A është zgjerimi nordik i NATO-s një kërcënim apo një përkrahje për Evropën?
Finlanda dhe Suedia, dy vende neutrale nordike, janë aq të alarmuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sa që të dyja tani po mendojnë seriozisht t'i bashkohen NATO-s, që në fillim të kësaj vere. Ndërkohë që Rusia i ka paralajmëruar që të mos e bëjnë këtë, duke i kërcënuar ushtarakisht nëse bashkohen.
Pra, në ekuilibër, a është Evropa një vend më i sigurt apo më i rrezikshëm nëse njëra ose të dyja këto vende bëhen pjesë e NATO-s?
NATO - Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut - është një aleancë mbrojtëse prej 30 vendesh e themeluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka selinë e saj në Bruksel, por dominohet nga fuqia masive ushtarake dhe raketore bërthamore e ShBA-së.
Finlanda dhe Suedia janë të dyja vende moderne, demokratike që përmbushin kriteret për anëtarësim në NATO. Shefi i organizatës, Jens Stoltenberg, ka thënë se do t'i mirëpresë me krahë hapur dhe do të ketë vonesa minimale në përpunimin e anëtarësimit të tyre.
Ndërsa, BBC shkruan se Gjenerali i Ushtrisë Amerikane, Ben Hodges, i cili komandonte të gjitha forcat tokësore amerikane në Evropë, nuk ka asnjë dyshim për përfitimet e kësaj për Perëndimin:
"Bashkimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është i madh - një zhvillim shumë pozitiv. Ato janë dy demokraci shumë të forta dhe ushtria e të dyjave është shumë e mirë, e aftë dhe e modernizuar, me sisteme të jashtëzakonshme mobilizimi."
Në rastin e Finlandës, tashmë është duke u zhvilluar një formë e integrimit ushtarak. Ekuipazhet britanike të tankeve së fundmi shkuan në stërvitje me një brigadë të blinduar finlandeze, së bashku me trupat amerikane, letoneze dhe estoneze si pjesë e të ashtuquajturës Forca e Përbashkët Ekspeditare e NATO-s (JEF).
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se qëllimi ishte "të pengonte agresionin rus në Skandinavi dhe shtetet baltike".
Pra, cili është problemi nëse njëra ose të dyja vendet duan të bashkohen?
Rusia, dhe më konkretisht presidenti Vladimir Putin, nuk e shohin NATO-n si një aleancë mbrojtëse. Krejt e kundërta, ai e sheh atë si një kërcënim për sigurinë e Rusisë. Putin ka parë i shqetësuar teksa NATO zgjerohej në mënyrë të qëndrueshme drejt lindjes - më afër Moskës - pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991.
Kur Putini ishte një oficer i ri i inteligjencës në aparatin e sigurimit shtetëror sovjetik, KGB, Moska kontrollonte të gjitha vendet e Evropës Lindore, me trupa ruse të vendosura në shumicën e tyre. Sot, pothuajse të gjitha këto vende kanë zgjedhur të shikojnë nga perëndimi dhe t'i bashkohen NATO-s. Edhe shtetet baltike - Estonia, Letonia dhe Lituania - vende që dikur, pa dëshirë, ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, i janë bashkuar aleancës.
Vetëm 6% e kufijve të mëdhenj të Rusisë janë me vendet e NATO-s, megjithatë Kremlini po ndihet i rrethuar dhe i kërcënuar. Pak para se Presidenti Putin të dërgonte trupat e tij në Ukrainë më 24 shkurt, ai kërkoi një rivizatim të hartës së sigurisë së Evropës dhe këmbënguli që trupat e NATO-s, duhet të tërhiqen nga të gjitha këto vende të Evropës Lindore dhe asnjë vend i ri nuk duhet të lejohet të bashkohet.
Për dekada, Finlanda dhe Suedia e kanë ruajtur me kujdes neutralitetin e tyre. Nga ana kulturore, ato janë të vendosura në kampin perëndimor, por deri më tani kanë qenë të kujdesshme për të antagonizuar fqinjin e tyre gjigant të armatosur me armë bërthamore, Rusinë.
Megjithatë, pushtimi i Ukrainës nxiti një rimendim radikal, me qeverinë dhe njerëzit që pyesin veten nëse nuk mund të jenë më të sigurt "brenda çadrës", duke u strehuar nën mbrojtjen kolektive të NATO-s të njohur si "Neni 5", që e sheh një sulm ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithëve. Ndërsa, një sondazh i fundit në Finlandë tregoi se 62% e finlandezëve ishin në favor të anëtarësimit.

Çështja në favor
Nga një perspektivë thjesht ushtarake, shtimi i ushtrive të konsiderueshme të Finlandës dhe/ose Suedisë do të ishte një plus i madh për fuqinë mbrojtëse të NATO-s në veri të Evropës, që është më e madhe se forcat ruse. Finlanda, thotë Ben Hodges, sjell avionë luftarakë F35, Suedia sjell bateritë e raketave Patriot dhe ka risiguruar ishullin e saj të madh balltik, Gotland.
Forcat e armatosura të Finlandës dhe Suedisë janë ekspertë në luftën e Arktikut, duke u trajnuar intensivisht për të luftuar dhe mbijetuar në pyjet e ngrira të Skandinavisë. Kur Rusia pushtoi Finlandën në Luftën e Dytë Botërore, finlandezët luftuan ashpër kundër pushtuesve, duke ju shkaktuar humbje të rënda.
Gjeografikisht, shtimi i Finlandës plotëson një boshllëk të madh në mbrojtjen e NATO-s, duke dyfishuar kufirin e saj me Rusinë. Siguria dhe stabiliteti në Detin Baltik, thotë Hodges, tani janë përmirësuar në mënyrë dramatike.
Politikisht, kjo do të shtonte kohezionin e mbrojtjes reciproke perëndimore, duke i dërguar një sinjal Putinit se pothuajse e gjithë Europa është e bashkuar kundër pushtimit të tij të një vendi sovran, Ukrainës.
Çështja kundër
E thënë thjesht, rreziku këtu është se një zgjerim kaq i madh i NATO-s, pikërisht në pragun e Rusisë, alarmon dhe zemëron Kremlinin aq shumë sa ai mund të përgjigjet duke sulmuar.
Kur Putini kërcënoi se do të merrte "masa teknike ushtarake" si kundërpërgjigje ndaj bashkimit të vendeve, ky kërcënim konsiderohet gjerësisht si dy gjëra - një përforcim i kufijve të tij duke lëvizur trupat dhe raketat më afër Perëndimit, dhe ndoshta një rritje e sulmeve kibernetike në Skandinavi.
Qëndrimi neutral i ka shërbyer shumë mirë Suedisë gjatë viteve dhe heqja dorë nga ai neutralitet nuk duhet marrë lehtë. Do të ketë gjithashtu një kosto ekonomike për industrinë vendase të armëve të Suedisë, nëse vendi detyrohet të blejë armë të NATO-s në vend të tyre.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov foli prerë duke paralajmëruar se bashkimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO "nuk do të sjellë siguri më të madhe për Evropën".
Putini dhe këshilltarët e tij tashmë fajësojnë NATO-n, me një farë arsyetimi, për pengimin e planeve të tyre për të marrë nën kontroll Ukrainën. Nëse ata vendosin, në mënyrë të paarsyeshme, që ky zgjerim i papritur në krahun e tyre verior paraqet një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Rusisë, atëherë nuk dihet saktësisht se çfarë mund të bëjë Moska si përgjigje.