A po i shesin ukrainasit armët e ShBA-së në “rrjetin e zi”? - NACIONALE

A po i shesin ukrainasit armët e ShBA-së në “rrjetin e zi”?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Televizioni shtetëror rus ka pretenduar se ukrainasit janë duke shitur armët e dhuruara nga ShBA-të në një "rrjet të zi” online.

Pas këtyre pretendimeve BBC ka nisur një hetim, duke folur në fshehtësi me ata që me sa duket shisnin armët dhe ka mbledhur prova që sugjeronin se në fakt ato reklama për armët janë të rreme.

"Ukrops (një term nënçmues në zhargonin rus që përdoret për t'iu referuar ukrainasve) po shesin Javelins në rrjetin e zi. Komanda e Forcave të Armatosura të Ukrainës rishet pajisjet dhe armët e furnizuara nga NATO." Ky mesazh në lidhje me armët antitank ishte postuar më 2 qershor nga llogaria pro-Kremlinit në gjuhën angleze ASB Military News.

Kohët e fundit kjo llogari është pezulluar nga Twitter, megjithate ekziston ende në Telegram dhe ka më shumë se 100,000 abonentë.

Në të njëjtën ditë, edhe një tjetër kanal në Telegram pro-Kremlinit, me 700,000 ndjekës, postoi në rusisht: "Falë Bidenit dhe miqve evropianë të Ukrainës, Javelins, mitralozë dhe madje edhe tanke do të shfaqen në të gjithë botën në duart e terroristëve dhe kriminelëve”.

Fotografitë e bashkangjitura me postimin tregonin një reklamë që supozohej se shiste FGM-148 Javelin, një sistem raketor antitank i prodhuar nga ShBA, për 30,000 dollarë dhe premtonte se do t'i dorëzonte armët në kufirin Ukrainë-Poloni.

Këto postime u kapën shpejt nga televizioni shtetëror rus, i cili në mënyrë rutinore transmeton histori duke pretenduar se Ukraina po shet armë të furnizuara nga Perëndimi.

BBC, ka hetuar këto pretendime duke përdorur laptopë që nuk lidheshin me BBC-në dhe ka hyrë në rrjetin e errët ku niveli I anonimitetit tërheq aktivitetin kriminal.

BBC gjeti disa shitës në tregun e përmendur nga mediat ruse, ata kishin thënë se po shesin armët e NATO-s dhe lokacioni i tyre ishte Kievi, megjithate si mospërputhje të parë BBC ka zbuluar se emri i kryeqytetit ukrainas ishte shkruar gabimisht.

Por, kjo nuk ishte e vetmja mospërputhje e zbuluar nga BBC.

Reklamimi i armëve nga Siria si të Ukrainës

Një nga shitësit kryesorë të përmendur shpesh në raportet e mediave ruse njihet si "Armët e Ukrainës".

Shitësi pretendon se ka bërë 32 marrëveshje të suksesshme duke shitur karabina të prodhuara në SHBA [një lloj pushke automatike], pistoleta dhe pushkë të tjera që dyshohet se janë dorëzuar brenda Ukrainës.

Megjithatë, BBC zbuloi se shumë nga fotot e armëve nuk ishin ashtu siç dukeshin.

Shenja e kuqe paralajmëruese tregonte se imazhi ishte i vjetër ose i modifikuar.

Një tjetër shitës i quajtur "Zbritje të mëdha në armë", duke pretenduar se shet Javelins dhe drone të prodhuara në ShBA, të ofruara së fundmi në Ukrainë nga aleatët e saj të NATO-s, ishte më shpikës.

Shitësi kishte bërë disa foto të vjetra - duke përfshirë ato të dronëve të dëmtuar - për t'i bërë të duken sikur të ishin marrë direkt nga ai.

BBC poashtu ka folur StopFakë, një organizatë ukrainase për verifikimin e fakteve. Organizata zbuloi se dronët e bashkangjitur në reklamë përputheshin me dronë Sëitchblade 300 me të njëjtin numër serial të rrëzuar në Siri në 2015 dhe 2016.

'Tregtarët e armëve' duke përdorur Google Translate?

Mediat shtetërore ruse vazhdimisht pretendojnë se njerëzit pas këtyre reklamave janë ukrainas. Kështu BBC ka vendosur të kontaktojë shitësit.

Shitësi që shet drone Javelins dhe Sëitchblade 300 kishte kërkuar të kontaktohet në një aplikacion mesazhesh me user “javelinusa”.

Megjithatë, gjatë bisedës me shitësin, BBC kishte vënë re se gjuha ukrainase ishte me plot gabime gramatikore.

Pas analizës së një gjuhëtari, u zbulua se personi që qëndronte si shitës në fakt ishte rusisht-folës.

Ekspertja e gjuhës nxorri prova të shumta se mesazhet ishin përkthyer nga rusishtja në gjuhën ukrainase nga “Google Translate”.

Një kërcënim për qytetarët e BE-së?

Pavarësisht mospërputhjeve, faqja e medias shtetërore ruse RT i ka përshkruar reklamat dhe rishikimet e shitësve si dëshmi që "potencialisht sugjeron se kontrabandistët ukrainas të armëve mund të kenë vendosur tashmë kontakte me rojet kufitare [polake] dhe janë në gjendje të kalojnë brenda dhe jashtë Polonisë pa komplikime."

"Javelins mund të rrëzojnë aeroplanë, dhe Stingers - sistemet e mbrojtjes ajrore të prodhuara në ShBA mund të bien në duart e terroristëve dhe të bëhen rrezik sigurie për aeroportet evropiane," pohoi një raport i veçantë nga Channel One i Rusisë.

Serhiy Kharchenko është një kontrollues faktesh nga StopFake i specializuar në trajtimin e propagandës ruse. Ai thotë se kjo është mënyra se si Kremlini përdor lajmet e rreme për të ulur besimin në Ukrainë dhe për të ndërprerë furnizimet me armë në Kiev.

“Qëllimi i tyre është të mbjellin panik në Evropë, duke thënë se këto armë mund të përdoren kundër qytetarëve evropianë."

Ai thotë se këto histori janë prodhuar nga Rusia kryesisht për të ndikuar në një audiencë ndërkombëtare.

BBC poashtu ka gjetur histori rreth shitjeve të armëve të botuara në anglisht, japonisht, vietnamezisht dhe disa gjuhë të tjera në një sërë faqesh, duke përfshirë një gazetë kryesore turke të lajmeve dhe blogje dhe faqe konspirative amerikane.

A mund të jetë i gjithë tregu një mashtrim rus?

Kompania e Inteligjencës së Kërcënimeve të Krimeve Kibernetike KELA ka hetuar tregun. Kompania beson se listat janë publikuar nga burime propagandistike pro-ruse, ose ndoshta janë krijuar prej tyre.

KELA thotë se është e dyshimtë që tregu ka një aktivitet relativisht minimal - një numër i vogël tregtimesh që po ndodhin - dhe se është i panjohur, madje edhe nga ata që vizitojnë tregjet e internetit të errët.

Kompania ka vënë në dyshim se si gazetarët rusë e kanë gjetur kaq lehtë, duke dalë në përfundim se e gjitha kjo mund të jetë një fushatë e organizuar dezinformimi.

Lajme të ngjashme