Pse u shty konkursi për Kryeprokuror të Gjykatës Speciale? EULEX-i jep detaje
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë mbetur pa Kryeprokuror tash e sa muaj. Në fakt këtë detyrë po e kryen Alex Whiting, por vetëm si ushtrues detyre. E konkursi për Kryeprokuror të Speciales që ishte planifikuar të mbyllej në fundin e janarit, është shtyrë.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim që ishte publikuar nga Bashkimi Evropian. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, EULEX-i ka bërë të ditur arsyen e kësaj shtyrje.
“Duke pasur parasysh periudhën e pushimeve dhe për të lënë më shumë kohë për identifikimin e kandidatëve, u mor vendimi për shtyrjen e afatit për Thirrjen për Nominime për Prokuror të Specializuar të Prokurorisë së Specializuar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Nacionalen.
Kryeprokurori që ishte deri së fundmi, u dorëhoq. Jack Smith tashmë ka nisur punën për të hetuar pretendimet lidhur me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, nga Prokuroria e Hagës kanë bërë të ditur se deri më tash nuk ka asnjë pengesë në punën e Gjykatës Speciale, pavarësisht se Kryeprokurori është me U.D.
“Në lidhje me procesin e përzgjedhjes, i cili nuk organizohet nga Prokuroria e Specializuar, neni përkatës i Ligjit për Dhomat e Specializuara i cili thotë: “Nëse Prokurori i Specializuar liron pozicionin e tij në çdo kohë, një zëvendësim. do të emërohet nga Autoriteti Emërues pas shqyrtimit të aplikantëve të kualifikuar siç duhet. Prokurori i Specializuar duhet të jetë me karakter të lartë moral dhe të ketë kompetencën dhe përvojën më të lartë në zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të çështjeve penale.”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Sipas tyre, Prokuroria po udhëhiqet nga një Ushtrues Detyre, dhe aktualisht nuk ka asnjë pengesë në punë.
Jack Smith dha dorëheqje nga pozita e Kryeprokurorit të Speciales më 18 nëntor 2022. Kjo në prag të nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dhe vetëm pak muaj pasi e mori edhe një mandat të dytë.
Detajet e konkursit
Në mesin e detyrave e përgjegjësive që kërkohen në këtë konkurs, përmendet edhe ruajtja e komunikimit me nivelin e lartë politik e diplomatik. Një gjë e tillë ishte kritikuar vazhdimisht nga shoqëria civile, pasi drejtësia funksionon si e pavarur nga pjesa politike.
“Të mbikëqyrë, mbajë dhe menaxhojë të gjitha marrëdhëniet e nivelit të lartë me palët e jashtme, të kryejë angazhimet dhe korrespondencat e nivelit të lartë politik dhe diplomatik, mbikëqyr të gjitha format e komunikimit, informimin publik/shtypi dhe trajtimi dhe shtrirja e mediave”, thuhet në një pikë të konkursit, raporton Nacionale.
Në mesin e detyrave të tjera, është edhe mbikëqyrja e plotë e të gjitha detajeve që dalin nga puna e Prokurorisë së Specializuar, lidhur me hetimet për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Të jetë përgjegjës për të gjitha aspektet e punës së Prokurorisë së Specializuar (PSP), për mbështetjen e tij, dhe për përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore dhe të tjera, duke përfshirë të drejtat e njeriut de detyrimet që vlejnë për punën e ZPS-së; Të ofrojë mbikëqyrje dhe drejtim strategjik për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve nën mandatin e Prokurorisë. Të mbikëqyrë dhe të sigurojë drejtimin dhe menaxhimin e përgjithshëm strategjik të të gjitha aktiviteteve të Prokurorisë, duke përfshirë pajtueshmërinë me ligjet në fuqi që rregullojnë detyrat e ZPS-së, BE rregulloret financiare, administrative dhe të sigurisë dhe masat disiplinore ndaj stafit të PSP-së”, thuhet më tutje.
Në mesin e pikave të rëndësishme që përmenden në këtë konkurs, është edhe integriteti. Sipas kërkesës, kandidatët duhet të jenë me vlera të larta, paanshmëri e disiplinë. Përmendet edhe ruajtja e konfidencialitetit.
“Integriteti – Kandidatët duhet të ruajnë standardet më të larta të integritetit personal, paanshmërisë dhe vetëdisiplinë. Kandidati i përzgjedhur nuk lejohet të japë apo diskutojë ndonjë informacion ose dokument si rezultat i qasjes në informacione të klasifikuara dhe/ose të ndjeshme në lidhje me Kosovë, Dhomat e Specializuara ose Prokuroria e Specializuar ose detyrat dhe veprimtaritë përkatëse”, thuhet më tutje.
Të gjithë ata që synojnë këtë pozitë të rëndësishme duhet të bëhen gati! Orari i punës mund të jetë i paparashikueshëm, dhe me ngarkesë. Këtu përmenden edhe detajet si shëndeti fizik e mendor dhe detaje të tjera.
“Shëndeti fizik dhe mendor – Kandidatët duhet të jenë fizikisht të aftë dhe me shëndet të mirë pa asnjë probleme fizike ose mendore ose varësia nga substanca të cilat mund të dëmtojnë performancën operacionale”, thuhet në konkurs.

