Rasti Faton Hajrizi: Forenzika konfirmon gjurmët që erdhën nga Serbia, Haxhiu intervistohet në prokurori, dy në paraburgim - NACIONALE

Rasti Faton Hajrizi: Forenzika konfirmon gjurmët që erdhën nga Serbia, Haxhiu intervistohet në prokurori, dy në paraburgim

2 muaj më parë

nga Arbër Ramadani

Ministria e Jashtme e Kosovës ka dalur me njoftim në lidhje me shenjat e gishtrinjëve të Faton Hajrizit, të cilat Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka krahasuar ato me shenjat që janë dërguar nga autoritetet serbe, dhe se ato dalin të jenë pikërisht të Hajrizit.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor - ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.

Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast.” – thuhet në njoftim.

Intervistimi i Ministres Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë kësaj të hëne është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kjo pas deklaratave të Haxhiut se ka pasur ftesa për takim nga prokurorë dhe gjyqtarë, si dhe pkërisht pas deklaratave se arratisjet nga burgu po i organizojnë grupet e lidhura me Serbinë.

Lajmin për intervistim e kanë konfirmuar nga zyra për informim e Prokurorisë Speciale.

”Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Haxhiut për arratisjet nga burgjet e Kosovës dhe lidhja e tyre me Serbinë, ministrja përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, pretendonte se në arratisjet e fundit, të cilat janë shpeshtuar, dorë ka edhe Serbia.

“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë” – tha fillimisht ajo.

Duke shtuar, “E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës.

Haxhiu tutje ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënse”, nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë, dhe se ku saktësisht është vrarë.

“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti.”.

Nryshe, dy persona të dyshuar se ndihmuan Faton Hajrizin të arratisej nga burgu i Smrekonicës, tashmë janë dërguar në paraburgim. Gjatë kësaj të hëne Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtri, ka bërë të ditur se është shqiptuar masa e paraburgimit për dy personat e dyshuar, se e ndihmuan Hajrizin të ikë nga burgu.

Lajme të ngjashme