Prokuroria kërkoi 35 vjet burg, avokati lirim nga akuzat – Vendimi për ‘Calin’ brenda 90 ditësh - NACIONALE

Prokuroria kërkoi 35 vjet burg, avokati lirim nga akuzat – Vendimi për ‘Calin’ brenda 90 ditësh

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Gjykimi i dytë në Dhomat e Specializuara ka prekur fundin. Ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa, tash është në pritje të vendimit nga trupi gjykues në lidhje me akuzat ndaj tij për vrasje, torturë, ndalim arbitrar e trajtim mizor. Për të gjitha këto pretendime Prokuroria kërkoi 35 vjet burg, kurse avokati i ‘Calit’ tha se nuk ka prova. Vendimi tash i takon trupit gjykues, që duhet të shpallë aktgjykimin brenda 90 ditësh.

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone për dy ditë të tëra, tentoi ta bindë trupin gjykues në Dhomat e Specializuara të Hagës, se klienti i tij është i pafajshëm. Në fjalët e fundit të thëna në trupin gjykues, Von Bone foli fillimisht për luftën në Kosovë.

“Njerëzit ishin të angazhuar për të çliruar vendin e tyre nga një prej regjimeve më shtypëse. Sundimi serb i popullit të Kosovës, i bëri njerëzit të mbështesin luftën për çlirim. Në gjykatë kemi dëgjuar shumë njerëz që i përkisnin UÇK-së dhe BIA-s, asnjëri prej këtyre, nuk ka marrë asnjë formë trajnimi, asnjë lloj rangu. Asnjë shenjë dalluese të posaçme. Në çështjen që jemi kemi dëgjuar persona nga Barileva e vende të tjera, persona të angazhuar për çlirimin e Kosovës. Në mënyrë vullnetare kanë dhënë kontributin e tyre. Këta persona ishin qytetarë që kanë ndihmuar në përpjekjet e luftës, por nuk kanë luajtur asnjë lloj roli ushtarak”, deklaroi avokati i Salih Mustafës.

Julius Von Bone u ndalua më shumë tek kompleksi në Zllash, ku Mustafa u akuzua se ka keqtrajtuar civilë shqiptarë.

“Mund të themi se edhe ndërkohë që personat ishin vullnetarë, ajo strukturë dukej si një organizatë ushtarake. Është keqkuptim i plotë që BIA operonte në Zllash. Njerëz nga BIA mund të kenë qenë atje, por ata asnjë lloj mënyrë nuk kishin kontroll në Zllash. Ata nuk kanë funksionuar në asnjë zonë të veçantë të Zllashit. Nuk kishte asgjë që kërkonte nevojën e tyre. Nuk kishte asnjë lloj operacioni të kryer në Zllash. Shtëpitë në Zllash, Mustafa i vlerësoi si vend i duhur për relaks pas operacioneve që kishin. Njerëzit e BIA-s nuk kishin asnjë pushtet atje”, tha avokati i Mustafës.

“Nuk ka pasur asgjë të tillë si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, ku Salih Mustafa ka luajtur ndonjë rol për kryerjen e krimeve të pretenduara. Mustafa nuk ka marrë pjesë në asnjë Ndërmarrje të tillë. Z.Mustafa nuk kishte asnjë njohuri për krimet e aktakuzës. Nga data 1 deri më 19 prill ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, ai nuk ka ndaluar e as torturuar askënd, asnjëherë në atë vend. Ai nuk ka urdhëruar askënd tjetër për ta bërë një gjë të tillë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur”, theksoi avokati holandez.

Avokati foli edhe për disa deklarata të dëshmitarëve, që sipas tij, nuk dëshmojnë se Cali ka qenë i përfshirë në këto krime.

“Ai nuk i njeh 3 nga katër indidivdët për të cilët kemi diskutuar. Individin e katërt e njihte disi, por deklaroi vetë dëshmitari se ai nuk e ka parë në terren Salih Mustafën asnjëherë. Nëse do ta kishte parë Salih Mustafën ai do ta thoshte një gjë të tillë. Edhe po të kishte qenë vëllau im nuk do ta kisha mbrojtur. Një akuzë nuk do të thotë se ekzistojnë qëllime të një kryesi. Është dyshim apo akuzë që mund të bëhet. Nuk mund të arrihet në konkluzion që një deklaratë e tillë ka pasur qëllim të posaçëm”, përfundoi avokati Julius Von Bone.

Avokatja e viktimave kërkon drejtësi

Në gjykimin ndaj Calit, fjalën përfundimtare e tha edhe avokatja e viktimave Annie Pues. Ajo tha se kërkon drejtësi për viktimat, të cilat sipas saj, kanë përjetuar dhunë të tmerrshme.

“Arrestimi i tyre ka qenë i padrejtë. Nuk ka pasur fletarrestime, nuk ka pasur gjykatës, e as nuk janë njoftuar familjet. Tortura është e papranueshme. Avokati ka thënë se nuk është e vërtetë, por ekspertët e kanë konfirmuar se trupat e viktimave kanë shenja dhe dëmtime të shumta të cilat janë si rezultat i torturës së përshkruar dhe kjo është dëshmi e fuqishme. Vitimat vazhdojnë të vuajnë nga stresi. Dëshmitarët e përshkruajnë komandant Calin si të lidhur direkt me ndalimet arbitrare, dhe këto dëshmi tregojnë përfshirjen e të akuzuarit në këto krime”, tha ajo.

Sipas saj, Prokuroria ka ofruar shumë prova për të gjitha këto pretendime.

“Prokuroria ka dhënë dëshmi të drejtpërdrejta dhe të mjaftueshme, sepse ka qenë ai që ka filluar keqtrajtimin e njërit prej dëshmitarëve duke thënë jepini fund. Ndaj viktimave kishte sulm çnjerëzor, kjo është sulm mbi identitetin njerëzor, duke iu shkaktuar lëndime të mëdha, ky aspekt ata i bënë të ndjehen më keq se kafshët. Kjo i ka bërë disa prej tyre që të dëshirojnë t’i merr vdekja”, përfundoi avokatja e viktimave.

Prokuroria kërkoi 35 vjet burg

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim maksimal për Salih Mustafën. Prokuroria ka kërkuar dënim prej 35 vitesh burgim për Calin, në lidhje me akuzat për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje. Këtë e ka bërë të ditur sot, në seancën ku u dha fjala përfundimtare.

Salih Mustafa dyshohet se këto vepra penale për të cilat akuzohet nga Prokuroria i ka kryer në Qendrën e Ndalimit në fshatin Zllash.

“Gjatësia e masës së dënimit duhet të jetë në përputhje me krimet e bëra nga i akuzuari, pasojat e rënda mbi viktimat, faktorëve fajësues dhe mungesën e faktorëve shfajësuese. Ju keni patur disa pyetje lidhur me cështjen në dosje. Nuk kemi mbuluar këto çështje në masë mëtejshme me përjashtim të pyetjeve tuaja. Pjesa e gjashtë e dosjes përfundimtare diskuton masën e dënimit i cili arrin në maksimum e dënimit me burgim të përjetshëm. Dhe për këtë duhet të marrim parasysh krimet e rënda, rolin e të akuzuarit, praninë e tij në to, praninë e faktorëve rëndues. Krimet janë tejet brutale”, tha prokurori Mihailczuk në seancë.

“Dënimi i tij duhet të pasqyrojë rolin e tij të dyfishtë. Dënimi duhet të jetë i rreptë. Një udhëheqës që abuzonte me rolin e tij. I akuzuari nuk ka shprehur ngushëllime për dëmin e shkaktuar viktimave dhe familjeve të tyre, nuk ka pranuar dhimbjen e viktimave. Të gjitha këta faktorë rëndues, janë të rëndësishëm për përcaktimin e dënimit të tij. Krimet e kryera nga i akuzuari janë të rënda. Sjellja e tij ka qenë serioze, dhe ka pasur pasoja shkatërruese tek viktimat. Mund ta bëni këtë duke vendosur dënime të kërkuara nga ZPS-ja që mendoj se janë plotësisht të përshtatshme”, theksoi prokurori i Hagës.

Pas rastit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ky është rasti i dytë në Gjykatën Speciale, ku gjykimi ka prekur fundin.

Lajme të ngjashme