Aeroplanmbajtësja amerikane, e dislokuar në luftën kundër Iranit, pritet të tërhiqet përkohësisht - NACIONALE

Aeroplanmbajtësja amerikane, e dislokuar në luftën kundër Iranit, pritet të tërhiqet përkohësisht

6 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Aeroplanmbajtësja amerikane, “Gerald R. Ford”, e dislokuar në operacionet kundër Iranit, pritet që përkohësisht të tërhiqet dhe të dërgohet në një port pas një zjarri në hapësirat e saj, thanë të martën zyrtarët amerikan, në ditën e 18-të të luftës me Teheranin.

Aeroplanmbajtësja më e re e ShBA-së dhe më e madhja në botë tash për tash ndodhet në Detin e Kuq. Ajo pritet të dërgohet përkohësisht në ishullin grek të Kretës, thanë dy zyrtarët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo luftanije ka qenë e dislokuar për nëntë muaj, përfshirë pjesëmarrjen në operacionet kundër Venezuelës në Karaibe para se të arrinte në Lindjen e Mesme. Koha e gjatë e dislokimit ka ngritur pyetje rreth moralit të detarëve që ndodhen në të dhe rreth gatishmërisë së anijes.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti nuk treguan se për sa kohë prite të qëndrojë aeroplanmbajtësja në Kretë.

Njëri nga zyrtarët tha se gati 200 detarë janë trajtuar për lëndime të lidhura me tymin, kur zjarri shpërtheu në zonën kryesore të lavanderisë. U deshën disa orë që zjarri të vihej nën kontroll dhe ai preku rreth 100 shtretër për fjetje.

Një pjesëtar i shërbimit u largua nga anija me helikopter për shkak të lëndimeve, tha zyrtari amerikan.

Pentagoni nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Luftanija mban më shumë se 5.000 detarë e mbi 75 aeroplanë ushtarakë, përfshirë aeroplanët luftarakë të tipit “F-18 Super Hornet”. Kjo anije ka radar të sofistikuar që mund të ndihmojë në kontrollimin e trafikut ajror./Nacionale

Lajme të ngjashme