Rasti i krerëve të UÇK-së: Të hënën dorëzohen dosjet përfundimtare në Gjykatën Speciale
Të hënën më 19 janar në Gjykatën Speciale të Hagës do të dorëzohen dosjet përfundimtare.
Prokuroria, avokati i viktimave dhe avokatët e krerëve të UÇK-së, do t’i dorëzojnë dosjet te trupi gjykues.
Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, mbetet fjala përfundimtare e cila do të thuhet nga 9 deri më 18 shkurt, dhe zyrtarisht procesi do të jetë i përfunduar.
Krerët e UÇK-së prej nëntorit 2020 janë në paraburgim, pa asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi.
Gjyqtarët do të kenë kohë 3 muaj, me mundësi afati shtesë edhe për 2 muaj, deri në vendimin e shkallës së parë.
Detajet për procesin:
Në nëntor 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan pas konfirmimit të një aktakuze dhe lëshimit të fletarrestimeve nga një gjykatës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Pretendohet se këtu përfshiheshin persona që konsideroheshin se bashkëpunonin me forcat jugosllave dhe kundërshtarë politikë.
Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i tregoi Mbrojtjes mijëra faqe prova. Mbrojtja kreu hetimet e veta dhe ngriti kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Viktimat aplikuan për të marrë pjesë. Në proces marrin pjesë 155 viktima. Midis prillit 2023 dhe prillit 2025, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë. Midis shtatorit dhe nëntorit 2025, ekipet e Mbrojtjes thirrën 7 dëshmitarë. Secila palë pati mundësinë të bëjë pyetje dhe të kundërshtojë dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga pala tjetër.
Sipas ligjit, një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim vetëm nëse gjykatësit konstatojnë se ekzistojnë rreziqe që e përligjin atë. Deri tani, në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë konstatuar se z. Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë paraqisnin rrezik të kryerjes së veprave penale të tjera, konkretisht kundër personave që kishin dhënë dëshmi ose që pritej të jepnin dëshmi para Dhomave të Specializuara.
Gjykatësit kanë theksuar gjithashtu se paraburgimi synon të parandalojë rrezikun e hakmarrjes kundër dëshmitarëve ose përpjekjet për të nxitur një dëshmitar që të tërheqë dëshminë e tij. Gjykatësit do të vazhdojnë të vlerësojnë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i nevojshëm për trajtimin e këtyre rreziqeve.
Sa i takon parimit të procesit publik, 134 dëshmitarë që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit gjatë gjykimit, e bënë këtë në seancë publike, 61 prej këtyre dëshmitarëve dhanë dëshmi pas asnjë masë mbrojtëse. Kjo pavarësisht se transparenca, është kritikuar dukshëm.