Serbi i arrestuar në Hungari për krime lufte, refuzon ekstradimin në Kosovë: Pritet vendimi - NACIONALE

Serbi i arrestuar në Hungari për krime lufte, refuzon ekstradimin në Kosovë: Pritet vendimi

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Safro Stevanoviq, serbi i arrestuar për krime lufte në Kosovë, ka dalur para seancës në Gjykatën e Hungarisë para pak ditësh. Nuk ka qenë ndonjë seancë ku pritej vendim, por vetëm shqyrtimi i kërkesave për ekstradim të ardhura nga Ministria e Drejtësisë në Kosovës dhe ajo në Serbi.

Stefanoviq i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e dhjetëra civilëve në lagjen Kristal të Pejës, ka refuzuar ekstradimin në Kosovë. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Gjykata e Budapestit ka bërë të ditur se tashmë vendimi do të jetë në dorën e Ministrisë së Drejtësisë së Hungarisë.

“Në seancë, i dyshuari deklaroi se është dakord vetëm për ekzekutimin e kërkesës për ekstradim të Republikës së Serbisë dhe ka kërkuar zbatimin e rregullit për të dyja kërkesat për ekstradim. Kjo e fundit do të thotë se në rastin e ekstradimit të tij mund të procedohet vetëm për veprat e përshkruara në kërkesat për ekstradim”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

“Në seancë, gjykata vetëm shqyrtoi nëse për të kërkuarin janë përcaktuar kushtet e ekstradimit dhe arrestit ekstradues në bazë të informacioneve të disponueshme. Vendimi përfundimtar për ekstradimin është në kompetencë të ministrit të drejtësisë”, thuhet më tutje.

Sipas përgjigjes, i dyshuari mund të qëndrojë në arrest për gjashtë muaj nga momenti i arrestimit, dhe më pas të vendoset për ekstradimin e tij apo jo. Stefanoviq është arrestuar më 24 tetor 2022.

“Gjykata ia përcjell dosjen Ministrisë së Drejtësisë për vendim përfundimtar për ekstradimin. Vendimi i gjykatës është përfundimtar”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

“Gjykata Rajonale Metropolitane urdhëroi arrestimin me ekstradim të një shtetasi serb kundër të cilit Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe Gjykata e Lartë e Beogradit lëshuan urdhër arresti ndërkombëtar dhe ekstradimi i të cilit u kërkua fillimisht nga Ministria e Drejtësisë e Republikës të Serbisë dhe më pas Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës”, përfundon përgjigja.

Pra, një vendim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kosovë, pritet më së largu deri në fundin e muajit prill.

Për çka dyshohet Stefranoviq?

Prokuroria e Hungarisë e kishte arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në një deklaratë nga Prokuroria e përgjithshme e Budapestit për agjencinë e lajmeve hungareze (MTI), thuhet se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.

48-vjeçari serb ka refuzuar ekstradimin në Kosovë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në një aksion të forcave serbe në lagjen ‘Kristal’ të Pejës, ku ishin vrarë 33 civilë kosovarë.

“Sipas të dhënave në dispozicion, serbi është mashkull dhe dyshohet me arsye se më 26, 27, 28 dhe 13 maj 1999, dha ndihmë në lagjen Kristal të Pejës, mori pjesë në të shtënat kundër civilëve, që rezultuan me vdekjen e 33 shqiptarëve të Kosovës. Tek të akuzuarit dënimi maksimal i mundshëm është burgimi i përjetshëm”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë për Nacionalen.

Detaje për këtë rast, kishte dhënë edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.

“Po, ne e kemi lëshuar urdhër-arrestin. Është i dyshuar për krime lufte në regjionin e Pejës”, kishte thënë Isufaj për Nacionalen.

Përderisa në Hungari u arrestua një serb i dyshuar për krime lufte në Pejë, në Kosovë pikërisht për krimet në këtë komunë, janë dorëzuar dy kallëzime penale.

Ato janë dorëzuar nga avokati Kujtim Kërveshi bashkë me zyrën e tij të avokatisë. Në një komunikatë për media, bëhej e ditur se dosjet përmbajnë prova të krimeve që janë kryer në këtë zonë.

Lajme të ngjashme