Admirali Sokolov i Rusisë shfaqet në video pas pretendimit të Ukrainës se e kishte vrarë
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të martën publikoi pamje ku shihej Viktor Sokolov, komandant i Flotës ruse të Detit të Zi, duke marrë pjesë në një bord të mbrojtjes përmes video-lidhjes, një ditë pasi Ukraina pretendoi se zyrtari i lartë ushtarak ishte vrarë nga sulmi i forcave ukrainase ndaj selisë së Flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopol të Krimesë.
Në një video të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, Sokolovi u shfaq qartazi duke marrë pjesë në një video-konferencë me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe me admiralë të tjerë e komandantë të lartë, raporton gazeta “The Guardian”.
Forcat speciale ukrainase thanë të hënën se e kishin vrarë Sokolovin, bashkë me 33 oficerë të tjerë përmes një sulmi me raketë javën e kaluar, që ishte caktuar në kohën e një takimi të zyrtarëve të forcave detare.
Kremlini tha të martën se nuk ka pranuar ndonjë informatë për vdekjen e pretenduar të Sokolovit nga Ministria e Mbrojtjes.
