Reagon Vjosa Osmani, por pa e përmendur Gjykatën Speciale: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër - NACIONALE

Reagon Vjosa Osmani, por pa e përmendur Gjykatën Speciale: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me seancën e sotme në Gjykatën Speciale.

Ajo nuk e ka përmendur askund Gjykatën Speciale, por dihet se postimi i saj vjen pas kërkesës së Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burg.

Osmani ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

Postimi:

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.

Lajme të ngjashme