Transportoi mbi 500 kilogramë marihuanë në Kosovë, 5 vjet burgim për shtetasin e Shqipërisë
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special e ka dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë shtetasin e Shqipërisë, Adam Nezaj, i akuzuar se kishte transportuar mbi 500 kilogramë marihuanë për në Kosovë.
Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Kurtaj tha se Nezaj është fajtor për veprën penale të ri-cilësuar nga gjykata sipas detyrës zyrtare dhe atë veprën penale në vazhdimësi blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par 2 të KPRK-së, lidhur me nenin 281 par 1 nën par 1.1 e 1.9 të KPRK-së dhe nenin 81 të KPRK-së.
Duke shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 vite, si dhe dënimin me gjobë në lartësi prej 2 mijë e 500 euro, të cilin dënim i akuzuari duhet ta paguajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndërsa, në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, gjykata, do t’ia zëvendësojë me dënim me burgim.
Po ashtu, i akuzuari obligohet të paguajë shumën prej 200 euro në emër të shpenzimeve procedurale dhe shumën prej 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.