29 të vdekur pas arrestimit të birit të "El Chapos", pezullohet ekstradimi në ShBA - NACIONALE

29 të vdekur pas arrestimit të birit të "El Chapos", pezullohet ekstradimi në ShBA

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gjykatës federal i Meksiko Sitit ka ndalur ekstradimin e birit të kriminelit famëkeq, Joaquin "El Chapo Guzman", i cili tash është lideri i kartelës, Ovidio Guzman, në ShBA të premten - një ditë pasi u arrestua në një operacion të përgjakshëm në veri të Meksikës, që rezultoi me vdekjen e 29 personave.

ShBA po kërkon ekstradimin e Guzman për trafikim droge dhe ofroi 5 milionë dollarë për informacion që do të rezultonte me kapjen e burrit që thotë se është "pjestar senior i Kartelës Sinaloa".

Të enjten, Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard konfirmoi se ka një fletarrest në ShBA për të që daton nga 19 shtatori, 2019, por tha se ekstradimi i Guzman nuk do të ndodh menjëherë për shkak të formaliteteve të ligjit. Ai gjithashtu potencoi se Guzman ka çështje të pazgjidhura ligjore në Meksikë.

Sipas kanalit "Televisa" dhe medieve tjera meksikane, një tjetër gjykatës federal më vonë urdhëroi Guzman të qëndronte 60 ditë në paraburgim me qëllim ekstradimi pas një seance dëgjimore në burgun federal të sigurisë maksimale "Altiplano", ku ai po mbahet.

"CNN" ka kërkuar përgjigje nga pala mbrojtëse e Guzman, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Babai i Guzman, "El Chapo" kishte ikur nga burgu "Altiplano" më 11 korrik, 2015, përmes një tuneli të gjatë të gërmuar nën çeli. Ai më vonë ishte kapur dhe dënuar katër vite më vonë në ShBA në 10 akuza, përfshirë pjesmarrjen e tij të vazhdueshme në ndërmarrje kriminale, trafikim droge dhe armëmbajtje. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm, plus 30 vite, dhe u urdhërua të paguante 12.6 miliardë dollarë në konfiskim.

Biri i tij, Ovidio Guzman më herët ishte arrestuar nga autoritetet federale në tetor, 2019, por u lirua me urdhër të presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, për të shmangur gjakderdhje të mëtutjeshme.

Arrestimi i tij i fundit vjen disa ditë para se presidenti i ShBA-ve, Joe Biden dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau të vizitojnë Meksiko Sitin për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Amerikës së Veriut.

Kapja e Guzman mund të jetë një mënyrë për Lopez Obrador t'i tregojë ShBA-ve se ai është në "kontroll të forcave të armatosura dhe situatës me sigurinë e Meksikës".

Sidoqoftë, në një konferencë për shtyp të premten, Lopez Obrador mohoi se arrestimi i Guzman ishte i lidhur me ardhjen e Biden, duke thënë se autoritetet meksikane kanë reaguar në mënyrë autonome.

Dhuna eskaloi pas arrestimit të Guzman

Pas arrestimit të Guzman në Kuliakan, të enjten, kaosi shpërtheu në qytet. Autoritetet kërkuan nga qytetarët të strehoheshin për shkak të përplasjeve në shumë zona.

Arrestimi i tij ishte rezultat i një operacioni të gjatë, ku u përfshinë 200 forca shtetërore, ka thënë Ministri i Mbrojtjes, Luis Cresencio Sandvodal, të premten. Zyrtarët lokalë kërkuan nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, derisa dhuna po vazhdonte mes ushtrisë dhe pjestarëve të kartelit në disa zona të qytetit.

Të paktën 19 persona të dyshuar se pjestarë të bandës dhe dhjetë pjestarë të ushtrisë vdiqën si pasojë e shkëmbimit të zjarreve, pasi autoritetet arrestuan Guzman, së bashku me 21 të tjerë. Nuk u raportua për vdekje apo lëndime të civilëve.

Siguria në burgun "Altiplano" është rritur, prej arrestimit të Guzman, shtoi ministri.

Presidenti më vonë tha se të premten qyteti ishte më i qetë dhe zyrtarët lokalë po punonin për t'i pastruar rrugët.

"Në Kuliakan, ne hapëm të gjitha blloqet e rrugëve dhe po punojmë të largojmë veturat që janë afër rrugëve", tha Lopez Obrador.

Shteti i Sinaloas, ku është edhe qyteti i Kuliakan, është shtëpi e organizatave më të fuqishme të trafikimit të drogës, "Kartela Sinaloa", lider i të cilës ishte "El Chapo".

Lajme të ngjashme