Shpërlarje parash, keqpërdorim i detyrës, korrupsion: Aferat e njohura ku u përfshinë zyrtarët e pushtetit
Pavarësisht se eksponentët e pushtetit i janë sulur sistemit të drejtësisë lidhur me hetimin e korrupsionit, ata nuk po merren fare me thelbin e problemit.
Shumë deputetë reagun pas bastisjes në Ministrinë e Infrastrukturës e Mjedisit, por asnjëri, siç ndodh rëndom nëpër botë, nuk i bëri thirrje shtetit t’i zbardhë këto raste. Ata sulmuan Prokurorinë pse po ndërmarrin aksione të tilla para zgjedhjeve.
Sulme të tilla ka pasur shumë, sepse dyshime e zyrtarë të pushtetit që kanë lëvizur nëpër Prokurori e Gjykata për korrupsion, kanë qenë të shumtë.
Nagip Krasniqi
Kryeshefi i KEK-ut ishte arrestuar kohë më parë për dallavere me tenderë në KEK. Atij tashmë i është ngritur një aktakuzë për korrupsion, dhe kjo nuk është e vetmja. Krasniqi u deklarua i pafajshëm ditën e djeshme.
Jozyrtarisht ishte raportuar se pjesa më e rëndësishme e hetimit është në vazhdim, dhe po grumbullohen provat e fundit për këtë rast.
Në mesin e provave ishte edhe intervistimi i Dejona Mihalit nga Prokuroria Speciale.
Sipas aktakuzës të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Martin Berishaj
Për shpërlarje parash e shmangie nga tatami dyshohet ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. I njëjti dyshohet se ka marrë sasi të madhe të parave cash nga kompania GEN në Beograd. Asnjë reagim nga pushteti për lidhje me Serbinë!
Berishaj kohë më parë ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale.
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.” – thuhet në njoftim.
Skandali me rezervat shtetërore
Vitin e kaluar Nacionale kishte publikuar biseda të cilat dëshmonin për një aferë masive në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Një sasi e madhe e mallit të paguar për rezervë shtetërore, nuk kishte arritur asnjëherë në Ministri.
I përfshirë ishte edhe dosti i kryeministrit Kurti, Ridvan Muharremi.
Pas një aksioni të Prokurorisë Speciale, u arrestuan tre të dyshuar, të cilët u liruan më pas nga Gjykata e Apelit.
Njëjtë si kolegët e saj, për këtë rast u intervistua si e dyshuar edhe ministrja Rozeta Hajdari, e biznesmeni Ridvan Muharremi.
“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tenderi për rrugën Prishtinë-Podujevë
Dhënia e tenderit për rrugën Prishtinë-Podujevë, gjithashtu është në radarin e Prokurorisë Speciale.
Për këtë tender, ishte intervistuar zv/ministri Hysen Durmishi.
“Isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë – Podujevë. Kryesisht kjo është fazë fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte, për ta dëshmuar se procesi ka qenë i rregullt dhe se atje po zhvillohen punimet me dinamikë që e kishim planifikuar”, ka thënë Durmishi pas intervistimit nga Prokuroria.
Afera me ambalazhuesit e ujit
Ditën e djeshme Prokuroria Speciale e Policia bastisën ministrinë e Mjedisit që drejtohet nga Liburn Aliu.
Aty u arrestua zv/sekretari i ministrisë, Izedin Bytyqi. E Naser Hafizi, nuk u gjet në vendbanimin e tij. Ky i fundit drejtor i Departamentit për Ujëra.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Bytyqi e Havizi dyshohen për keqpërdorim të detyrës, përderisa Hafizi edhe për shpërlarje parash.
“Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij. I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare””, thuhet në njoftim.