“Takim vetëm me babain dhe dy familjarë tjerë” – Me çfarë kushte ia lejoi Specialja vizitën Thaçit në Kosovë? - NACIONALE

“Takim vetëm me babain dhe dy familjarë tjerë” – Me çfarë kushte ia lejoi Specialja vizitën Thaçit në Kosovë?

6 muaj më parë

nga Besian Beha

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, brenda pak javëve erdhi për herën e dytë në Kosovë para pak ditësh. Sërish për arsye humanitare. Kjo pasi gjendja shëndetësore e babait të tij nuk ishte e mirë. Por, në cilat kushte Gjykata Speciale e Hagës ia lejoi vizitën Thaçit? Nacionale sjell detaje.

Gjatë vizitës në spital, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të kishte të drejtë të takonte vetëm tre persona. Babain e tij në gjendje jo të mirë shëndetësore, dhe dy familjarë të tjerë. Vetëm në këto kushte Gjykata Speciale e Hagës ia aprovoi kërkesën për të ardhur në Kosovë ish-presidentit të Kosovës për arsye humanitare.

Në një parashtrim të Zyrës së Sekretarit në Hagë, ata shprehen të gatshëm ta realizojnë vizitën por vetëm me kushte strikte, raporton Nacionale.

“Shefi i kujdestarisë mund të organizojë që z. Thaçi të transportohet në mënyrë të sigurt për në dhe nga spitali në Prishtinë për një vizitë të kujdestarisë personale me babain e tij, nëse urdhërohet nga Paneli. Të marrë çdo vendim në lidhje me vizitën e ruajtjes në bazë të shqetësimeve operative dhe të sigurisë, duke përfshirë ndërprerjen e vizitës. Për arsye operative dhe sigurie, z.Thaçi duhet të lejohet të vizitojë në spital vetëm babain e tij dhe maksimumi dy (2) anëtarë të familjes së ngushtë”, thuhet në këtë dokument që e ka parë Nacionale.

E pas spitalit, Thaçi kërkoi të shkonte për ta vizituar edhe nënën në shtëpinë e tij në Burojë të Skënderajt. Edhe aty u kërkua që përveç nënës, maksimumi të takonte edhe dy anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë.

“Zyrtari kryesor i kujdestarisë mund të organizojë që Thaçi të transportohet në mënyrë të sigurt nga spitali në banesën e nënës së tij për një vizitë personale në kujdestari. Duke marrë parasysh [REDAKTUAR], rekomandohet që vizita të bëhet vetëm me nënën e z.Thaçi dhe dy anëtarët e ngushtë të familjes”, thuhet më tutje në këtë parashtrim.

E këto kërkesë të Sekretarit të Speciales, më pas u miratuan nga trupi gjykues. Kjo pavarësisht kërkesës së mbrojtjes së Thaçit që ish-presidenti i Kosovës të qëndronte në Kosovë për 3 ditë.

“Kjo vizitë është e realizueshme duke kuptuar se vendbanimi do të lirohet nga të gjithë personat e paautorizuar, se z. Thaçi do të qëndrojë gjatë gjithë kohës në paraburgim të Dhomave të Specializuara dhe nën përcjellje, dhe se shefi i kujdestarisë mund të marrë çdo vendim të nevojshëm, kjo edhe në lidhje me vizitën e ruajtjes në bazë të shqetësimeve operacionale dhe të sigurisë, duke përfshirë ndërprerjen e vizitës”, thuhet në këtë parashtrim.

Kjo zyrë kërkonte nga trupi gjykues të urdhëronte që vizita të mbahej krejtësisht sekrete.

“Përveç kësaj, fshehtësia e çdo vizite në kujdestari është parësore. Nëse Paneli urdhërojë transferimin e përkohshëm të z. Thaçi për një vizitë kujdestarie në Kosovë, Sekretari kërkon nga Paneli të urdhërojë kushtet e fshehtësisë në lidhje me praninë e z territorin e Kosovës. Në mënyrë të veçantë, Sekretari kërkon nga Paneli që të urdhërojë mbrojtjen, Z. Thaçi, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij të përmbahen nga publikimi deklaratat dhe ruajtja e fshehtësisë në lidhje me praninë e tij në territorin e Kosovës”, përfundon parashtrimi.

Kjo është vizita e dytë e Thaçit në Kosovë që nga dërgimi në Hagë. E para gjithashtu ishte për arsye humanitare, për ta vizituar nënën në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Thaçi bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, që nga nëntori i vitit 2020 po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale e Hagës.

Lajme të ngjashme