200 aeroplanë luftarakë izraelitë u përdorën në sulmet ndaj Iranit, ShBA-ja lëshon paralajmërim për punonjësit në Izrael - NACIONALE

200 aeroplanë luftarakë izraelitë u përdorën në sulmet ndaj Iranit, ShBA-ja lëshon paralajmërim për punonjësit në Izrael

1 vit më parë

nga NACIONALE

(Përditësuar 08:33)

Ushtria izraelite ka publikuar pamje ku shihen disa aeroplanë luftarakë duke u përgatitur për fillimin e sulmeve ndaj Iranit.

Përpos nisjes, në video shihet edhe aterrimi i një aeroplani pas sulmeve.

Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se 200 aeroplanë luftarakë janë përdorur në sulmet kundër Iranit.

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se nga sulmet janë vrarë komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane, Gjeneral Major Mohammad Bahgeri, dhe komandanti i Rojave Revolucionare, Hossein Salami.

______________

Ushtria izraelite ka thënë se 200 aeroplanë luftarakë janë përdorur gjatë sulmeve ndaj Iranit.

“Më shumë se 100 caqe janë goditur në mbarë Iranin” – tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin gjatë një konference për media, duke shtuar se “mbi 330 municione të ndryshme” tashmë janë hedhur”, raporton televizioni CNN.

Sipas tij, sulmet izraelite ishin “pjesë e një operacioni preciz dhe të sinkronizuar” dhe se pilotët izraelitë ishin “ende duke goditur caqe ushtarake dhe caqe nga programi bërthamor në zona të ndryshme në Iran”.

Kryeministri izraelit, Benjami Netanyahu, tha se operacioni “Luani i Zgjuar” e goditi qendrën kryesore të pasurimit të uraniumit në Iran, në Natanz si dhe atë që e quajti “zemrën e programit iranian të raketave balistike”.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim të sigurisë për punëtorët qeveritarë amerikanë në Izrael dhe për familjet e tyre, përderisa Izraeli po përgatitet për hakmarrje të mundshme nga Irani pas sulmeve që i kreu të premten herët.

“Si rezultat i situatës së tanishme të sigurisë, ambasada e ShBA-së i ka udhëzuar të gjithë punonjësit qeveritarë amerikanë dhe anëtarët e familjeve të tyre që të strehohen në vend deri në një njoftim të radhës” – thuhet në udhëzim.

Aty shtohet se shtetasit amerikanë duhet të kenë “nevojë të vazhduar për kujdes dhe vetëdije të shtuar personale për sigurinë” dhe duhet ta dinë vendndodhjen e strehimores më të afërt në rast të incidenteve urgjente si zjarri i mortajave ose raketave”.

“Mjedisi i sigurisë është kompleks dhe mund të ndryshojë shpejt” – thuhet në udhëzim.

Lajme të ngjashme