Avokati: Nasim Haradinaj nuk e pengoi drejtësinë, Prokuroria s’ka prova
Për të tretën ditë me radhë ka vazhduar në Hagë, dhënia e fjalëve përfundimtare në gjykimin ndaj krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Toby Cadman, avokat i Haradinajt, ka thënë se Prokuroria nuk ka prova për ta dënuar klientin e tij. Sipas avokatit, nënkryetari i veteranëve, asnjëherë nuk e ka penguar drejtësinë.
“Pavarësisht nga përceptimet gjatë gjithë gjykimit, gjykata përfaqëson popullin e Kosovës dhe të gjitha viktimat dhe trupi gjykues duhet të ketë parasysh këtë. Haradinaj e ka kritikuar qasjen mono-etnike të drejtësisë”, u shpreh fillimisht avokati i Haradinajt.
Cadman iu përgjigj Prokurorisë edhe në akuzat se Nasim Haradinaj, ka zbuluar emrat e disa prej dëshmitarëve, kur kishte publikuar dosjet në vitin 2020.
“Haradinaj nuk ka përmendur emra të dëshmitarëve të mbrojtur. Ai ka përmendur vetëm emra që kanë qenë persona publikë e që përfshijnë zyrtarë të lartë serbë, dhe bashkëpunimin e tyre me Gjykatën Speciale”, deklaroi mbrojtësi i Haradinajt.
Avokati i nënkryetarit të OVL-UÇK-së, e ka përsëritur qëndrimin se ata e kanë orientuar mbrojtjen drejt interesit publik, si arsye për publikimin e këtyre dosjeve.

Sipas Cadman, është tejet me rëndësi të hetohet edhe fakti se si shkuan ato dosje në zyrat e veteranëve.
“Duke trajtuar rrjedhjen e informacioneve ZPS-ja e ka mbajtur të fshehtë hetimin për to, kurse këto për ne janë aspekte themelore sepse lidhen drejpërdrejt me një gjykim të drejtë ose jo të Haradinajt”, deklaroi avokati.
“ZPS nuk kishte ndërmarrë asnjë hap, për të marrë vesh se kush ishte shoferi që i dërgonte dokumentet në OVL-UÇK. Kjo është tregues se kemi të bëjmë me një dështim të plotë hetimor të ZPS-së në këtë proces. Zinxhiri i ruajtjes së dokumenteve është i mangët, nuk e dimë a janë dokumente origjinale apo janë bërë kopje, a janë vulosur etj”, deklaroi Toby Cadman.
Sipas tij, Haradinaj është shprehur qartë se të gjithë që kanë kryer krime duhet të ndiqen penalisht, pavarësisht se kush janë.
“Kur ai u bë nënkryetar bashkë me Gucatin si kryetar, e bëri të qartë një gjë, ata persona që thirreshin nga ZPS duhet të bashkëpunonin, kjo ndryshoi pozicionin e mëparshëm që kishte OVL, ata duhet të bashkëpunojnë sepse s’ka asgjë për të fshehur apo pasur frikë. Këtë ka thënë ai në deklaratën e tij”, ka thënë Cadman.
Një pjesë të fjalës përfundimtare e ka vazhduar sot edhe avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Ai renditi disa arsye, pse Gucati duhet të shpallet i pafajshëm.
“Synimi i deklaruar i Gucatit ka qenë të ekspozojë bashkëpunimin që ka ekzistuar mes ZPS dhe Serbisë. Gjatë gjithë kohës së aktakuzës ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që synimi i tij ka qenë për të frikësuar dëshmitarët dhe e ka cilësuar si klishe dhe referim të pabazë”, ka thënë Rees.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Vetë të akuzuarit Gucati e Haradinaj, është paraparë ta japin fjalën përfundimtare ditën e premte.