Agjencitë amerikane të spiunazhit kishin indikacione se Wagner do të kthehej kundër Putinit ditë më parë
Shefi i forcës rebele mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin, do të largohet nga Rusia dhe nuk do të përballet me drejtësinë edhe pse iu bëri thirrje trupave të tij të avanconin drejt Moskës, ndërkohë që po dalin raportime se agjencitë amerikane të spiunazhit kishin kuptuar shenja se po përgatitej kryengritje disa ditë më parë.
Të shtunën në mbrëmje, një video u publika që shfaqte Prigozhinin duke u larguar nga selitë e ushtrisë në Rostov-on-Don pasi ishte pajtuar që të shkonte në Bjellorusi. Vendndodhja e tij e saktë të dielen në mëngjes nuk dihej. Imazhet po ashtu shfaqnin luftëtarët e Wagnerit duke u tërhequr nga qyteti.
Zhvillimet në fjalë vijnë pas raportimeve në Washington Post dhe New York Times që thonë se zyrtarët e inteligjencës amerikane kishin informuar Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin dhe Kapitolin për mundësinë e një kryengritjeje në Rusinë që ka armë nukleare një ditë para se ajo të ndodhte, raporton The Guardian.
Agjencitë e spiunazhit nisën gjurmimin e indikacioneve se Prigozhini me forcën e tij mercenare e kishte për synim t’i kundërvihej lidershipit të ushtrisë ruse në mes të qershorit, thotë the Post.
Gazeta tjetër amerikane, The New York Times, ka raportuar se informacionet në fjalë kishin rritur shqetësimin për kaosin në një vend me arsenal të fuqishëm nuklear.
Agjencitë amerikane të spiunazhit besojnë se edhe vetë Putini ishte i informuar që Prigozhini, dikur aleat i ngushtë, po komplotonte rebelimin e tij.
Me kryengritjen që u bë me shpejtësi marramendëse, forcat e Prigozhinit shkuan nga kampet e tyre në Ukrainë për në Rusi të premten dhe e morën komandën rajonale të ushtrisë në Rostov-on-Don para se të marshonin drejt Moskës.
Po aq papritmas, avancimi u ndalua me mediat shtetërore që thanë se trupat e Wagnerit do të riktheheshin në Ukrainë ndërsa Prigozhini do të shkonte në Bjellorusinë fqinje.
Kremlini ka thënë se nuk do ta përndjek penalisht Prigozhinin apo anëtarët e armatosur të grupit Wagner.
Vendimi i Prigozhinit për të ndalur avancimin e tij erdhi si rezultat i negociatave me liderin bjellorus Aleksandër Llukashenko.

