Rusi, dhe Omani në bisedimet Iran-ShBA. Askush nuk po troket në derën e Turqisë.”
Turqia dështoi sepse nuk është demokraci, sepse nuk ka sundim të ligjit
Pjesa e fundit e analizës së autorit turk merret me atë se çfarë duhet bërë për politikën e jashtme.
Zhvillimet e fundit, ka vlerësuar Uzgel, tregojnë sesi vendi që prioritarizon interesat e ngushta të Pallatit, mbështetet në pazare të përditshme, pa principe dhe nuk di gjë për premtimet dhe marrëveshjet e bëra në arenën ndërkombëtare.
“Turqia ka nevojë për t’i tejkaluar problemet që po i përjeton në principet fundamentale për të cilat kjo qeveri nuk e çan kokën, të tilla si të qenët e besueshme në politikën e jashtme dhe të mos shpallet mike një ditë e armike në tjetrën, por kjo nuk është e mundur me AKP-në.”
“Derisa të mos rimëkëmbën institucionet dhe demokracia, prestigji i dikurshëm i Turqisë dhe ndikimi në arenën ndërkombëtare nuk do të rikthehen.”
Uzgel ka nënvizuar se sikur Turqia të kishte marrëdhënie të forta shtet-shoqëri, të mos kishte probleme të brendshme legjitimiteti, të ishte vend demokratik që iu përmbahet principeve të sundimit të ligjit, të kishte respekt ndërkombëtar e të përparonte në procesin e anëtarësimit në BE, “BE-ja nuk do ta bënte një manovër të tillë.”
“Nëse Turqia do t’i mbante marrëdhëniet e saj me BE-në të mbështetura në principe e vlera politike e të mos i flijonte këto marrëdhënie për pazare cikërrimash, Turqia do të kishte qenë pjesë e rëndësishme e Nismës Globale që e lidh BE-në me Azinë Qendrore, dhe BE-ja nuk do të kishte bërë lëvizje të tilla”, ka shkruar Uzgel.
“Askush nuk ua zë për të madhe shteteve në botë që veprojnë racionalisht dhe i mbrojnë rreptësisht interesat e tyre. Në të vërtetë, mentaliteti i pazarit po bëhet më i gjithështrirë. Por, edhe ky mbështetet në përfitime të ndërsjella, besim e parashikueshmëri. Pozita, reputacioni dhe politika e jashtme e Turqisë është dëmtuar keqazi, kurse komuniteti ndërkombëtar i diplomacisë e ka vënë re këtë. Një nga pikat më serioze në këtë krizë është se Turqia nuk ka një kundërhap”, ka shkruar në fund Uzgel.
“Mesazhi për botën mbarë ka qenë se ne nuk kemi më një vegël apo instrument të politikës së jashtme për t’iu përgjigjur dikujt. Nga tash e tutje, Turqia është më e brishtë ndaj zhvillimeve që vijnë nga jashtë. Me qëllim që të mëkëmbemi, nevojitet një ndryshim paradigme i mbështetur në vizion dhe interesa kombëtare.” /NACIONALE/
Përgatiti:
C. Mehmeti