A po e pret humbja Erdoganin? Njeriu i partisë së Ataturkut i prin koalicionit kundër tij në zgjedhjet e 14 majit - NACIONALE

A po e pret humbja Erdoganin? Njeriu i partisë së Ataturkut i prin koalicionit kundër tij në zgjedhjet e 14 majit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Turqia është duke u përgatitur për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 14 maj, ndërsa tani është zbuluar edhe emri i personit që do të garojë kundër presidentit të tanishëm turk, Recep Tayyip Erdogan.

Pas një takimi të mbajtur nga 6 partitë e koalicionit të madh opozitar, Aleanca Kombëtare, është vendosur që kandidat presidencial të shpallet kryetari i partisë CHP, Kemal Kılıçdaroglu – kandidatura e parë e tij për presidencë kundër Erdoganit.

Është bërë e ditur se vendimi për Kiliçdaroglu ishte marrë me vështirësi, pasi kryetarja e partisë “Iyi Parti”, në krye me Meral Aksener, kishte kërkuar që të kandidojë kryetari aktual i Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Tani, ajo për të cilën jo vetëm Turqia por edhe vendet e tjera janë kurioze është nëse Kiliçdaroglu do ta “shkruajë historinë”, duke i dhënë fund sundimit 21-vjeçar të Erdoganit dhe duke nisur një epokë të re, apo do të humbë zgjedhjet më kritike të Turqisë, duke u tërhequr nga skena politike?

Kemal Kılıçdaroglu, i cili tashmë ka hapur një epokë të re në karrierën e tij politike si kandidat për president me mbështetjen e liderëve të Partisë së Mirë, Partisë së Ardhmërisë, Partisë DEVA, Partisë së Lumturisë dhe Partisë Demokratike në Aleancën e Kombit, ka lindur në qytetin Tunceli.

Duke qenë se ai vetë ishte rritur i varfër, ai ka thënë se me ardhjen e tij në pushtet, “synimi i Turqisë do të jetë që asnjë fëmijë të mos shkojë në shtrat i uritur”.

Kiliçdaroglu është në krye të republikanëve prej 13 vitesh dhe asnjëherë nuk ka garuar personalisht me Erdoganin. Kjo është hera e parë që 6 partitë u mblodhën në koalicion për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, e po ashtu pritet që të marrin mbështetje edhe nga kurdët e HDP-së.

Sipas sondazheve të fundit, presidenti Erdogan do të përballet me një sfidë të madhe, sidomos pas krizës së shkaktuar nga tërmetet e 6 shkurtit që lanë më shumë se 45 mijë viktima.

Lajme të ngjashme