A e siguroi Erdogani fitoren në balotazh? Dje u takua me kandidatin që doli i treti
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të premten u takua me kandidatin që doli i treti në zgjedhjet presidenciale, Sinan Ogan, para balotazhit që do të mbahet më 28 maj.
Sipas burimeve, takimi me dyer të mbyllura zgjati një orë, raporton mediumi “Daily Sabah”. Pas takimit nuk pati deklaratë.
Nënkryetari i partisë së Erdoganit, Binali Yildirim, rishtazi tha se nuk ka asgjë për të cilën presidenti dhe Ogani nuk mund të pajtohen, pasi retorikat e tyre nuk dallojnë shumë mes vete.
Duke hyrë në fushatë në momentin e fundit, nacionalisti Ogan mori 5,2 për qind të votive. Presidenti Erdogan dhe kandidati kryesor opozitar, Kemal Kilicdaroglu, do të garojnë në balotazh më 28 maj.
Bordi Suprem i Zgjedhjeve i Turqisë të premten e konfirmoi rezultatin e rundit të parë të zgjedhjeve. Sipas këtij bordi, Erdogani ka marrë 49,24 për qind të votave, ndërsa Kilicdaroglu 45,07 për qind.
Ogani, i cili është përkrahur nga një parti kundër emigrantëve, mund ta ketë çelësin e fitores në balotazh, tani që nuk është më në garë.
Duke folur para medieve turke më herët këtë javë, Ogani i paraqiti kushtet për përkrahjen e tij. Në mesin e tyre janë një qëndrim më i ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit si dhe paraqitja e një plani kohor për largimin e miliona refugjatëve, përfshirë gati 3,7 milionë sirianë.
Të enjten, Kilicaroglu e ndryshoi retorikën e tij me ton të butë për t’u bërë apel votuesve nacionalistë, duke u zotuar se do të largojë nga Turqia miliona refugjatë dhe duke përjashtuar çfarëdo mundësia për bisedime të paqes me militantët kurdë.
