SKANDAL: Sindikata e IML-së alarmonte për ndërhyrjet e këshilltares së Haxhiut 8 muaj para se të zhdukeshin mostrat e Deharit - NACIONALE

SKANDAL: Sindikata e IML-së alarmonte për ndërhyrjet e këshilltares së Haxhiut 8 muaj para se të zhdukeshin mostrat e Deharit

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka disa javë që është bërë temë diskutimi. Kjo pas zhdukjes së disa mostrave të ish-aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, nga Laboratori i Toksikologjisë. E në këtë institucion tash po alarmohet për ndërhyrje flagrante politike nga kabineti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Sindikata e IML-së qysh para tetë muajve e kishte paralajmëruar Haxhiun për intervenimet e këshilltares politike të saj, Nazlie Bala. Gazeta Nacionale ju sjell hollësi ekskluzive të përmbajtjes së kësaj letre.

Në majin e vitit 2022, në emalin zyrtar të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte shkuar një letër me tri faqe e me plot ankesa për këshilltaren e saj politike, Nazlie Bala. Kishte qenë Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila ministres Haxhiu i kishte rrëfyer për ndërhyrjen e këshilltares së saj, Nazlie Bala, në punën e këtij institucioni. Madje kjo sindikatë kishte shkruar se Bala po e dirigjon komplet punën në IML.

Ne e kemi parasysh së është në diskrecionin tuaj se kë e emëroni këshilltar, mirëpo për neve është e papranueshme që proceset e IML-së të jenë komplet të dirigjuara nga këshilltarja juaj politike, znj. Nazlie Bala. Ne nuk e kontestojmë ndihmën që mund t'ju ofrojë juve si këshilltare politike dhe kjo nuk është ne interesin tonë...”- thuhet në letrën që Sindikata e IML-së ia kishte dërguar Haxhiut.

Nga kjo Sindikatë kanë alarmuar, po ashtu, se këshilltarja Bala po abuzon me autorizimet që ajo i ka, duke thënë se e konsideron veten “eksperte” në shumë punë që lidhen me Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Përzierja, ushtrimi i ndikimit politik në mbarëvajtjen e punëve në IML, duke abuzuar me autorizimet që ka dhe kjo ndoshta nuk do të shkaktonte probleme të mëdha, sikur zonja në fjalë mos të përfitonte personalisht, pasi këtu kemi të bëjmë, përveç tjerash, edhe me nepotizëm, si dhe sjellja e saj autoritare, abuzuese, kërcënuese dhe arrogante që nuk ndodh në asnjë vend normal, ndërsa vërehet qartë, fatkeqësisht, se ka probleme bazike me çështje qe ajo thirret si njohëse e të gjitha çështjeve (eksperte)”- thuhet tutje në letrën e Sindikatës, të cilën Nacionale e ka siguruar.

Për këshilltaren Nazlie Bala, kjo sindikatë ka ofruar edhe disa të dhëna tjera. Në letër thuhet se edhe deklarimet për medie nga zonja Bala sa i përket punës së Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë qenë kontradiktore.

Gjithashtu, ekzistojnë dëshmi se gjatë prononcimeve publike të znj. Bala lidhur me IML-në, ajo të ketë dhënë deklarata kontradiktore me realitetin (të pavërteta), si dhe kërkesat që zyrtarët e IML-së i kanë pasur për t’u takuar me Juve, janë adresuar te znj. Bala e që kanë rezultuar të dështuara, ngase nuk ka treguar qasje korrekte dhe te paanshme dhe është vërejtur një tendencë diskriminuese, duke i përkrahur individët që vetëm e mundësojnë rrjedhën e projektit IPA2, duke i arsyetuar mjetet e shpenzuara dhe në të vërtetë kanë krijuar kaos të paparë, që në shumicën e rasteve kanë rezultuar në kundërshtim me dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës”- thuhet në letër.

Përmenden dy prononcime të zonjës Bala nga kjo sindikatë e të cilat, sipas sindikalistëve, janë të pavërteta.

Deklarim i pavërtetë dhe në dëm të IML-se në lidhje me akreditimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Republikës të Maqedonisë së Veriut, ku znj. Bala në media publikisht deklaron se "janë të akredituar”, ndërsa kur pyetet personi përgjegjës i këtij institucioni, e mohon kategorikisht akreditimin. (E posedojmë incizimin) -Vlen të theksohet se ky institucion ende nuk figuron në listën e trupave të akredituar në Agjencinë e Akreditimit të Maqedonisë, pra edhe tash, kur po ju shkruajmë, nuk është i akredituar”- thuhet tutje në letër.

Sindikata me ankesa edhe për Flutura Goga Bajramin

Në majin e vitit të kaluar, Sindikata e Punëtorëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë e kishte paralajmëruar Haxhiun, po ashtu, edhe për punën e Flutura Goga Bajramit si shefe e Laboratorit të Toksikologjisë.

Gjithashtu e emëruara nga ana juaj si zëvendës e Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së, znj. Flutura Goga-Bajrami e cila fillimisht është punësuar si teknik i laboratorit, pastaj pa përvojë menaxhuese dhe me pa snjë resultat në punë, me më pak se një vitë përvojë pune në IML nga teknik e laboratorit emërohet në Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, një pozitë joegzistuese në IML e mundësuar nga abuzimi dhe detyra zyrtare nga zyrtarët e MD,”- thuhet në letër,”- thuhet tutje në letër.

Gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht të martën se si për gati 15 vjet, Flutura Goga Bajrami është në krye të laboratorit të Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Goga Bajrami, që ishte njëra nga të suspenduarat lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, gjatë gjithë kësaj kohe po del se ka kryer punë të cilat nuk i janë lejuar sipas Ligjit për Shëndetësi.

Kjo është gjetur nga një raport të cilin e ka bërë Inspektorati Shëndetësor që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Raporti që e mban datën e 13 janarit 2023, ka gjetur se Flutura Goga Bajrami, përgjatë kohës që ka punuar në këtë laborator, ka përpunuar gjak e urinë të personave të gjallë.

Flutura Goga Bajrami ishte përzgjedhur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe si drejtoreshë e tërë Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndodhi kjo një ditë para se të zhdukeshin mostrat e Astrit Deharit.

Sindikata kishte kërkuar takim me ministren Haxhiu

Për t’u bërë puna siç duhet në IML, nga sindikata i kanë kërkuar Haxhiut që t’i largojë nga puna të gjithë ata zyrtarë që kanë bërë shkelje. Në të kundërtën, në letër thuhet se do të njoftohen edhe institucionet e tjera vendore apo ndërkombëtare për shkeljet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Ne kërkojmë që të largohen nga pozitat udhëheqëse të gjithë zyrtarët që kanë bërë shkelje, zhvatje të parasë publike, keqpërdorime të ndryshme, duke filluar nga punësimet, avancimet, falsifikimet etj., dhe të kërkohet që t’u lejohet kryerja e punëve organeve të cilat do të duhej të merreshin me këto çështje, të ndalet kërcënimi, shantazhi dhe ulja e dinjitetit që po na bëhet. Në të kundërtën, ne do të detyrohemi që të gjitha këto dhe më shumë, t’i dërgojmë të gjitha në institucionet vendore dhe gjithsesi në ato ndërkombëtare”- thuhet në letër.

E para se kjo letër të dërgohej në emailin e ministres Haxhiu, Sindikata e IML-së kishte kërkuar edhe takim me të, por, deri në momentin e dërgimit të emailit, takimin nuk e kishte pasur.

“..... ne nuk shantazhohemi e as nuk shantazhojmë, ne nuk bëjmë marrëveshje me këdo qoftë, ne të vetmen marrëveshje e kemi me kolegët tanë sindikalist që i përfaqësojmë dhe do te momentin e realizmit te te drejtave tona dhe jemi të gjithë bashkë në qellimet tona, mbi 90% e zyrtarëve të IML-se”, -përfundon emaili.

Nacionale ka provuar që ta kontaktojë zonjën Bala, mirëpo e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjeve deri në këtë moment.

Lajme të ngjashme