Aeroplani me Duterten drejt Hagës ka aterruar jashtë Evropës, tregojnë të dhënat e fluturimeve
Fluturimi me të cilin po dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, është shtyrë, sipas të dhënave të shërbimit “Flightradard 24” të mërkurën, pasi ish-presidenti u arrestua në Manila.
Fillimisht ishte planifikuar që aeroplani të aterronte në aeroportin e Roterdamit rreth orës 6 të mëngjesit, por të dhënat e shërbimit “Flightradar 24” treguan se ai ndodhet në Dubai dhe ka një kohë të mëvonshme të arritjes në Holandë, me status të panjohur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duterte, ish-kryetar qyteti e ish-prokuror që i udhëhoqi Filipinet nga viti 2016 deri më 2022, u arrestua të martën herët, duke e shënuar hapin më të madh deri më tani në hetimin e GjNP-së rreth dyshimeve për krime kundër njerëzimit gjatë shtypjes kundër drogës, fushatë në të cilën u vranë mijëra njerëz dhe nxiti dënime nga mbarë bota.
Vajza e ish-presidentit, Sara Duterte, tashmë nënpresidente e Filipineve, hipi në mëngjes në një aeroplan për në Amsterdam, tha në një deklaratë zyra e saj, por në të nuk u tregua se çfarë synon ajo në Holandë ose sa kohë planifikon të qëndrojë në këtë shtet evropian.
Duterte ishte duke pranuar vëmendje mjekësore gjatë ndalesës në Dubai, raportoi mediumi “ABS-CBN News”, i cili publikoi fotografi të atyre që tha se janë mjekë të policisë duke e kontrolluar Duterten, përderisa ai qëndronte i shtrirë në një shtrat brenda aeroplanit.
Zyra për shtyp e Gjykatës Ndërkombëtare Penale refuzoi të komentonte. Njëri nga avokatët e Dutertes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. As zyrtarët në Dubai nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Duterte, 79 vjeç, mund të bëhet ish-udhëheqësi i parë aziatik që gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr, tha në një konferencë për gazetarë të martën se aeroplani në të cilin ndodhej Duterte ishte rrugës për në Hagë, duke shtuar se një gjë e tillë do t’i lejojë ish-presidentit që “të ballafaqohet me akuza për krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën e tij të përgjakshme ndaj drogës”.
Gjatë gjashtë vjetëve të Duterters në pushtet, 6.200 të dyshuar u vranë gjatë operacioneve kundër drogës, sipas të dhënave të policisë./Nacionale