S’ka vend për festë: Shtohen dukshëm rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë - NACIONALE

S’ka vend për festë: Shtohen dukshëm rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë

3 vjet më parë

nga Besian Beha

8 Marsi rëndom shënon një ditë feste. Megjithatë, në shumë shtete të botës kjo ditë shfrytëzohet për të organizuar protesta, në kërkim të më shumë të drejtave për gratë. Njashëm siç ndodh edhe në Kosovë tash e disa vjet.

Edhe këtë vit në Prishtinë do të organizohet protestë, në shenjë revolte ndaj dhunës ndaj grave e pozitës së vështirë të grave në shoqërinë kosovare.

Kjo pasi gjatë viteve të fundit është shënuar rritje e madhe e rasteve të dhunës në familje, e ndaj grave në veçanti. Për këtë u diskutua edhe dje në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku u dhanë shifra rreth dhunës ndaj grave.

Majori në Policinë e Kosovës, Ramadan Ahmeti tha se ka rritje rapide të dhunës në familje, sidomos nga viti 2017 e tutje, raporton gazeta Nacionale.

“Nga viti 2010 kur kemi pasur 944 raste deri në vitin 2017 kanë qenë 1269 raste. Pastaj prej vitit 2017 e tutje, rastet janë rritur në mënyrë rapide në raportim dhe trajtim të lëndëve tona të policisë. Vetëm vitin e fundit kemi pasur 2768 raste, përqindja ka shkuar duke u rritur prej vitit 2017 për rastet e dhunës të paraqitura në polici”, tha ai.

Duke paraqitur statistika për vitin e kaluar se në cilën moshë ndodh më shumë dhuna në familje dhe ndaj grave, ai tha se të njëjtat paraqiten më shumë në moshën 20 deri 30 vjeç.

“Tek mosha, statistikat për vitin e kaluar për rastet e dhunës në familje tregojnë se nga mosha 20-30 vjeçar i kemi 757 raste, ndërsa 30-40 janë 703 raste, kurse nga mosha 40-50 vjeç janë 548 raste. D.m.th kjo është se nga mosha 20-50 vjeç janë rastet më të shumta që shkaktohen prej personave të kësaj moshe”, tha ai.

Ai tregoi edhe për faktorët që po sjellin dhunën në familje dhe ndaj grave, ku tha se xhelozia dhe marrëdhëniet e çrregulluara në familje janë ndër arsyet kryesore.

“Faktorët që ndikojnë janë kryesisht shumë, por ne si polici nuk e kemi kapacitetin për të hulumtuar në aspektin social, trajtimin të tjera, por ne evidentojmë të dhëna, kemi pa se ne kemi të obligueshme për të marrë të dhëna se cilët janë shkaktarët për këtë dhunë në familje. Në numrin total të rasteve, 131 raste është evidentuar se dhuna është shkaktuar në bazë të traditave të vjetra, ndërsa 351 raste janë për shkak të pushtetit, që unë dua me qenë ai që vendosi që ai vendosi. Pastaj është xhelozia 437 raste, kushtet sociale 146 raste, marrëdhëniet e çrregulluara në familje 672 raste që janë më së shumti. Mirëpo këto sigurisht donë edhe analizë më të thuktë të kompetentëve të fushës sociale”, shtoi Ahmeti.

Dhuna shpesh ka dërguar në vrasjen e grave, siç ishte rasti me gruan shtatëzënë në Klinikën e Gjinekologjisë, e cila u vra pas shumë raportimeve për dhunë ndaj saj nëpër periudha të ndryshme kohore.

Gratë e vrara në Kosovë

Numër i konsiderueshëm i grave që janë vrarë në Kosovë që nga paslufta, paraprakisht kishin raportuar në Polici për dhunën ndaj tyre.

Në muajt e parë të vitit 2011, Diana Kastrati kishte shkuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës për të kërkuar urdhër-mbrojtje nga personi me të cilin po bashkëjetonte. Kjo pasi Kastrati, ishte bërë subjekt i dhunës në familje nga Adnon Jashari, personi me të cilin i kishte kaluar dhjetë vitet e fundit.

Megjithatë, kjo urdhër-mbrojtje nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Pasojat ishin fatale. Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011 në një rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë.

Më 23 dhjetor të vitit 2015, do të ndodhte një tjetër vrasje në familje e cila do ta trondiste Kosovën. Zejnepe Berisha u vra nga burri i saj, Nebih Berisha, i cili e goditi me thikë mbi 20 herë, në prezencë të fëmijëve të mitur.

Pak ditë pas vrasjes, në publik dolën detaje të reja. Zejnepe Berisha e kishte raportuar me dhjetëra herë në Polici dhunën në familje, por që i dyshuari sërish ishte lënë në liri.

Në muajin gusht të vitit 2018, një tjetër vrasje tronditi vendin. Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj.

Valbona kishte tentuar të kontaktojë me Policinë për kërcënimet ndaj saj, por që dilemat u shfaqën se Policia nuk e kishte kryer punën si duhet. Edhe pse u dorëzua kallëzim penal ndaj policëve me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk pati rezultat pasi u konstatua se s’pati shkelje.

Në fshatin Berivojcë të Kamenicës, mesditën e 25 korrikut 2020 u krye një tjetër akt i tmerrshëm i dhunës në familje. Nuhi Mavrovqani e kishte goditur gruan e tij Sabilen me shufër metalike, deri në vrasje.

Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani edhe pasi që gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve.

Në marsin e vitit 2021, Lulëzim Sopi e kishte vrarë me armë zjarri gruan e tij Sebahaten, e më pas e kishte goditur edhe veten. Të dy ishin burrë e grua që kishin pasur në vazhdimësi probleme, e për të cilat Sebahatja kishte raportuar në institucionet e drejtësisë.

Megjithatë, Prokuroria nuk e mori këtë rast me seriozitet, dhe Sebahate Sopi më pas u vra. Dështimin e shtetit e kishte konfirmuar edhe Avokati i Popullit, kurse tashmë vajza e Sebahates i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese.

Në janarin e vitit 2022, Lirie Qerimaj ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt. Ajo u godit me armë zjarri për vdekje nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici.

18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dhunuar e rrahur fizikisht deri në vrasje. I dashuri i saj Dardan Krivaqa, kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj Osmanit, duke e lënë të vdekur.

Dardan Krivaqa ishte person me të kaluar kriminale. Ai ishte dyshuar për vjedhje e sulm ndaj një polici, por që drejtësia e kishte lënë të lirë. Ai ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, për 6 vite duke mos u trajtuar si duhet rastet e tij gjyqësore edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentimvrasje.

Lajme të ngjashme