Afër fitores: Çka nëse - zot ruana - ekstremistja Marine Le Pen fiton zgjedhjet në Francë? - NACIONALE

Afër fitores: Çka nëse - zot ruana - ekstremistja Marine Le Pen fiton zgjedhjet në Francë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tregjet ndërkombëtare janë zgjuar me nervozën e mundësisë së një fitoreje për kandidaten ekstremiste të djathtë Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale që mbahen sot në Francë. Kjo është një përmbledhje e shkurtër e asaj që strategjistët dhe tregtarët po mendojnë.

Herën e fundit, Emmanuel Macron kishte fituar bindshëm me 66 për qind kundër 34 për qind për znj. Le Pen. Por, gjërat kanë ndryshuar drastikisht.

Kësaj here, shkalla e popullaritetit të Macronit është tepër e ulët. Le Pen ka bërë një fushatë të gjatë për ta “de-demonizuar” imazhin e saj, dhe kjo deri diku ka pirë ujë.

Ajo kishte një disavantazh prej 12 për qind ndaj Macronit, por i cili disavantazh është shkrirë dramatikisht.

Prej ngazëllimit e deri te drithërima janë emocionet që nxit fitorja e mundshme e politikanes ekstremiste franceze.

Franca është mësuar me liderë politikë të së majtës, së djathtës apo të qendrës por tradicionalisht ka qenë kundër ekstremizmit. Dhe për oponentët, madje edhe një Marine Le Pen e dedemonizuar është ekstremiste.

Tregjet financiare janë nervoze dhe armiqtë politikë kanë rritur sulmet ndaj saj. Valerie Pecresse, një kandidate e qendrës së djathtë e quajti “demagoge” në një fjalim.

Oponentët e saj ngulmojnë që ajo ka mbetur e njëjta ksenofobe dhe anti-islamiste siç ishte dikur. Por, manifesti i saj përqendrohet në shqetësimet e miliona njerëzve. Ajo po premton pensionim në moshën 60 vjeçare dhe ndihmë për grupe me të ardhura më të vogla.

Le Pen nuk është duke kërkuar më që ta tërheq Francën nga eurozona apo të mbajë një referendum për Frexit.

Mbështetësve të saj duket se nuk ju bën shumë as për lidhjet e së kaluarës me presidentin rus Vladimir Putin që tash e një muaj e gjysmë po e terrorizon Ukrainën në një luftë të paparë për shekullin XXI.

SI DO TË DUKET F R A N C A NËN LE PENIN?

Thomas Guenole, një politolog, akademik dhe eseist, shtroi këtë pyetje tmerruese së fundi.

“Mendoni për Hungarinë e Orbanit, Amerikën e Trumpit, Rusinë e Putinit,” – tha ai. Ne do të shtonim: "Mendoni edhe për Serbinë e Vuçiqit,"

Ai i tha gazetës The Nacional – përcjell Nacionalja – që znj. Le Pen do të vendoste një nacionalizëm proteksionist bashkë me politika drakonike të emigracionit duke e përforcuar edhe pushtetin e forcave të rendit që efektivisht do të krijonin “një gjendje të plotë policore”. Nëse një i huaj do të kërkonte t'i bënte letrat - pra të bëhej qytetar francez - kjo do të ishte virtualisht e pamundshme.

Në rendin gjeopolitik, kjo fitore s'do të mund të vinte në një moment më të keq duke e rritur në përmasa të pashprehshme hallakamën e gjithandejme politike në Evropë.

Një fitore e Le Pen në Francë do t’i jepte një goditje të fortë edhe shanseve të Kosovës për anëtarësim në BE e NATO por edhe për heqjen e regjimit të vizave.

Lajme të ngjashme