Tetë vjet nga vdekja e Deharit në burgun e Prizrenit, katër vjet qeveri Kurti: Rezultati zero
Rrafsh 8 vjet më parë, një aktivist i Vetëvendosjes deri në atë kohë jo fort i njohur për publikun me emrin Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij ku po mbahej në paraburgim në Prizren. Ishte 26-vjeçar. Po akuzohej – bashkë me pesë aktivistë tjerë të partisë – për gjuajtjen e Kuvendit të Kosovës me zollë. Që nga atëherë shumë spekulime, shumë zhurmë, rezultati zero.
Kryetministri i Kosovës Albin Kurti i cili në pozicionin më të rëndësishëm të shtetit ndodhet tash e katër vjet, në tetë vjetorin e vdekjes së aktivistit të partisë ku ai është lider, vazhdon ta quaj “mbytje” vdekjen (e dyshimt, pa epilog) të Deharit.
“E kjo goditje tejet e rëndë vazhdon edhe pas tetë vjetëve në një formë tjetër nëpërmjet drejtësisë që mungon. Në këto tetë vjet katër prokurorë e kishin rastin e mbytjes në burgun e Prizrenit të Astrit Deharit por që të katërtit ata dolën në pension pa e kryer punën.” – ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Tutje Kurti u shpreh se si Qeveri janë të gatshëm e të vullnetshëm që ta ndihmojnë prokuorinë, anipse paraprakisht ai i jep “epilog” çështjes.
Edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kompetencë e së cilës është Instituti i Mjeksisë Ligjore, aty ku u dogjën një pjesë e provave për rastin Dehari, ka kërkuar drejtësi për aktivistin.
“Drejtësia për Astritin është përgjegjësi morale dhe obligim institucional. Drejtësia për Astritin është një zë i ndërgjegjes kolektive, përveçse obligim ligjor, që kërkon ndriçimin e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësisë, e cila arrihet përmes vullnetit dhe punës së parreshtur të prokurorisë.” – shkroi Haxhiu.
Ndryshe Haxhiu ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale për rastin Dehari.
Djegia e IML-së
Ishte dhjetori I vitit 2022 kur ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu e kishte njoftuar opinionin publik se ishin zhdukur disa mostra të Astrit Deharit nga Instituti Mjeko-Ligjor. Tashmë po bëhet gati një vit prej që u dha ky lajmërim, e gjërat janë bërë vazhdimisht e më të përçudshme.
Katër zyrtarë të Institutit Mjeko-Ligjor ishin suspenduar nga puna. E të njëjtit, më vonë ishin rikthyer në punë.
Albin Kurti – kryeministri i Kosovës – kishte heshtur për këtë skandal. E gjithë kjo po ndodhte derisa Kurti me të tijët ishin në pushtet. Përgjegjësia s’i mbeti askujt.
Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjor i kishte dërguar letër ministres Albulena Haxhiu rreth tetë muaj para se të kuptohej për zhdukjen e mostrave duke i treguar për ndërhyrjen e këshilltares së saj, Nazlie Balës, në punën e këtij institucioni.
“Ne e kemi parasysh që është në diskrecionin tuaj se kë e emëroni këshilltar, mirëpo për neve është e papranueshme që proceset e IML-së të jenë komplet të dirigjuara nga këshilltarja juaj politike, znj. Nazlie Bala.” – shkruhej mes tjerash në atë letër.
Kthimi në punë e avancimi
S’kaloi shumë e zyrtarët u kthyen në punë. kjo pas një vendimi të Komisionit të Ankesave, i cili kishte vlerësuar se ka pasur shkelje në vendimin për suspendim.
E pak muaj pasi i kthyen në punë të suspenduarit për rastin Dehari, dy nga zyrtaret e Komisionit të Ankesave që morën këtë vendim, janë avancuar në pozita. Këtë gazeta Nacionale ka konfirmuar nga disa burime brenda Instituti të Mjekësisë Ligjore, dhe një Emaili që iu ka shtuar gjithë stafit nga Ditor Haliti që është zv/drejtor i IML-së.
Valdete Ejupi që ka qenë kryesuese e komisionit i cili i riktheu në punë të suspenduarit e rastit Dehari, kohë më parë nga zyrtare për financa ishe emëruar zv/udhëheqëse e departamentit për administratë. Me vendimin e ri Ejupi është avancuar sërish. Tashmë në pozitën e zv/drejtoreshës së divizionit për mbështetje mjeko-ligjore.
Kurse, anëtarja e atij komisioni Bergita Curri nga eksperte e mjekësisë ligjore, me vendimin e ri është avancuar në pozitën e zv/drejtoreshës në Divizionin për Cilësi. Kjo, pak muaj pasi komisioni ku Curri ishte anëtare, i kishte kthyer në punë të suspenduarit lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Raportet pa licencë
Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë në IML, Flutura Goga, ka lëshuar raporte toksikologjike pa licencë. Tash, Prokuroria, pas kallëzimit penal nga Goga, po merret me rrjedhjen e informacioneve, dokumenteve dhe zbulimin e burimit nga ku kanë dalë informacionet.
Pas publikimit të dokumenteve nga gazeta Nacionale ku vërtetohet se Goga po lëshon raporte toksikologjike pa licencë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka pasur reagime të mëdha. Nacionale ka mësuar se Goga ka ushtruar një kallëzim penal në Prokurori lidhur me rrjedhjen e dokumenteve.
Se ka hetime për rrjedhjen e informacioneve është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Megjithatë, këta të fundit nuk kanë pranuar të ofrojnë asnjë detaj dhe përgjigje të detajuar ashtu siç ka kërkuar gazeta.
“Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se për këtë çështje janë duke u zhvilluar hetime, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë.