Tash për Masakrën e Reçakut: Vazhdon përplasja Albulena Haxhiu vs Këshilli Prokurorial - NACIONALE

Tash për Masakrën e Reçakut: Vazhdon përplasja Albulena Haxhiu vs Këshilli Prokurorial

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

15 janari e shënoi përvjetorin e 24-të të masakrës e cila e mobilizoi botën se në Kosovë kishin nisur të kryheshin krime kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut ndoshta e shënon datën më të dhimbshme për popullin e Kosovës, sepse 24 vjet më parë, aty u masakruan 45 civilë. Masakra e Reçakut gjithashtu ishte pikë kthese sa i përket pozicionimit ndërkombëtar në lidhje me ngjarjet që po ndodhnin në Kosovë.

Tash kur kanë kaluar 24 vjet, dy institucione të Republikës së Kosovës po përplasen keq pikërisht për Reçakun e për masakrën që ka ndodhur në këtë vend.

Vetëm një ditë pas shënimit të përvjetorit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ngurroi që ta drejtonte gishtin nga një institucion konkret për mosndëshkimin e kriminelëve të Masakrës së Reçakut. Madje ajo fajtorit i la edhe një emër të përveçëm.

Institucioni fajtor, sipas Haxhiut, është Këshilli Prokurorial i Kosovës, e emri i përveçëm me faj, sipas Haxhiut, është ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

KPK-ja nuk qëndroi duarkryq dhe në mëngjesin e 17 janarit, i reagoi ashpër Haxhiut. Ata i quajtën të pavërteta deklarimet e Haxhiut, duke ofruar shifra.

Përplasja, pretendimet, shifrat:

“Mosvullnet e as interesim për trajtim serioz të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial i Kosovës me në krye ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezi”- e quajti ministrja Haxhiu mungesën e dënimeve për përgjegjësit e Masakrës së Reçakut.

Këshilli Prokurorial kësaj akuze të ministres iu përgjigj, duke thënë se është e pavërtetë deklarata e Haxhiut e duke shtuar se, në fakt, ky organ kishte caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës. Po ashtu, në mbështetje të këtij departamenti, sipas KPK-së, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy zyrtarë ligjorë.

“Deklarata e Ministres Haxhiu nuk është e vërtetë, sepse Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Për të mbështetur këtë departament, po ashtu, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy zyrtarë ligjorë” – thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial.

Kurse sa i përket akuzës së ministres se fajtori kryesor për këtë “mosveprim” është ish-kryeprokurori Lumezi, KPK-ja ka paraqitur shifra, duke provuar që ta dëshmojë të kundërtën.

“E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës”- thuhet aty.

Përplasja për Lumezin e KPK-në, në përgjithësi, ka vazhduar një hap më tutje, kur ministrja ka radhitur disa pyetje shpotitëse në drejtim të Këshillit e vetë Lumezit.

“A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim? A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK?

A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?” – shkroi Haxhiu

Këshilli krejt këto akuza, në formë të pyetjeve, i ka quajtur margjinalizim të të arriturave shtetërore e tendencë, sipas këtij institucioni, për të mos i njohur të arriturat institucionale, të cilave u printe Lumezi.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart angazhimin dhe gatishmërinë profesionale të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në forcimin e Prokurorit të Shtetit si një institucioni i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t'u ballafaquar me rastet me të rënda në Republikën e Kosovës, të cilat deri në vitin 2015 ishin në kompetencë të EULEX-it. Prandaj, çfarëdo tendence për të mos njohur të arriturat institucionale nënkupton margjinalizim të të arriturave shtetërore” – vazhdon demanti i Këshillit Prokurorial ndaj ministres.

Kujtojmë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ministria në përgjithësi janë duke u përplasur me Këshillin Prokurorial pothuajse për secilën temë që lidhet me drejtësinë.

Akuza që nuk u punua sa e si duhet nga Këshilli Prokurorial, vijnë vazhdimisht nga ministrja, e reagimet e ashpra, madje duke ia përmendur emrin vetë ministres, vazhdimisht janë përgjigjja e KPK-së.

Vetingu, Ligji për Këshillin Prokurorial, Zgjedhja e Kryeprokurorit e disa tema të tjera ishin deri tash arsye për përplasjet publike ndërmjet ministrisë e këtij këshilli.

Përplasja për Masakrën e Reçakut mbase është tema më e ndjeshme deri tash që i ka përplasur këto dy institucione.

Lajme të ngjashme