Si është e mundur që dy serbë të dyshuar për krime lufte, kanë shërbyer me vite në Policinë e Kosovës?
Vetëm brenda tre muajsh, dy ish-policë serbë të Kosovës janë arrestuar me dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës në vitet 1998-1999. Por si është e mundur që të dyshuarit për krime lufte, kanë shërbyer në Policinë e Kosovës me vite të tëra?
Deri para tri vjetësh Zlatan Arsiq kishte shërbyer në Policinë e Kosovës. Ai ishte suspenduar pasi dyshohej se u përfshi në kontrabandë me kafshë përderisa punonte në një nga pikat kufitare.
E tash, Arsiqit i ka dalë një tjetër problem me ligjin. Prokuroria Speciale e ka arrestuar nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës. Atij ditën e djeshme i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi është vlerësuar se mund të ketë rrezik për arratisjen e tij.
Arsiq menjëherë pas luftës e kishte nisur punën në Policinë e Kosovës. Pra, për më shumë se 15 vjet, Arsiq kishte qenë polic i Kosovës. Prokuroria e akuzon Arsiqin se në kohën e luftës ka rrahur e maltretuar qytetarë në stacionin e Policisë në Kamenicë.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Megjithatë të gjitha këto pretendime i kanë mohuar familjarët e tij. Sipas tyre ai në kohën e luftës ka qenë në moshë të re, pra posa e kishte përfunduar shkollën e mesme. Prindërit e tij kanë treguar dje për Klan Kosovën kinse Arsiq gjatë tërë kohës në luftë, kishte qëndruar në shtëpi.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, Arsiq ishte në mesin e të dyshuarve që urdhëroi dhe mori pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.
Në muajin dhjetor të vitit 2022 një tjetër ish-polic serb i Kosovës ishte arrestuar për krime lufte. Sllagjan Trajkoviq polic në Mitrovicën e Veriut, dyshohet për krime lufte në komunën e Vushtrrisë.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndaluar një person me inicialet S.T. për veprën penale krimet e luftës kundër popullatës civile.PRSK-ja njofton se dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë rast i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës se luftës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Edhe Trajkoviq kishte shërbyer në Policinë e Kosovës për vite të tëra. Ai dha dorëheqje nga pozita e policit në kohën e largimeve masive në pjesën veriore, si rezultat i vendimit të Listës Serbe për të braktisur institucionet.
Policë dhe të dyshuar për krime lufte – si është e mundur?
Pra, dy ish-policë serbë të dyshuar për krime lufte, kanë shërbyer për kohë të gjata në Policinë e Kosovës. Bashkëshortja e njërit prej të arrestuarve kishte deklaruar se Policia e ka pasur dosjen e tij, duke pretenduar se ajo ka qenë e pastër dhe pa të kaluar të dyshimtë.
Neni 9 i Udhëzimit Administrativ për shkeljet dhe procedurat disiplinore ndaj policëve, flet për verifikimin e së kaluarës. Ky verifikim bëhet edhe me rastin e punësimit, rikthimit në punë të policëve të caktuar, apo edhe me rastin e avancimit.
Afati i caktuar nga Policia e Kosovës për verifikimin e së kaluarës është 30 ditë. Më pas, komisionet e caktuara dalin me rekomandime varësisht nga gjetjet.
Nuk dihet nëse në rastet e dy serbëve të dyshuar për krime lufte janë kryer këto procedura për verifikimin e së kaluarës së dy policëve të dyshuar për krime lufte. Megjithatë, një gjë e tillë është obligative sipas rregulloreve të brendshme të Policisë së Kosovës.
Vetëm pak ditë më parë, Policia e Kosovës kishte shpallur konkursin për pranimin e policëve nga radhët e komuniteteve. Aty në mesin e kushteve ishte edhe të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale. Megjithatë, në këto kritere nuk përmendej diçka konkrete nga e kaluara.
“Kopja e diplomës për arsimin e mesëm të lartë, ndërsa për kandidatët që kanë përfunduar shkollimin jashtë vendit kopja e diplomës e nostifikuar; b) Dëshmi për kualifikime tjera; c) Certifikatën e lindjes/ekstrakt i lindjes; d) Vërtetimi nga gjykata që nuk është i dënuar dhe që nuk është nën hetime; e) Kopje e letërnjoftimit apo pasaportës f) Një fotografi të formatit (5 x 5); g) Dokumenti nga pika c dhe d të jenë të vlefshme dhe të nxirën pas datës së shpalljes së konkursit”, ishin dokumentet e kërkuara.
Integrimi i policëve serbë sidomos në pjesën veriore pas vitit 2013, ka qenë tërësisht i bazuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe nuk dihet nëse kriteret e ngjashme dhe rregulloret e brendshme lidhur me verifikimin e së kaluarës janë marrë parasysh.

