93 palestinezë u vranë të martën nga sulmet izraelite në Gaza, thotë Ministria e Shëndetësisë
Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës lanë të vrarë të paktën 93 njerëz dhe plagosën 278 të tjerë të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi, ndërsa trupat izraelite i vazhduan operacionet tokësore atje.
Në këtë shifër nuk u saktësua numri i luftëtarëve në mesin e të vdekurve. Zyrtarët lokalë thanë se dhjetëra gra e fëmijë u vranë, por ministria e udhëhequr nga Hamasi nuk saktësoi sa, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Nga një sulm në kampin e refugjatëve “Shati” në veri u vra një anëtar i legjislaturës së defunksionalizuar të Autoritetit Palestinez, anëtar i Hamasit, si dhe një burrë, një grua dhe gjashtë fëmijët e tyre që po strehoheshin në ndërtesën e njëjtë, sipas zyrtarëve të spitalit “Shifa”, ku u dërguan trupat. Ligjvënësi u identifikua si Mohammed Faraj al-Ghoul, 68 vjeç.
Njëri nga sulmet më vdekjeprurëse goditi një shtëpi në distriktin Tel al-Hawa të Qytetit Gaza të hënën në mbrëmje, duke vrarë 19 anëtarë të familjes që po jetonte brenda saj, sipas spitalit “Shifa”. Në mesin e të vdekurve ishin tetë gra e gjashtë fëmijë. Nga sulmi ndaj një tende ku po strehoheshin njerëz të zhvendosur në distriktin e njëjtë u vranë një burrë, një grua dhe dy fëmijët e tyre.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite për këto sulme. Ushtria thotë se merr masa për ta shmangur dëmin ndaj civilëve, duke e përfshirë përdorimin e vëzhgimit ajror dhe municionit preciz, ndërsa e akuzon Hamasin për rrënjosje në infrastrukturën civile, përfshirë spitalet.
Të martën, banori i Gazës, Anas Arafat, i tha gazetës “The Times of Israel” se zjarri izraelit nga dronët ua kishte parandaluar me orë ekipeve të shpëtimit arritjen te prindërit dhe vëllezërit e tij dhe te fëmijët e tyre, për të cilët tha se kishin mbetur nën rrënojat e një ndërtese në lagjen Tuffah të Qytetit Gaza pas një sulmi izraelit të hënën./Nacionale