Dënimi i Gucatit e Haradinajt, avokatët i dorëzojnë ankesat në Gjykatën e Apelit - NACIONALE

Dënimi i Gucatit e Haradinajt, avokatët i dorëzojnë ankesat në Gjykatën e Apelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me nga 4 vjet e gjysmë burgim u dënuan javë më parë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Megjithatë, një vendim i tillë mund të pësojë ndryshime, eventualisht nëse Gjykata e Apelit evidenton ndonjë shkelje në verdiktin e shkallës së parë.

Me këtë qëllim, avokatët e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt tashmë i kanë dorëzuar ankesat e tyre në Gjykatën e Apelit të Speciales në Hagë.

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

“Mund të konfirmoj se do të dorëzojmë ankesën dhe arsyet e apelimit pasi afati i fundit ishte më 17 qershor 2022. Njoftimi do të jetë publik, dhe do të mund t’i shihni mbi cilat arsye ne po e paraqesim apelin tonë”, ka thënë Cadman për Nacionalen.

Duke i komentuar në pika të shkurta vërejtjet kryesore në vendimin e shkallës së parë, Cadman ka tregua mbi çka e ka mbështetur ankesën që tash do të trajtohet nga Gjykata e Apelit në Speciale.

“Ekzistojnë afërsisht 25 arsye të veçanta apeli, që e kundërshtojmë si dënimin, ashtu edhe kohëzgjatjen e dënimit. Vërejtjet mbulojnë një sërë çështjesh duke filluar nga procedurat e drejtësisë, pavarësia e trupit gjykues, mungesa e provave dhe argumentimi jonë se dënimi ishte dukshëm i tepruar”, ka thënë Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt.

Ankesën në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara, e ka dorëzuar gjithashtu, edhe Jonathan Rees, avokat i Hysni Gucatit.

Dhomat e Specializuara i patën shpallur fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

"Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, pati thwnw gjykatësi Charles Smith III.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, tha se Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, "pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë".

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë... Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë", tha ai.

Gjykatësi Charles Smith III, gjatë paraqitjes së përmbledhjes së trupit gjykues për rastin tha se ky rast tregon më së miri arsyen se pse është krijuar Gjykata Speciale.

Ai tha se mbrojtja e dëshmitarëve është e rëndësishme, pasi pa ta, "nuk mund të ketë drejtësi për viktimat, apo për shoqërinë në përgjithësi. Veprimet e të akuzuarve i rrezikuan në themel këto".

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë ksihin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të së cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Lajme të ngjashme