Prokuroria kërkon që Salih Mustafa të dënohet me 35 vjet burg
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim maksimal për Salih Mustafën. Prokuroria ka kërkuar dënim prej 35 vitesh burgim për Calin, në lidhje me akuzat për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje. Këtë e ka bërë të ditur sot, në seancën ku u dha fjala përfundimtare.
Salih Mustafa dyshohet se këto vepra penale për të cilat akuzohet nga Prokuroria i ka kryer në Qendrën e Ndalimit në fshatin Zllash.
Kërkesën e Prokurorisë e ka prezantuar prokurori Cezary Mihailczuk, transmeton Nacionale. Ai ka thënë se nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese për Salih Mustafën.
“Gjatësia e masës së dënimit duhet të jetë në përputhje me krimet e bëra nga i akuzuari, pasojat e rënda mbi viktimat, faktorëve fajësues dhe mungesën e faktorëve shfajësuese. Ju keni patur disa pyetje lidhur me cështjen në dosje. Nuk kemi mbuluar këto çështje në masë mëtejshme me përjashtim të pyetjeve tuaja. Pjesa e gjashtë e dosjes përfundimtare diskuton masën e dënimit i cili arrin në maksimum e dënimit me burgim të përjetshëm. Dhe për këtë duhet të marrim parasysh krimet e rënda, rolin e të akuzuarit, praninë e tij në to, praninë e faktorëve rëndues. Krimet janë tejet brutale”, tha prokurori Mihailczuk në seancë.
“Dënimi i tij duhet të pasqyrojë rolin e tij të dyfishtë. Dënimi duhet të jetë i rreptë. Një udhëheqës që abuzonte me rolin e tij. I akuzuari nuk ka shprehur ngushëllime për dëmin e shkaktuar viktimave dhe familjeve të tyre, nuk ka pranuar dhimbjen e viktimave. Të gjitha këta faktorë rëndues, janë të rëndësishëm për përcaktimin e dënimit të tij. Krimet e kryera nga i akuzuari janë të rënda. Sjellja e tij ka qenë serioze, dhe ka pasur pasoja shkatërruese tek viktimat. Mund ta bëni këtë duke vendosur dënime të kërkuara nga ZPS-ja që mendoj se janë plotësisht të përshtatshme”, theksoi prokurori i Hagës.
Dje Nacionale ka raportuar se për krimet e luftës në Kosovë nuk ka dënim më të lartë se 20 vjet. Kjo pasi merret parasysh Ligji më i favorshëm për të akuzuarin. Në këtë rast, ligji më i favorshëm është Kodi Penal i Ish-Jugosllavisë që nuk parasheh dënim më të gjatë se 20 vjet burgim.
Fjala e Kryeprokurorit të Speciales
Kryeprokurori i Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, në fjalën e tij përfundimtare në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka folur për viktimat të cilat sipas tij, meritojnë drejtësi.
“Do të kërkojë të mendoni për një çast për një nga viktimat, i cili nuk i mbijetoi torturës në Zllash. Viktima për të cilën kemi dëgjuar nga familja gjatë këtij gjykimi, vrasja e të cilit është pjesë e kësaj çështje. Sa vjet do të ishte ai tani? Çfarë do të kishte bërë me jetën e tij kjo viktimë? Këtë nuk kemi për ta ditur asnjëherë. Ai do të kishte jetuar mirë, një jetë të vështirë, ndoshta një jetë të suksesshme. Ndoshta do të kishte kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme për vendin e tij. Për herë të parë pas 23 vjetësh, viktimat kanë mundësi të flasin për dhimbjen dhe vuajtjet që kanë duruar, dhe si hija e gjatë e atyre ngjarjeve vazhdon që t’i ndjek edhe sot e kësaj dite”, tha Jack Smith.
Smith bëri të ditur se viktimat e pretenduara të Mustafës janë të gjithë shqiptarë, që janë etiketuar si tradhëtarë ose kanë pasur bindje të tjera politike. Aty foli edhe për Hashim Thaçin e Ibrahim Rugovën.
“Viktimat janë perceptuar se nuk e kanë mbështetur UÇK-në, ose kanë pasur përparësi tjerë. Ndoshta kanë menduar se Ibrahim Rugova e jo Hashim Thaçi është personi që mund ta drejtojë Kosovën drejt pavarësisë. Këta njerëz nuk ishin spiunë, nuk kanë punuar me armikun. Është e rëndësishme ta dijmë. Gjatë gjithë vitit nuk kemi ofruar dëshmi të besueshme se këta ishin spiunë. Viktimat ishin kosovarë. Fakti që secili prej viktimave ishte shqiptarë i Kosovës nuk përshtatet me përshkrimin se ishin armiq të gjykatës”, deklaroi Jack Smith.
“I akuzuari mban përgjegjësi, dhe nuk ka dyshim që ai është fajtor për krimet e tij. Viktimat e kanë bërë rrëfimin e tyre pavarësisht klimës së frikës që mbretëron në Kosovë. Kjo është arsyeja pse kjo gjykatë ka ardhur në Hagë. Gjatë gjithë çështjes së mbrojtjes pamë pastime të ndryshme në facebook, të cilët përshkruan se sa krenar ishin për të. Vishnin edhe bluza për të treguar mbështetjen për të. Do të gjeni se nuk ka deklarata publike për të mbështetur viktimat e Mustafës. Roli komandues i të akuzuarit në BIA, ai s’ka qenë i palidhur me këtë qendër”, tha më tutje Smith.
Prokurorja Silvia D’Ascoli ka folur për keqtrajtimin e viktimave, që pretendohet se është kryer nga Salih Mustafa dhe pjesëtarë tjerë të UÇK-së.
“Kanë ndaluar, keqtrajtuar marrë në pyetje të paktën 7 civilë. Cilat ishin viktimat e krimeve në këtë çështje? Viktimat ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës. Civilë. Asnjëri prej tyre nuk merrte pjesë aktive në luftime në kohën e arrestimit. Askush nuk përbënte ndonjë kërcënim ushtarak për UCK-në. Askush nuk i ndihmoi forcat serbe në ndonjë mënyrë. Këta viktimat u arrestuan, u rrëmbyen u dërguan në Zllash dhe u ndaluan. Asnjë document arrestimi nuk iu dha. Provat vërtetojnë se ai vetë mori pjesë në keqtrajtim dhe mbikëqyri gjithë këtë torturë. Dy dëshmitarë e përmenden me emër personin që merrte pjesë në rrahjet e tyre”, ka thënë ajo.
E prokurori Filip Demniqis, theksoi se Mustafa ka marrë pjesë edhe në vrasjen e një personi. Edhe pse sipas tij, nuk ka dëshmitarë që e kanë parë ta ketë kryer këtë akt.
“Nuk ka dëshmitarë pamorë që konfirmojnë vrasjen. Por provat tregojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se viktima është vrarë, dhe i akuzuari ka përgjegjësi penale. Edhe pa nevojë për të pasur dëshmi të drejtpërdrejtë, të gjitha tregojnë na cojnë te konkluzioni se viktima është vrarë dhe Salih Mustafa është përgjegjës për këtë. Kjo vrasje ka ndodhur si rezultat i të akuzuarit dhe personave të tij. Nuk kemi dëshmitarë të momenteve të fundit të jetës së viktimës, por nuk ka dyshim që viktima është vrarë nga kapësit e tij. Edhe nëse ju nuk do të bindeni nga këto prova rrethanore, dëshmitë nuk do t’iu pengojnë për ta gjetur atë fajtor”, theksoi prokurori.
Fjalët përfundimtare gjatë kësaj jave do t’i thonë edhe avokatja e viktimave dhe avokati i Salih Mustafës.
