“Rasti Brezovica”: Lirohen vilat e sekuestruara, prokurori Rasim Maloku flet për Nacionalen
U vlerësua si një nga aksionet më të mëdha kundër krimit e korrupsionit në Kosovën e pasluftës. Pas dhjetëra personave të arrestuar, miliona eurove të ngrira, e rreth 100 vila të sekuestruara. Madje për Prokurorin e këtij rasti, Rasim Maloku, u ngriten edhe krahasime të ndryshme, si ai me Giovanni Falcone, prokurori i famshëm italian. Por një vendim i fundit i Gjykatës së Pejës e ka zbehur “entuziasmin” për këtë rast. Çka ndodhi?
Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit Rasim Maloku për caktim të masës së sigurisë për vilat e sekuestruara në Brezovicë.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.
“E konfirmojmë se me Urdhrin e Gjykatës Themelore në Pejë UGJK.nr.161/22, të datës 06.07.2023, është hudhë si e pasafatshme kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Është marrë vendim për lirimin e tyre dhe të njëjtat do t’u kthehen pronarëve”, ka thënë Zhuti.
Gazeta Nacionale ka biseduar me Prokurorin Maloku në lidhje me këtë rast.
Maloku ka thënë se vendimi është i padrejt, duke shtuar se kërkesa ka qenë brenda afateve ligjore.
Ai ka paralajmruar se do të ankohet në Gjykatën e Apelit.
“Për prokurorinë vendimi është i padrejt, do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit. Ne vlerësojmë se kërkesa u bë brenda afateve ligjore”. – ka thënë Maloku.
Tutje, ai ka cituar Kodin e Ri të Procedurës Penale, i cili, sipas tij, i jep të drejtë në këtë rast.
“Nëse me fillimin e zbatimit të këtij Kodi është duke ecur ndonjë afat, përfshirë afatin e hetimit apo ngritjes së aktakuzës, afati i tillë llogaritet në pajtim me dispozitat e këtij Kodi, përveç nëse afati i mëparshëm ka qenë më I gjatë ose dispozitat e këtij kapitulli parashohin ndryshe” ka cituar Maloku, nenin 542 të Kodit të të Ri të Procedurës Penale.
Ndryshe, me këtë vendim të Gjykatës së Pejës, kërkesa e Prokurorit Maloku është refuzuar, por vetëm për sekuestrimin e tyre. Pra për një mbajtje të përkohshme, por kjo çështje do të shkoj në Gjykatën e Apelit, e procesi për t’i konfiskuar ato, do të vazhdoj.
“Fajdeja” që rrodhi nga “Brezovica”
Policia e Kosovës, para disa muajsh kreu bastisje në disa lokacione, pas dyshimeve për fajde. E gjithë kjo doli se ka nisur nga rasti Brezovica, ku Prokuroria e Ferizajt ka kryer një hetim më të detajizuar.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku, e kishte konfirmuar për se hetimet për këto bastisje kishin dalë nga rasti Brezovica.
“Ka rrjedhë prej rastit ‘Brezovica’. Është zhvillu një aksion. Ka të bëjë me fajde, me qësi gjana”, pati thënë shkurt Maloku.
Aksionet u kryen në disa Komuna të Kosovës, përfshirë Prishtinën.
Kronologjia e Rastit Brezovica
Aksioni i parë: Mëngjesi i datës 21 dhjetor 2021 kishte gjetur Njësitet Speciale të Policisë në komunën e Shtërpcës. Atje nisi një aksion, që u vlerësua si një nga më të mëdhenjtë për hetimet e lejeve të ndërtimeve në Brezovicë.
Në fundin e vitit 2021, 10 persona u arrestuan nga Policia e Kosovës. Në mesin e tyre edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Mbi këtë të fundit rënduan dyshimet se kishte përfituar mbi 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë.
"Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve", kishte thënë prokurori Rasim Maloku.
“Kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura e armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt aso kohe.
Pos Nikolliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, kishte arrestuar edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Aksioni i dytë: Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë aksion ishin arrestuar shtatë persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi.
Prokuroria në aksionin e dytë, kishte sqaruar se në Ministrinë e Mjedisit ishin marrë një numër i madh lejesh, kryesisht leje ujore e mjedisore.
Gjatë aksionit ishin sekuestruar dokumente, vetura, armë, kompjuterë, telefonë dhe një uniformë e policisë së ish-sistemit jugosllav. Ndërkaq, në xhirollogaritë e të pandehurve tha se përveç 5,389,000 eurove janë ngrirë edhe 86,146 dollarë amerikanë.
Aksioni i tretë: Më 3 mars 2022, kishte vazhduar sërish aksioni i njëjtë. Kësaj radhe ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme, që kishte rezultuar me 7 persona të arrestuar. Aksioni ishte realizuar në Prishtinë, Ferizaj, Skënderaj dhe Lipjan.
Tre prej të arrestuarve ishin ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët sipas komunikatës, dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.
Aksioni i katërt: Aksioni kishte vazhduar sërish edhe në gjysmën e muajit mars. Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se gjatë aksionit “Brezovica” janë arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”, S.I. dhe doganieri N.G.
Aksioni i pestë: Ky aksion kishte vazhduar edhe më 26 maj 2022. Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe tre persona të tjerë ishin ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, si të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me rastin “Brezovica”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë në Ferizaj, personat e arrestuar janë Xhelil Bekteshi dhe tre personat e tjerë me inicialet I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Në total, në të gjitha aksionet numri i të arrestuarve ka shkuar në 36. Një pjesë e tyre ende në paraburgim, disa në arrest shtëpiak, e të tjerët edhe me masa të tjera. Kurse, janë ngrirë mbi 6 milionë euro.
Ndryshe, tash një vit, po më 7 korrik, në kuadër të të njëjtit rast, Prokuroria kishte larguar të gjitha kamerat ilegale të sigurisë, që monitoroheshin nga strukturat paralele

