Sot aktgjykimi i Apelit, djali i Gucatit: Le të vendosë drejtësia, jo politika - NACIONALE

Sot aktgjykimi i Apelit, djali i Gucatit: Le të vendosë drejtësia, jo politika

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj sot do të dalin para trupit gjykues të Apelit në Hagë. Ata do të marrin vendimin nga shkalla e dytë e Gjykatës Speciale, pasi në shkallën e parë u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim.

Djali i Hysni Gucatit, Musliu, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se shpresojnë që sot të vihet në vend drejtësia.

“Normalisht sot presim që Gjykata të veprojë sipas parimeve juridike, e jo politike. Ne si familje presim që edhe Hysniu edhe Nasimi të lirohen nga këto akuza”, deklaroi Musli Gucati.

I pyetur nëse zvogëlimi i dënimit do të ishte i pranueshëm për familjen, Musli Gucati deklaroi: “Sigurisht çdo vendim që lehtëson vendimin e parë për neve do të ishte i mirëpritur, qoftë edhe ulja e dënimit, por ne do të prisnim lirimin e tyre”

Hysni Gucati kishte pasur dy ndërhyrje në këmbë gjatë qëndrimit në burg, si pasojë e plagëve të luftës. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore tash është stabile.

“Gjendja shëndetësore tash është e mirë, dhe për momentin nuk ka ndonjë problem”, theksoi Musli Gucati për Nacionalen.

Edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, kishte deklaruar për Nacionalen se presin që në shkallën e dytë të vihet drejtësia. Sipas tij, vendimi i parë ka qenë i padrejtë dhe jo i bazuar në fakte.

“Ne argumentuam gjerësisht se z. Haradinaj nuk pati një gjykim të drejtë dhe se kishte parregullsi të rënda procedurale. Në veçanti, ne argumentuam se prokuroria kishte dështuar të vendoste akuzat mbi provat përtej dyshimit të arsyeshëm, se kishte pasur shkelje të shumta dhe të vazhdueshme të zbulimit nga prokuroria, se dështimi për të hetuar siç duhet burimin e rrjedhjes së dokumenteve përbënte një problem serioz. Ky ishte një dështim për të hetuar siç duhet ose në mënyrë adekuate pretendimet e besueshme se çdo veprim i ndërmarrë ishte për të mirën e publikut”, ka thënë Cadman.

Avokati Cadman ka deklaruar më tutje se nëse Gjykata e Apelit nuk e anulon tërësisht vendimin, atëherë duhet ta zvogëlojë gjithsesi.

“Në emër të z. Haradinaj ne parashtruam se gabimet e identifikuara në bazat e ankesës, individualisht ose të kombinuara, kanë shkaktuar një shkelje të drejtësisë në lidhje me tërësinë e dënimeve të shqiptuara. Kemi kërkuar të urdhërohet lirimi i z. Haradinaj, ose në mënyrë alternative të urdhërohet një rigjykim. Më tej në alternativë është argumentuar se nëse Kolegji i Apelit nuk i anulon dënimet, ai duhet ta zvogëlojë dënimin e tij në një dënim që do të ishte proporcional”, ka deklaruar Toby Cadman për Nacionalen.

Sipas avokatit të Nasim Haradinajt, duke ditur se ky do të jetë vendimi i parë i Gjykatës së Apelit lidhur me një aktgjykim, atëherë ka tejet rëndësi të shihet çka ka vendosur Apeli.

“Kjo është ankesa e parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfundon dhe për këtë arsye aktgjykimi i nxjerrë është shumë domethënës. Përderisa ne argumentuam se kishte mangësi serioze në procesin e gjykimit, ne shpresojmë që Kolegji i Apelit do t'i njohë këto mangësi dhe do të vendosë në përputhje me rrethanat. Rezultati i këtij rasti do të ndikojë në rastet që pasojnë dhe për këtë arsye rëndësia e tij nuk mund të mbivlerësohet. Ne duhet të vendosim besimin tonë në një proces gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm për të dhënë vendimin e duhur”, ka përfunduar avokati i Nasim Haradinajt.

Vendimi pritet sot në orën 14:00.

Pse u dënuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj?

Me 9 vjet burgim janë dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Vendimi ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith i cili ka thënë me veprimet e tyre duke publikuar dosjet në shtatorin e vitit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë rrezikuar sigurinë e dëshmitarëve.

“Pa dëshmitarë nuk mund të ketë gjykime. E pa gjykime nuk ka drejtësi”, theksoi në hyrje të seancës Charles Smith.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë akuzuar për në total 6 pika: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, pengim i personave në mënyrë të organizuar, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje, shkelje të fshehtësisë së procedurës, e zbulim të dokumenteve konfidenciale.

Gucati e Haradinaj janë gjetur fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç pikës 4 ku akuzoheshin për hakmarrje.

Ishte 7 shtatori i vitit 2020, kur mediat u ftuan në një konferencë të jashtëzakonshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës. Aty u prezantuan disa dosje të Speciales, për të cilat u tha se i kishte sjellë një person i panjohur, të cilit më pas iu dha nofka “Rrufeja”. Edhe dy konferenca të ngjashme u organizuan gjatë muajit të njëjtë, ku u publikuan dosje të tjera.

Një aksion me njësitet elite speciale të EULEX-it u organizua në zyrat e OVL-UÇK-së më 25 shtator 2020, ku u arrestuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Më 29 shtator e 1 tetor të vitit 2020, ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u deklaruan të pafajshëm.

Lajme të ngjashme