Zhvillimet dramatike në Rusi: Çfarë dihet deri më tani për rebelimin e “Wagner”-it?
Ngjarje të jashtëzakonshme po ndodhin në Rusi. Ata që deri para pak ditëve luftonin krah për krah me ushtarët rus në Ukrainë, janë ngritur kundër udhëheqësisë ushtarake ruse. Luftëtarët e grupit “Wagner” raportohet se e kanë marrë kontrollin në objektet ushtarake në Rostov-on-Don të Rusisë. Presidneti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar ndëshkim për atë që e ka quajtur “thikë pas shpine”. Cilat janë zhvillimet kryesore të orëve të fundit?
- Kreu i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ka pretenduar se forcat e tij e kanë marrë kontrollin në të gjitha objektet ushtarake në Rostov-on-Don dhe ka kërkuar që udhëheqësit ushtarakë të Rusisë të shkojnë tek ai, pasi i kishte akuzuar për vrasjen e luftëtarëve të tij. Në një video të publikuar të shtunën herët, Prigozhini pretendoi se ndodhej në selinë qendrore të Distriktit Ushtarak Jugor në Rostov dhe kërkoi që atje të shkonin komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, dhe ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu. Videot nuk janë vërtetuar, raporton gazeta "The Guardian".
- Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se do të bëjë “gjithçka që është e mundshme për ta mbrojtur vendin tim”. Në një fjalim të transmetuar në televizion, ai tha se “kryengritja e armatosur” nga grupi “Wagner” është tradhti dhe se kushdo që i ka kapur armët kundër ushtrisë ruse do të ndëshkohet. Ai tha se “veprim vendimtar” do të ndërmerret për ta stabilizuar situatën në Rostov-on-Don.
- Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë drejtuar luftëtarëve të grupit “Wagner” se ata ishin “mashtruar dhe tërhequr në një aventurë kriminale” nga Prigozhini. Kjo ministri u bëri thirrje luftëtarëve të grupit të mercenarëve që t’i kontaktojnë përfaqësuesit e saj dhe ata të shërbimeve për sundimin e ligjit, duke premtuar se ua garanton sigurinë.
- Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se në kryeqytetin rus ishin duke u ndërmarrë masa anti-terroriste, përfshirë kontrollet shtesë rrugëve, për ta garantuar sigurinë. Autoritetet thanë se autostrada M4, që e lidh Moskën me pjesën jugperëndimore të Rusisë, është mbyllur në kufirin mes rajonin e Voronezhit për shkak të lëvizjes së një autokolone ushtarake.
- Shërbimi rus i sigurisë, FSB, ka hapur një rast kriminal për kryengritje të armatosur kundër Prigozhinit, pasi shefi i mercenarëve e akuzoi ushtrinë ruse se i kishte vënë në shënjestër forcat e tij dhe u zotua se do t’i shkatërronte rivalët.
- FSB-ja tha se deklaratat dhe veprimet e Prigozhinit ishin “në fakt thirrje për të filluar një konflikt të armatosur civil në territorin e Federatës Ruse dhe thikë pas shpine ndaj ushtarëve rusë që po luftojnë kundër forcave pro-fashiste në Ukrainë”. FSB-ja u bëri thirrje luftëtarëve të “Wagner”-it “që të mos bënin gabime të pariparueshme, të ndalnin çfarëdo veprimi force kundër popullit rus, që të mos kryenin ndonjë urdhër kriminal e tradhtie të Prigozhinit dhe të ndërmerrnin masa për ta ndaluar atë”.
- Të shtunën herët, Prigozhini publikoi një tjetër audio-mesazh, në të cilin pretendoi pa ofruar dëshmi se forcat e tij ishin larguar nga Ukraina dhe po hynin në qytetin rus të Rostovit. “Tash për tash i kemi kaluar të gjitha pikat kufitare... Rojat kufitare na përshëndetën dhe i përqafuan luftëtarët tanë. Tani po hyjmë në Rostov. Nëse ndokush na del në rrugë, do të shkatërrojmë gjithçka... Ne ia zgjatim dorën tonë secilit. Ne lëvizim përpara, ne do të shkojmë deri në fund”- tha ai.
- Gjenerali Sergei Surovikin, nënkomandant i fushatës ushtarake ruse në Ukrainë, publikoi një video, duke i urdhëruar mercenarët që të mbeteshin besnikë ndaj Putinit. “Ju bëj thirrje që të ndaleni. Armiku vetëm po pret që situata e brendshme politike të përkeqësohet në vendin tonë”- tha ai.
- Një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar veprimet e Prigozhinit si “operacion anti-terrorist” dhe ka thënë se “gjithçka është vetëm duke filluar në Rusi”. “Ndarja mes elitave është shumë e qartë. Pajtimi dhe pretendimi se gjithçka është rregulluar nuk do të funksionojnë”- shkroi në një rrjet social ndihmësi Mykhailo Podolyak.