Vit i zhvillimeve "speciale" në Hagë: Çka pritet në vitin 2025? - NACIONALE

Vit i zhvillimeve "speciale" në Hagë: Çka pritet në vitin 2025?

3 javë më parë

nga NACIONALE

18 vjet burg për Pjetër Shalën. Ulje e dënimit në 15 vjet për Salih Mustafën. Aktakuzë e re për Hashim Thaçin me dyshimet për pengim të drejtësisë.

Këto kanë qenë vetëm tri prej zhvillimeve më të rëndësishme në Dhomat e Specializuara të Hagës. Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së vazhdoi me intensifikimin e dëshmive. Deri tash dëshmuan 110 dëshmitarë.

Prokuroria e Hagës më së largu në prill do ta përfundojë rastin e saj.

Radha në vitin e ardhshëm do të jetë e avokatëve. Fundi i vitit 2025 mund të rezultojë me një vendim në shkallën e parë.

Megjithatë, në vitin 2024, jo gjithçka shkoi siç duhet. Kritika të mëdha pati për pyetjet e gjyqtarëve, të cilat në disa raste u vlerësuan orientuese e sygjestive.

Këto modele të pyetjeve, kryetarja e Speciales tha se janë të ndaluara.

“Ne kurrë nuk do të tolerojmë këtë lloj të pyetjeve, unë të besoj por dhe kur të vi në Kosovë do të takohemi dhe do të mi tregoni këto video, por besoj se nuk ishte mënyrë për të udhëhequr përgjigjet në diçka që gjyqtarët duan të dëgjojnë, por ta vendosin në kontekst që dëshmitarët ta kuptojnë përgjigjen. Kjo është bazuar në eksperiencën time, ne nuk tolerojmë dhe lejojmë, pyetje udhëheqëse dhe orientuese”, tha Trendafilova, raporton Nacionale.

Pavarësisht se tha që janë të ndaluara, Trendafilova më tutje vazhdoi duke thënë se ka raste kur pyetjet e tilla mund të bëhen për ta ndihmuar dëshmitarin, e jo me ndonjë qëllim të keq.

“Unë nuk kam dëgjuar pyetje të llojit të tillë, por unë të besoj ty. Por nëse dëshmitari është laik, ndoshta nuk është e lehtë të kuptojë pyetjen, dhe kështu gjyqtarët tentojnë ta thonë psh le të supozojmë. Duke e bërë pyetjen në një skenar më të thjeshtë, që mund të punojë me njohurinë e dëshmitarëve, dhe dëshmitari mund ta kuptojë pyetjen”, tha më tutje kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Kjo bëri që krerët e UÇK-së të dërgojnë letër e të kërkojnë nga gjyqtarët të jenë të paanshëm, e të mos anojnë kah Prokuroria.

“Është thelbësore që trupi gjykues jo vetëm që duhet të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por duhet të sigurojë edhe shfaqjen e paanshmërisë. Marrja gjyqësore e pakufizuar në pyetje e dëshmitarëve, gjatë gjithë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut të provave 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, është duke rrezikuar shfaqjen e paanshmërisë në këto procedura dhe duke shkaktuar paragjykim të identifikueshëm për Mbrojtjen. Siç shpjegohet më poshtë, marrja në pyetje nga gjyqtarët po çon përpara çështjen e Prokurorisë ose një çështje gjyqësore të ngjashme me të, duke marrë rolin që normalisht do të luante Prokuroria dhe duke dështuar në sqarimin ose eksplorimin e ndonjë informacioni shfajësues. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kërkon nga trupi gjykues që të ndërmarrë hapa për të siguruar pamjen e paanësisë dhe për të kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë marrjes në pyetje gjyqësore”, thuhet në këtë parashtresë, raporton gazeta Nacionale.

Veç pak ditë pas kësaj letre, në Kosovë pati seri tjetër arrestimesh. U ndaluan Fadil Fazliu, Isni Kilaj e Bashkim Smakaj, kurse për Hajredin Kuçin u lëshua fletthirrje. Kjo si pasojë e një aktakuze të re që ngriti Prokuroria për pengim të drejtësisë.

Në anën tjetër, Nacionale mësoi se në një takim me diplomatët e BE-së, liderët e Gjykatës Speciale kishin përmendur deklaratat e Richard Grenell për lirimin e Thaçit.

Në raste të tjera, Pjetër Shala u dënua me 18 vjet burg.

Kurse, Gjykata e Apelit ia uli dënimin Salih Mustafës në 15 vjet.

Kjo pasi Supremja e Speciales, kishte konstatuar se dënimi fillestar për Calin, ishte jashtë çdo praktike ndërkombëtare.

Pas krejt zhvillimeve në Hagë, kritika pati në Kosovë.

Kryetarja e Gjykatës Speciale gjatë vitit 2024 nuk ishte asnjëherë në Kosovë. Me ose pa vizitë të Ekaterina Trëndafilovës, edhe viti 2025 pritet të jetë me vëmendje në Hagë.

Lajme të ngjashme