Vendimi për lirim nga Specialja: Hysni Gucati sot kthehet në Kosovë - NACIONALE

Vendimi për lirim nga Specialja: Hysni Gucati sot kthehet në Kosovë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, sot pritet të kthehet në Kosovë.

Kjo pas vendimit për lirim të parakohshëm me kusht nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Lajmin për Nacionalen e kanë konfirmuar burime të afërta me zhvillimet. Sipas burimeve, ai pritet që sot gjatë ditës të jetë në Kosovë.

Ai fillimisht do të jetë në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë, e pastaj do të shkojë tek familja e tij.

Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë.

Lajmin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka thënë se për këtë vendim është informuar dje nga avokatët mbrojtës.

Unë këtë lajm e di prej dje, nga ana e avokatëve. Pra, është marrë vendim për lirimin e Hysni Gucatit. Për Nasimin jo. Për Nasimin kanë thënë se do të rishqyrtohet vendimi pas dy muajve”, ka thënë Klinaku.

Ai ka bërë me dije se Gucati pritet të vije në Kosovë javën e ardhme.

Nuk e di saktë kur mund të vjen në Kosovë, besoj se javën tjetër, ashtu kanë thënë”, ka deklaruar Klinaku.

Gjykata Speciale nuk kishte konfirmuar asnjë vendim, duke thënë se të gjitha vendimet bëhen publike në ndërkohë. Kurse, sipas deklaratës nga bashkëshortja e Nasim Haradinajt, këtij të fundit i është refuzuar lirimi i parakohshëm me kusht.

Gucati e Haradinaj ishin dënuar fillimisht me katër vjet e gjashtë muaj burgim, e më pas Apeli e uli dënimin në 4 vjet e tre muaj.

Çfarë thotë rregullorja?

Në rregulloren për procedura e prova të Gjykatës Speciale, kapitulli 12 flet për vendimin për uljen e dënimit dhe kriteret që duhet të merren parasysh, raporton Nacionale.

Kriteri kryesor është që i burgosuri ta ketë kaluar 2/3 të dënimit, që në rastin e Gucatit kjo është lotësuar. Kurse, kritere të tjera janë sjellja në Qendrën e Paraburgimit, rrethanat personale si gjendja shëndetësore, pesha e veprës penale dhe detaje të tjera.

“Në këtë rishikim, Kryetari merr në shqyrtim: (a) nëse sjellja e personit të burgosur gjatë kohës së burgimit tregon një shkëputje të vërtetë nga vepra penale që ka kryer; (b) nëse personi i burgosur ka treguar shenja rehabilitimi; (c) gjasat e rishoqërizimit dhe riintegrimit të suksesshëm të personit të burgosur; (d) peshën e veprës penale ose të veprave penale për të cilat është shpallur fajtor personi i dënuar; (e) trajtimin e të burgosurve të tjerë në rrethana të ngjashme; (f) nëse lirimi i personit të burgosur do të shkaktonte paqëndrueshmëri shoqërore të konsiderueshme; (g) çdo bashkëpunim thelbësor të personit të burgosur me Prokurorin e Specializuar; (h) ndihmën e dhënë vullnetarisht nga personi i burgosur për të mundësuar zbatimin e aktgjykimeve dhe urdhrave të Dhomave të Specializuara për çështje të tjera dhe veçanërisht dhënien e ndihmës për gjetjen e pasurive objekt i urdhrave për pagim gjobe, konfiskim ose zhdëmtim dhe që mund të përdoren në të mirë të viktimave; (i) çfarëdo veprimi të rëndësishëm të ndërmarrë nga i burgosuri në të mirë të viktimave, si dhe çfarëdo pasoje për viktimat dhe familjet e tyre si rezultat i uljes së dënimit; (j) rrethanat personale të personit të burgosur, ndër të cilat përkeqësimi i gjendjes fizike ose mendore apo mosha e thyer”, thuhet në Rregulloren për Procedura dhe Prova, raporton Nacionale.

Nëse kërkesa për lirim të parakohshëm refuzohet, atëherë kryetarja e Gjykatës Speciale s’trajton kërkesë të tillë për 3 vitet e ardhshme. Në rastin konkret, bazuar në raportime, nëse Nasim Haradinajt nuk i është aprovuar kërkesa, atëherë duhet të kalojnë tri vjet që një gjë e tillë të trajtohet sërish. Gjë që në fakt bëhet e pamundur, pasi deri atëherë Haradinaj potencialisht e përfundon komplet dënimin.

Lajme të ngjashme