Akuzohet se polici në QKUK i kishte marrë para një burri që e kishte rrahur gruan, kërkohet dënim
Ish-zyrtari Policor, Sokol Alihajdari, përderisa ishte duke trajtuar një rast të dhunës familjare, në vitin 2016, për të akuzuarin Ahmet Gërxhaliu dhe bashkëshorten e tij, dyshohet se i ka kërkuar ryshfet të akuzuarit një shumë prej 300 eurove, dhe më pastaj e ka pranuar ryshfetin në afërsi të QKUK-së, duke i thënë Gërxhaliut që t’ia vendoste të hollat në xhep.
Gjatë rishqyrtimit të kësaj çështje në një seancë gjyqësore, Prokurorja Dulina Hamiti në fjalën përfundimtare lidhur me këtë çështje ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dënimin e ish-zyrtarit policor, Sokol Alihajdarit.
Prokurorja Hamiti në fajlën e saj përfundimtare tha se me administrimin e provave dhe dëshmive të mjaftueshme gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj vepre, ishte vërtetuar që i akuzuari Alihajdari e ka kryer veprën penale. Ajo poashtu shtoi se i njëjti i kishte pranuar veprimet inkriminuese gjatë dhënies së deklaratës në Prokurori. Kështuqë i propozoi gjykatës që Alihajdari-n ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Në anën tjetër, avokatja e Alihajdarit, Emine Bajrami-Statovci, u shpreh se Alihajdari është i pafajshëm.
Ajo tha se hartuesi i aktakuzës kishte dështuar që ta bindë Gjykatën se vepra penale është kryer nga Alihajdari, për shkak të provave të pamjaftueshme, dhe mos-vërtetimit nga ana e Prokurorisë që i njëjti të ketë kryer veprën penale për marrje ryshfeti.
Avokatja i kundërvihet edhe fjalës së Prokurores lidhur me deklaratën e të akuzuarit se e kishte kryer këtë vepër penale, duhe shprehur se ai kishte theksuar disa herë që paratë ishin marrë hua dhe do të ktheheshin.
Gjykatësi Kuçi pyeti lidhur me administrimin e provave, ku prokurorja Hamiti propozoi që si prova material të administrohen: raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe dëshmia e Ahmet Gërxhaliut e dhënë në IPK, si dhe dëshmia e të akuzuarit Alihajdari e dhënë në Prokurori.
Këtë propozim e kundërshtoi avokatja, me arsyetimin që të merren për bazë vetëm provat që kishin të bënin me të mbrojturin e saj. Por, i njejti propozim pas votave të trupit gjykues u aprovua nga gjykatësi Kuçi.
Në fund të seancës, Alihajdari kishte të drejtën e dhënies së mbrojtjes, por i njejti deklaroi se nuk kishte çfarë të shtonte.
''Gjykatësi Kuçi e shpalli të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, dhe shpallja penale pritet të bëhet me 17 mars 2023''- raporton Betimi për Drejtësi.