Specialja s’e pranoi me kohë kërkesën – Si mbeti Nasim Haradinaj pa ardhur në Kosovë për varrimin e vëllait
Në varrimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Agron Haradinaj, nuk ishte një nga personat më të rëndësishëm në jetën e tij. Nasim Haradinaj nuk ishte fizikisht prezentë. Megjithatë e përcolli varrimin nëpërmjet lidhjes me Skype. Kjo pasi ardhja e tij në Kosovë për varrimin e vëllait ishte e pamundur.
Pasi Haradinaj po mbahet në Hagë si i dënuar nga Gjykata Speciale, atij nuk iu mundësua të jetë pjesëmarrës në varrimin e vëllait. Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka bërë të ditur për gazetën Nacionale se kërkesa për të marrë pjesë në varrim, nuk ishte pranuar në kohë nga Gjykata Speciale.
”Menjëherë bëra një kërkesë në Dhomat e Specializuara për lirim të përkohshëm për arsye dhembshurie për të marrë pjesë në varrim dhe për të marrë pjesë në periudhën e zisë treditore. Një kërkesë e mëtejshme u dorëzua pasi u bë e ditur se varrimi ishte caktuar për të dielën më 5 mars 2023. Me keqardhje të thellë dhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi m'u desh të informoja familjen se kërkesa nuk ishte pranuar në kohë për z. Haradinaj për të marrë pjesë në varrim”, ka thënë avokati Cadman për gazetën Nacionale.

Pasi nuk iu mundësua ardhja për varrim, Nasim Haradinaj nuk pranoi që të sillet në Kosovë më vonë. Si rezultat, hoqi dorë nga kjo kërkesë.
“Nuk mund të hyj në detaje pasi kërkesat dhe përgjigjet janë konfidenciale në këtë fazë, por mund të konfirmoj pavarësisht kërkesave tona në kohë z. Haradinajt nuk i është dhënë leja dhe ai ka marrë vendimin shumë të vështirë për të tërhequr kërkesën për ndonjë miratim të mëvonshëm për të vizituar varrin dhe për të vajtuar me familjen e tij pasi për të ishte e rëndësishme të merrte pjesë në varrimin e vëllait të tij dhe atij i është mohuar kjo e drejtë”, deklaroi më tutje avokati Cadman.
Ngjashëm sikur leja për pjesëmarrjen në varrim, Gjykata Speciale nuk ia kishte mundësuar as vizitën në Gjermani ku Agron Haradinaj po trajtohej në spital. Kjo pavarësisht se gjendja e Haradinajt ishte tejet e rënduar.
“Siç do të jeni në dijeni, ne kemi aplikuar për z. Nasim Haradinaj për ta vizituar vëllanë e tij në Gjermani kohë më parë pasi besuam se ishte në gjendje kritike. Kjo kërkesë nuk u miratua nga Dhomat e Specializuara për shkak të dokumentacionit të pamjaftueshëm nga spitali dhe se kërkohej pëlqimi i autoriteteve gjermane, gjë që mund të supozojmë se nuk u dha”, deklaroi avokati i Nasim Haradinajt për Nacionalen.
Agron Haradinaj, vëllai i Nasim Haradinajt, është varrosur të dielën.
Arsyetimi i Gjykatës Speciale
Për gjithë këtë situatë, Gjykata Speciale nuk ka pranuar të ofrojë shumë informacion. Specialja për Nacionalen ka theksuar se ka kornizë ligjore që mundëson kërkesat e tilla, por që më pas vendimi merret nga trupi gjykues.
“Sa i përket pyetjes suaj, ajo që mund t'ju them në këtë pikë është se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t'i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për këto kërkesa. Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit”, thuhet në përgjigjen e gazetës Nacionale.
Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Speciale s’e lejon pjesëmarrjen e të akuzuarve nëpër varrimet e personave më të dashur. Njëjtë kishte ndodhur edhe me Kadri Veselin e Hysni Gucatin. Të dyve, vizitat iu ishin lejuar tek pas varrimit, dhe duke mundësuar të takojnë vetëm disa persona të familjes, e jo pjesëmarrjen në ceremoninë mortore.
Agron Haradinaj ishte luftëtar i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në varrimin e tij morën pjesë liderë institucionalë e të partive politike në Kosovë.
Ai ishte duke u trajtuar në Gjermani si pasojë e një sëmundje të rëndë.


