"Projekt politik për ta kënaqur Serbinë": Ish-ambasadori i Holandës u jep zë fjalëve të profesorit britanik për Specialen
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar sërish në lidhje me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale.
Ai ka ndarë në Facebook pjesë nga një intervistë e profesorit britanik të marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir
Bosch ka përkrahur hapur qëndrimet kritike të profesorit, të cilat i ka cilësuar si “fjalë të mençura”, duke bërë të qartë pozicionin e tij kundërshtues ndaj kësaj gjykate.
Në postimin e tij, Bosch ka shpërndarë pjesë nga analiza e Hehir-it, ku theksohet se Gjykata Speciale është një projekt me prapavijë politike, i krijuar për t’i shërbyer interesave të Serbisë dhe për ta larguar atë nga ndikimi i Rusisë, duke e afruar me Perëndimin.
“Gjykata Speciale është një organ politik i pastër. U krijua me një qëllim të vetëm: për të kënaqur Serbinë. Fuqitë e mëdha perëndimore e detyruan qeverinë e Kosovës ta themelonte, pavarësisht mungesës së mbështetjes publike apo politike në vend,” thuhet në pjesën e ndarë nga Bosch.
Sipas profesorit Hehir dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe vetë Bosch, kjo gjykatë nuk është e ndërtuar mbi parime të drejtësisë së barabartë, por i shërben një narrative politike që e dëmton luftën çlirimtare të UÇK-së dhe përforcon propagandën serbe.
“Serbia dëshiron ta paraqesë konfliktin si një luftë ku ‘të dy palët’ kanë qenë fajtorë dhe ta etiketojë UÇK-në si organizatë terroriste që ka sulmuar civilët serbë,” thuhet më tej në intervistën e publikuar nga ish-diplomati holandez.