Raportet e mjekut serb që e mbrojti Millosheviqin për Reçakun, përdoren kundër krerëve të UÇK-së në Hagë
Dëshmia e patologut të mjekësisë ligjore, John Clark, ka nxjerrë në pah një tjetër skandal të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Dëshmitari që është ftuar në cilësinë e ekspertit, ka folur për vrasjen e 5 viktimave, duke dhënë detaje në cilësinë e profesionistit për mënyrën se si ata ishin vrarë.
Megjithatë, ajo që doli në pah ishte diçka më e madhe. Gjatë tërë kohës në mesin e raporteve të patologëve të prezantuara ishin edhe disa mjekë serbë. Njëri prej tyre është Slavisha Dobricanin, raporton Nacionale.
Avokatja e Jakup Krasniqit ka zbuluar detaje të cilat dëshmitarit ekspert, nuk i ishin bërë të ditura nga Prokuroria. Madje, Dobricanin, raportet e të cilit u përdorën në Hagë nga Prokuroria, kishte qenë dëshmitar i mbrojtjes në rastin e Sllobodan Millosheviqit. Pra, dëshmitar që ishte ftuar për ta mbrojtur kasapin e Ballkanit.
“Në një nga raportet e patologut që keni parë e që e keni komentuar gjerësisht është e profesor Slavisha Dobricanin. Me këtë profesor keni pasur kontakt personal apo profesional?”, pyeti avokatja e Krasniqit.
“Jo”, u përgjigj John Clark, dëshmitari ekspert.
“A pajtoheni se një ekspert duhet të jap prova objektive të paanshme dhe të pavarura në fushën e vet?”, tha avokatja e Krasniqit më tutje, raporton Nacionale.
“Po” u përgjigj eksperti.
Më tutje, mbrojtja e Krasniqit insistuan në raportet e mjekëve serbë, duke zbuluar detaje të cilat u mbajtën fshehur nga Prokuroria. Ata cituan detaje nga raportet, duke zbuluan qëndrime nacionaliste nga ekspertët serbë.
“A do të pajtoheshit me mua se anshmëritë nacionaliste, ideologjike e personale të ekspertëve, e veçanërisht të ekspertëve që vijnë nga nacionalitetet e përfshira në konflikt duhet të merren parasysh?”, pyeti avokatja.
“Pajtohem tërësisht”, tha dëshmitari ekspert Clark.
“A iu dha ndonjë informacion Prokuroria sa i takon besimeve politike apo personale të profesor Slavisha Dobricanin që mund të kenë nxjerrë përfundimet e tij?”, pyeti sërish avokatja.
“Jo”, u përgjigj dëshmitari.
Avokatja e Jakup Krasniqit zbuloi se raportet mjekësore të këtyre 5 viktimave, ishin realizuar nga Slavisha Dobricanin. I njëjti ka qenë dëshmitar në mbrojtje të Sllobodan Millosheviqit, duke kundërshtuar masakrën e Reçakut.
“Doktor, a e dini që profesor Salvisha Dobricanin ka qenë dëshmitar i mbrojtjes për Millosheviqin në gjykimin e tij në TPNJ dhe ka qenë dëshmitar fakti në mbrojtje të Millosheviqit për masakrën e Reçakut?”, tha avokatja e Krasniqit.
“Nuk e dija këtë”, u përgjigj mjeku.
“Duke mos pasur dispozita ligjore me sa keni dijeni që ta lejojnë një patolog ta përkufizojë një vdekje si vrasje, edhe disa nga dëshmitarë të tjerë në këtë raport tuaj, a është e mundshme që faktorë të tillë nga persona antishqiptar të kenë pasur ndikim në përfundimet e këtij personi?”, tha më tutje avokatja.
“Edhe mund të ketë ndodhur, është e vështirë, të gjithë kemi mendimet tona, por do të duhet t’i minimizojmë sa më shumë që është e mundur”, u përgjigj eksperti.
“A pajtoheni ju me mua që vendi i krimit të jetë krijuar qëllimisht për të dalur në këto përfundime?”, pyeti ajo më tutje.
“Po”, tha eksperti.
Ka pasur me dhjetëra raste kur Prokuroria e Specializuar ka fshehur provat shfajësuese për dëshmitarët, duke bërë që të njëjtën punë të detyrohet ta përfundojë mbrojtja.