Tjetër konkurs për teknik të makinerisë në KEK: A do të provojë "me bo diçka” deputeti Thaçi? - NACIONALE

Tjetër konkurs për teknik të makinerisë në KEK: A do të provojë "me bo diçka” deputeti Thaçi?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur një konkurs të ri. Pozita mbetet e njëjtë: teknik i makinerisë. Megjithatë, për shkak të jotransparencës absolute nga ky institucion, nuk dihet nëse konkursi i njëjtë i shpallur në nëntor të vitit 2023 është anuluar. Nacionale pati publikuar biseda të cilat shpërfaqnin tendencën e deputetit të VV-së, Halil Thaçi, për të ndërhyrë në atë proces.

Në muaji nëntor të vitit të kaluar, KEK-u shpalli një konkurs. Aty kërkoheshin 130 teknikë të makinerisë. Megjithatë, pa asnjë njoftim, pa transparencë, dhe pa i kthyer përgjigje Nacionales për ditë të tëra se çfarë ka ndodhur me atë shpallje, Korporata Energjetike e Kosovës tash ka shpallur konkurs të ri për pozitën e njëjtë.

Konkursi u publikua me datë 12 janar dhe mbetet i hapur deri më 29 janar. Në konkursin e ri po kërkohen 90 teknikë të makinerisë. Sërish, pa u ditur nëse konkursi paraprak është anuluar. Nacionale i ishte drejtuar KEK-ut me pyetje kohë më parë për të kuptuar detaje rreth procesit, megjithatë përgjigje nuk pati.

Nuk dihet nëse konkursi paraprak është anuluar, megjithatë ajo që dihet është se eksponentë të rëndësishëm në Vetëvendosje patën kritika për mënyrën e testimit të aplikuesve në konkursin e muajit nëntor. Nacionale pati publikuar fotografi të bisedave të deputetit të VV-së, Halil Thaçi, i cili i shkruante ministres Artane Rizvanolli dhe anëtarëve të bordit në KEK për konkursin e njëjtë.

Madje, në disa biseda me disa persona që dukeshin të jenë aplikues, ka tendencë që deputeti Thaçi të ndërhynte në punësime. Njëri prej tyre i thotë: “veç ti n’mujsh me ba diçka”.

Punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës gjithmonë janë shoqëruar me dilema për ndërhyrje brutale në punësime. Njëjtë kishte ndodhur muaj më parë kur konkursi i shpallur ishte anuluar, dhe Prokuroria kishte nisur hetimet. Kjo pasi shumica e personave të pranuar ishin përkrahës e aktivistë të Vetëvendosjes, e dikush edhe i afërt pikërisht me deputetin e VV-së, Halil Thaçi.

Bisedat e zbuluara nga Nacionale

Seancën e para disa javësh ku po diskutohej buxheti i vitit 2024 në lexim të dytë, deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, e kishte shfrytëzuar edhe për diçka tjetër. Ai është parë teksa komunikonte me disa kandidatë që kanë aplikuar në konkursin e KEK-ut për teknik të makinerisë. Një konkurs ku u kërkuan 130 punëtorë. Ai ankesat e tij ia drejton edhe ministres Artane Rizvanolli.

Në bisedat që i ka siguruar Nacionale nga pjesa e sipërme e Kuvendit, deputeti Thaçi shihet teksa komunikon me ministren Artane Rizvanolli. Asaj ia shpreh shqetësimin pse pyetjet e testit në këtë konkurs janë të nivelit master, e jo të shkollës e mesme siç kërkohet.

“Përshëndetje ministre! Është e pa drejt me çfar pytje jan tu i testu puntoret me kualifikim te mesëm ne kek sot, nuk eshte as për bahqelor, është master. Krejt këto pyetje...”, thuhet në mesazhin që deputeti Thaçi ia dërgon ministres Rizvanolli, në fotografinë që e ka siguruar Nacionale.

Pyetjen e njëjtë, deputeti i VV-së në një fotografi tjetër duket se ia ka dërguar edhe anëtarit të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arton Ahmeti.

Krejt ky shqetësim i Thaçit, erdhi pas disa komunikimeve që ai pati me disa persona. Njëri prej tyre është Bekim Merlaku. Këtë të fundit, deputeti i VV-së e pyet se sa pikë i ka marrë në test, ai ia kthen se ka dështuar, por shpreson që deputeti mund t’i ndihmojë.

“Bek qa bone”, ishte pyetja e Thaçit. “Sen hiq me te vjetra, ti a je mire. Mujsh ti me ba najsen se ktu smujti me kalu hiq”, ia ktheu qytetari Merlaku. “Sa pik i ke ba Bek”, e pyet deputeti sërish. “37” ia kthen ai.

Deputeti Thaçi është parë teksa komunikon me një tjetër aplikues në konkursin në KEK. Avni Bulliqi i ankohet deputetit se gjatë testimit nuk ia kanë lejuar telefonin. “Sja kena nis hala se spo ta lashin telin hiq. Qa bane Halil. Se di Halil qa kishin ba me test, krejt veq me figura testi. Se besoj si ka me kalu...test”

Pasi pranon këto mesazhe, Thaçi duket se më pas i shkruan ministres Rizvanolli dhe anëtarit të bordit Arton Ahmeti. Më pas, se iu ka shkruar këtyre personave, Thaçi ia konfirmon dikujt në telefon.

“Ju shkruva krejteve. Edhe Artanes edhe Milotit. Pyetje te masterit pozitave me shkoll të mesme”, i thotë Thaçi një tjetër personi në facebook.

“Poooo, valla. I destinum me i rrxu njerëzit. Qe edhe Behari ra”, ia ktheu ai. Për këtë temë, deputeti shihet të ketë komunikuar në WhatsApp me një qytetar me inicialet B.L.

“Ata qytetarët mu kanë drejtuar mu, që janë banorë të komunës së Obiliqit, dhe sipas tyre testi ka qenë shumë i vështirë. Kuptohet që ata më njohin si deputet, edhe qekjo pyetje ka qenë edhe për mua”, thotë fillimisht deputeti i VV-së.

Kur Nacionale e pyeti pse i është drejtuar me mesazhe ministres Artane Rizvanolli, deputeti fillimisht e mohon. Pasi Nacionale ia lexon komplet bisedën, ai thotë se “ka mundësi”.

“Nuk besoj që i jam drejtuar ministres, nashta kam folur me njerëz të ndryshëm, por jo ministres. Shiqo ti, qysh e pate emrin, se jam tu hangër bukë. Unë nuk po di, nuk besoj që e kam pyet ministren, kam shkruar me njerëz që e kishin hallin ata, edhe nuk iu kam drejtuar, nuk besoj që i jam drejtuar ministres, po e kontrolloj telefonin”, tha deputeti.

E pasi e pranon që i ka shkruar ministres së Ekonomisë, ai thotë se është e padrejtë të mos punësohen qytetarët e Obiliqit.

“Ka mundësi. Shiqo, unë si njoh anëtarët e komisionit, as nuk e njoh menaxhmentin, e njoh ministren. Unë luftoj për të drejtat e banorëve të Obiliqit, është e padrejtë banorët e Obliqit mos me u punësu në KEK, edhe kanë me u punësu në KEK. Kanë me u punësu, por jo me pyetje për pozita me shkollim të mesëm, me pyetje për Master, këtë nuk e fshehi”, tha ai.

Thaçi foli edhe për mesazhin që ia drejtoi anëtarit të Bordit në KEK, Arton Ahmeti. Pak e përmendi edhe Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

“O ti djalë, mos mi pshtjell fjalët, unë thashë nuk e njoh asnjë anëtarë të komisionit jo të bordit, të jemi të qartë. Unë të thashë nuk e njoh asnjë anëtarë të komisionit, e njoh anëtarin e bordit, se une avokoj për të drejtat e qytetarëve të Obiliqit, që janë mësuar prej Mitrovicës, prej Broboniqit të Kadri Veselit, me i pru me kamiona, e Hashim Thaçi prej Brojës, me i punësu në KEK pa konkurs, e tash kur po vjen koha me u punësu qytetarët e Obiliqit, njerëz me shkollim të mesëm i pyesin për pyetje të Masterit. Ky është shqetësim i imi”, tha Thaçi.

E kur u pyet pse i ka pyetur aplikuesit sa pikë i kanë marrë, dhe për fjalët “n’mujsh ti me ba najsen”, deputeti tha se qytetarët i janë ankuar.

“A i njeh? Po i njoh qysh jo. Po, qashtu është. Ai vet më ka ankuar o ti”, deklaroi Halil Thaçi, duke shtuar se do ta padisë Nacionalen nëse e publikon tekstin.

Në bisedat e kapura nga Nacionale, deputeti i VV-së i akuzon disa zyrtarë për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Për këtë, Nacionale pati raportuar se Thaçi do të ftohej për intervistim nga Prokuroria.

Lajme të ngjashme