Seanca e fundit përgatitore para nisjes së gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, çka duhet të dini? - NACIONALE

Seanca e fundit përgatitore para nisjes së gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, çka duhet të dini?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Për gati dy vjet e gjysmë, me dhjetëra konferenca e seanca përgatitore janë mbajtur në Gjykatën Speciale në rastin e krerëve të Ushtrisë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, pas gjithë këtyre përgatitjeve, gjithçka duket të jetë gati për nisjen zyrtare të gjykimit.

Sot në Dhomat e Specializuara të Hagës do të mbahet seanca e fundit përgatitore. Aty pritet të diskutohen detajet e nisjes së gjykimit, kohëzgjatja e fjalëve hyrëse, nxjerrja e materialeve, dëshmitarët e parë të Prokurorisë e detaje të tjera.

Gjykimi në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, është planifikuar të fillojë me datën 1 mars. Kjo edhe pse trupi gjykues ka konstatuar që Prokuroria ka dështuar të nxjerrë me kohë provat shfajësuese për të akuzuarit.

Ashtu siç është bërë e ditur edhe në seancat e tjera përgatitore, të akuzuarit, pra ish-liderët e UÇK-së, planifikojnë të thonë fjalët e tyre hyrëse në fillim të gjykimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon Thaçin e të tjerët se si “anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale kanë kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit”.

Provat e Prokurorisë

Pak ditë më parë gazeta Nacionale ka raportuar për disa prej provave që synon t’i shfrytëzojë Prokuroria kundër të akuzuarve. Ato përfshijnë komunikatat e UÇK-së, deklaratat për shtyp të sekuestruara në shtëpinë e Jakup Krasniqit e raportimet e ndryshme të mediave si Kosovapress e Kosova e Lirë.

“Dokumentet e listuara në Anekset 1-5 janë komunikime të UÇK-së nga periudha e aktakuzës. Ato demonstrojnë kontrollin shumë sistematik dhe të organizuar që ushtronte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mbi komunikimet publike. Shtojca 1 tregon se të njëjtat deklarata publike dhe komunikime të UÇK-së u shfaqën në publikime të shumta, duke përforcuar pozicionin e UÇK-së. Aneksi 2 tregon përfshirjen e Jakup KRASNIQIT në krijimin e mesazheve që u shpërndanë nga Shtabi i Përgjithshëm në publik. Anekset 3 dhe 4 demonstrojnë se si UÇK-ja përdori me sukses dy agjencitë e saj mediatike për të zgjeruar dhe çuar më tej agjendën e saj politike duke informuar opinionin publik. Shtojca 5 vazhdon këtë temë dhe demonstron shpërndarjen e komunikimeve të UÇK-së në një audiencë më të gjerë ndërkombëtare”, thuhej në këtë parashtrim të Prokurorisë së Specializuar.

Disa prej këtyre provave që Prokuroria po kërkon të përdoren në proces janë publike, si p.sh raportimet e mediave ndërkombëtare si dhe raportimet e Evropës së Lirë dhe Kosovapress në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kurse, konfidenciale kanë mbetur komunikatat e UÇK-së dhe dokumentet e sekuestruara në shtëpinë e Jakup Krasniqit.

Prokuroria në Hagë po tenton të bazohet në komunikatat që ishin lëshuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo ishte hera e parë që Prokuroria publikisht flet për provat mbi të cilat tenton të mbështetet.

Provat nga Serbia

Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së e kanë akuzuar në vazhdimësi Prokurorinë e Specializuar në Hagë se ka shfrytëzuar një sasi të madhe të provave nga Serbia lidhur me krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë.

Për këtë, mbrojtja e Thaçit e të tjerëve i ishte drejtuar edhe me një kërkesë kohë më parë Gjykatës, që të zbardhen të gjitha këto prova që janë marrë nga Beogradi zyrtar.

“Në një gamë të gjerë vendesh të lidhura me konfliktin e viteve 1998-1999, Serbia ka përdorur vazhdimisht mjete mashtruese për të inkriminuar UÇK-në, për të minuar pavarësinë e Kosovës dhe për të shmangur përgjegjësinë për krimet e veta. Në veçanti, ajo ka kryer operacione të rreme, ka manipuluar skenat e krimit dhe ka siguruar dëshmi të rreme nëpërmjet torturës dhe detyrimit, duke ngritur shqetësime të bazuara në lidhje me besueshmërinë e informacionit që buron nga ky burim”, thuhej në shkresën e ekipeve mbrojtëse.

Ekipet mbrojtëse thonë se po ngrehin këtë çështje tani, pasi që pozicioni i ZPS-së në lidhje me marrëdhëniet e saj me Serbinë, dhe provat që burojnë nga Serbia rrezikojnë dëme të pakthyeshme për integritetin e këtyre procedurave.

“Më 11 prill 2022, ZPS, me e-mail, refuzoi të zbulonte një material të tillë, duke pretenduar se Mbrojtja kishte dështuar të demonstronte se marrëdhënia e ZPS-së me Serbinë ‘pa më shumë’ ndikoi në besueshmërinë ose kredibilitetin e provave të marra nëpërmjet kësaj marrëdhënieje. Megjithatë, ajo konfirmoi se asnjë provë nga Serbia nuk po fshihej në përputhje me Rregullën 107.6.”, thuhet në shkresën e tyre.

Megjithatë, aso kohe, një kërkesë e tillë nuk ishte aprovuar.

Skandali Special

Avokati i Hashim Thaçit e Kadri Veselit kishin pretenduar se një skandal i madh ka ndodhur me disa dëshmtiarë të Prokurorisë së Hagës. Ata kishin paraqitur prova se një dëshmitar serb i lidhur me Shërbimin Sekret në Beograd, ka tentuar të ofrojë dëshmi të rrejshme. Kjo duke e akuzuar Thaçin e Veselin se i kanë marrë dosjet që kishin ardhur në zyret e OVL-UÇK-së.

Në shtatorin e vitit 2020, disa herë u dorëzuan dosje në zyret e OVL-UÇK-së. Një dëshmitar që nuk dihet identiteti, ka pretenduar se ato dosje ishin nxjerrë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Megjithatë, ky dëshmitar, bashkë me personin që e ka nxitur të dëshmojë rrejshëm, kanë lidhje me Shërbimin Sekret Serb.

“Në tetor 2022, një dëshmitar u paraqit për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet fillimisht në parashtrimin e avokatit Emmerson.

“(Redaktuar) këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator - i cili (i) kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar; (ii) duket se ishte pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh në gjykim, dhe (iii) pohon se ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga avokatit britanik, Ben Emmerson.

“Më (redaktuar), (redaktuar) tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme, duke rrëfyer se ai ishte ushqyer me informata nga një person i quajtur (redaktuar) i cili bashkëpunon ngushtë si me inteligjencën serbe ashtu edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në shkresën e avokatit Ben Emmerson.

Madje, në disa transkripte të intervistës së këtij personi, ai konfirmon lidhjet me Beogradin dhe flet për disa takime.

“Transkripti e bën të qartë se (redaktuar) ka një marrëdhënie me Shërbimin Sekret Serb. Në një moment të intervistës, ai informoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth planeve të tij për të udhëtuar në Beograd (redaktuar) ku do ta takonte burimin e tij (redaktuar), në mënyrë që të ishte në gjendje të siguronte më shumë përgjigje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në parashtrim.

Për këtë temë kishte ngritur alarmin edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe.

Diplomatët që s’u lejuan të dëshmojnë

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës ka kërkuar që 9 diplomatë të huaj të shkojnë në Hagë, e të japin dëshmitë e tyre menjëherë. Kjo pasi ata janë në moshë të shtyrë dhe mund të kenë probleme shëndetësore ose të vdesin derisa t’u vie radha.

Megjithatë, kjo kërkesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit është refuzuar dy herë.

Gjykata Speciale nuk kishte pranuar që këta 9 diplomatë të njohur si Bernard Kouchner, Wesley Clarck, William Walker e të tjerë, të ftohen menjëherë për të dhënë dëshmi. Kjo pasi sipas vendimit të gjyqtarit, nuk janë ofruar argumente të mjaftueshme se dëshmia e këtyre diplomatëve, mund të bëhet e pashfrytëzueshme më vonë.

“Në lidhje me argumentet e Mbrojtjes së Thaçit lidhur me Dëshmitarët ( si “mosha e shtyrë” dhe “problemet shëndetësore”), gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Dëshmitarët janë të moshës 77-87 vjeç. Megjithatë, asgjë në Mocion apo Shtojcë nuk tregon se gjendja shëndetësore e Dëshmitarëve është, aktualisht, një shqetësim serioz që do të garantonte ruajtjen e menjëhershme të provave të tyre. Përkundrazi, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Mbrojtja Thaҫi pranon se shëndeti i dobët ose i sëmurë i Dëshmitarëve "nuk është aktualisht një faktor në këtë rast", thuhej në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Gillou.

Avokati i Thaçit kishte theksuar se nëse nuk ftohen menjëherë këta dëshmitarë, atëherë rradha e tyre për të dëshmuar mund të jetë deri në vitin 2024. Që sipas Keohes, mund të shkaktojë probleme në ofrimin e këtyre dëshmive. Gjyqtari ka argumentuar se një vendim i tillë, mund të merret pas caktimit të trupit gjykues.

“Në lidhje me kohëzgjatjen e parashikuar përpara se çështja e mbrojtjes ka gjasa të fillojë, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se ai do t'ia transmetojë çështjen trupit gjykues deri në fund të vitit 2022. Nga kjo rrjedh se një trup gjykues, në çdo rast, do të merret me procedurat në këtë rast shumë përpara se Masa e Parë e parashikuar nga Mbrojtja Thaҫi në shkurt 2023. Prandaj, në dritën e transmetimit të afërt të çështjes në gjykim dhe caktimit të mëvonshëm të një trupi gjykues, gjyqtari i procedurës paraprake është i mendimit se vlerësimi i rëndësisë, domosdoshmërisë dhe planifikimit të dëshmisë së Dëshmitarëve është një çështja që më së miri vendoset nga trupi gjykues që do të caktohet për të shqyrtuar çështjen”, thuhej në vendim.

Kjo kërkesë më pas ishte rrëzuar edhe nga trupi gjykues.

Lajme të ngjashme