“Tradhtarët plumbin e kanë hak” – Manxhuka e Azemi dalin para gjykatës, dyshohen për kanosje të gjyqtarit e prokurorit
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka dhe asamblisti i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, sot janë shfaqur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kjo pas ngritjes së aktakuzës ndaj tyre nën dyshimet për kanosjen e gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu. Krejt pas lirimit të ish-policit Dejan Pantiq, që dyshohej për terrorizëm.
Me të filluar seanca, Manxhuka dhe Azemi u shfaqën pa avokatët e tyre, kjo gjë detyroi gjyqtarin e rastit Arben Hoti që seanca të merr pauzë një orë dhe të kërkojnë nga Oda e Avokatëve të Kosovës avokatë për të pandehurit.
Pas një orë pauze, seanca filloi përsëri dhe gjyqtari konfirmoi se OAK kishte dërguar avokatëve dhe pas kësaj seanca fitoi kushtet për vazhdim.
Në këtë rast asamblisti i VV-së, Egzon Azemi kërkoi nga trupi gjykues përjashtimin e prokurores Fikrije Fejzullahu.
Ai ka thënë se prokurorja në fjalë ka qenë e përfshirë disa herë në proceset që janë akuzuar aktivistët e VV-së.
“Kërkoj përjashtimin e prokurores, unë personalisht nuk e kam njohur paraprakisht as prokuroren as palën kinse të dëmtuar, mirëpo pas intervistimit që kemi pasur nga prokurorja në fjalë edhe vetë gjatë këtij intervistimi, prokurorja ka deklaruar se është përfolur disa herë se ka qenë prokurore në rastet të cilat janë të përfshirë aktivistët e VV-së.” - ka thënë Azemi gjatë seancës.
Prokurorja e shtetit deklaroi se nuk i përket as ta kundërshtoj kërkesën e Azemit, dukeshtuar se vendimin e merr gjykata.
Më pas gjykatësi i rastit njoftoi se pas kërkesës së Azemit, seanca duhet të shtyhet.
Por, çfarë thuhet në aktakuzën ndaj zyrtarëve të VV-së?
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukes, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelaj të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “kanosja”dhe “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022 duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.
Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.
Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KRPK-së.
Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.
“Ashtu që i pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehurti Zenalaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.” - thuhet në aktakuzë.
Me këtë secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.