Serbi i arrestuar në Hungari për krime lufte në Kosovë – Ministria dorëzon kërkesën për ekstradim - NACIONALE

Serbi i arrestuar në Hungari për krime lufte në Kosovë – Ministria dorëzon kërkesën për ekstradim

1 vit më parë

nga Besian Beha

Në Gjykatën e Budapestit ka arritur tashmë edhe zyrtarisht një kërkesë për ekstradimin e një personi, nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës. Fjala është për serbin Savo Stefranoviq, i cili dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, më saktësisht në komunën e Pejës.

Gjykata e Hungarisë e ka konfirmuar ekskluzivisht për gazetën Nacionale, se kërkesa për ekstradimin e qytetarit serb tashmë ka arritur. Për këtë, pritet të mbahet edhe një datë e re për seancë.

Savo Stefranoviq sipas mediave në Hungari, dyshohet për pjesëmarrjen në vrasjen e 33 civilëve në zonën Kristal të Pejës. Identitetin e këtij serbi, e kishte zbuluar ekskluzivisht gazeta Nacionale ditë më parë.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se kërkesa për ekstradim dhe dokumente të tjera kanë mbërritur në Gjykatën Metropolitane të Budapestit. Së shpejti do të caktohet një datë e re e gjykimit. I dyshuari është ende në arrest të përkohshëm”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë për Nacionalen.

Vetë serbi i dyshuar për krime lufte, në seancën fillestare të mbajtur në Budapest, e kishte refuzuar ekstradimin në Kosovë.

Lidhur me kërkesën për ekstradim, tash do të vendosë edhe Ministria e Drejtësisë në Hungari, vendim i cili pritet ditëve të ardhshme.

Për çka dyshohet Stefranoviq?

Prokuroria e Hungarisë e kishte arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në një deklaratë nga Prokuroria e përgjithshme e Budapestit për agjencinë e lajmeve hungareze (MTI), thuhet se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.

48-vjeçari serb ka refuzuar ekstradimin në Kosovë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në një aksion të forcave serbe në lagjen ‘Kristal’ të Pejës, ku ishin vrarë 33 civilë kosovarë.

“Sipas të dhënave në dispozicion, serbi është mashkull dhe dyshohet me arsye se më 26, 27, 28 dhe 13 maj 1999, dha ndihmë në lagjen Kristal të Pejës, mori pjesë në të shtënat kundër civilëve, që rezultuan me vdekjen e 33 shqiptarëve të Kosovës. Tek të akuzuarit dënimi maksimal i mundshëm është burgimi i përjetshëm”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë për Nacionalen.

Detaje për këtë rast, kishte dhënë edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.

“Po, ne e kemi lëshuar urdhër-arrestin. Është i dyshuar për krime lufte në regjionin e Pejës”, kishte thënë Isufaj për Nacionalen.

Krimet e luftës në Pejë

Përderisa në Hungari u arrestua një serb i dyshuar për krime lufte në Pejë, në Kosovë pikërisht për krimet në këtë komunë, janë dorëzuar dy kallëzime penale.

Ato janë dorëzuar nga avokati Kujtim Kërveshi bashkë me zyrën e tij të avokatisë. Në një komunikatë për media, bëhej e ditur se dosjet përmbajnë prova të krimeve që janë kryer në këtë zonë.

“Sot, shoqëria e avokatisë Kërveshi&Partners me seli në Prishtinë, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy kallëzime penale për krime lufte dhe krime kundër njerezimit të kryera ndaj popullatës shqiptare të pa armatosur në Pejë nga pjestar të forcave të rregullta të armatosura të Serbisë dhe ish-Jugoslavisë”

“Dy dosjet përmbajnë deklarata të viktimave dhe dëshmitarëve, qindra fotografi të të dyshuarve të periudhës së luftës së fundit në Kosovë të identifikuar gjatë punës disa vjeçare të ekipit tonë. Dëshmitë në fjalë besojmë se do ti shërbejnë institucioneve tona përtej këtyre dy kallëzimeve penale të ushtruara sot. Presim që me veprimet hetimore për këto raste të zbardhen rrethanat dhe veprimet e kryera nga personat e identifikuar dhe që të njejtit të marrin dënimin e merituar”, thuhej në komunikatë.

Për krime lufte në Pejë ishte dënuar Zoran Gjokiq. Avokat i viktimave në këtë proces ishte Kujtim Kërveshi, që kishte vendosur ta merrte rastin pa pranuar kompensim.

E para tri jave, gjithashtu është arrestuar edhe Ekrem Bajroviq. Ai dyshohet për krime lufte në fshatin Staradranë të Istogut.

Ndaj tij është caktuar edhe masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi Gjykata ka konstatuar se ka rrezik të ikjes apo ndikimit në dëshmitarë e prova.

“Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, që do të pengonte rrjedhë e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Bajroviq, i cili prej vitesh jeton në Mal të Zi, u mundua që këtij vendimi të gjykatës t’i shpëtojë duke e shfrytëzuar gjendjen e tij shëndetësore.

Lajme të ngjashme