“Persekutim politik”: Shumë reagime pasi Gjykata Speciale ua vazhdoi paraburgimin Thaçit e Veselit
Gazeta Nacionale pak më parë raportoi se Hashim Thaçit e Kadri Veselit, i është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale.
Kjo pavarësisht se ka rënë arsyeja kryesore për këtë masë, ajo e ndikimit në prova e dëshmitarë.
Pavarësisht kësaj, gjyqtarët kanë vendosur ta vazhdojnë paraburgimin, në mënyrë që “Thaçi e Veseli të mos zbulojnë të dhëna identifikuese për dëshmitarë”.
Kjo ka shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se po poshtërohet Kosova dhe krerët e UÇK-së.
“Edhe pse kemi një situatë krejtësisht të re, Gjykata Speciale vazhdon poshtërimin, vazhdon të godasë krerët e UÇK-së-të pambrojtur nga shteti! Megjithatë, vendimi për të vazhduar paraburgimin është marrë mbi një arsye që ngre shumë pikëpyetje: mundësia hipotetike që të akuzuarit të zbulojnë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur-ndonëse dëshmia e tyre tashmë është dhënë. Sipas kësaj logjike, krerët e UÇK-së duhet të vdesin në burg për të shëruar paranojat e një gjykate që tashmë nuk është as e Kosovës dhe as ndërkombëtare, por në agjendë të plotë të Serbisë!”, ka shkruar Behrami.
Ashpër ka reaguar edhe Adil Behramaj, ish-këshilltari i Thaçit.
“Nëse Gjykata Speciale i trembet kaq shumë lirisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit, përkundër që nuk kanë më asnjë arsye për t'i mbajtur në paraburgim, pasi që prokuroria i ka përfunduar dëshmitarët, atëherë është shumë e qartë që ata nuk po përballen me drejtësinë që po e presin prej Gjykatës Speciale, por me strategjinë e saj. Ata as nuk janë dërguar në Hagë dhe as nuk po mbahen në paraburgim për ato që pretendohen, por për atë që përfaqësojnë!”, ka shkruar Behramaj.
Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, ka kërkuar reagim nga PDK-ja dhe shteti i Kosovës.
“Ndërsa shqiptarëzinjët merren me vulgun bigbrodheresk, që e ka çdo komb, edhe pse dorën në zemër në sasi jo sa populli i vogël shqiptar, disa të huaj, të cilët paguhen miliona në emrin tonë, po dhunojnë bashkombasit tanë në Hagë poashtu në emrin tonë. Ku është PDK? Ku është shteti i Kosovës? Ku janë shqiptarët?! Aty ku i duan armiqtë! Te hajvanizmi bigbrodherian!”, ka shkruar ai.
Analisti Fitim Salihu, e quajti persekutim politik vendimin e Speciales.
“Perkunder qe kane perfunduar deshmitaret e Prokurorise, gjykatesit paskan vendosur t'ua vazhdojne paraburgimin Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Tashme kur nuk ekziston as alibia e kercenimit te deshmitareve, mohimi i mbrojtjes se tyre ne liri deri ne verdiktin perfundimtar eshte shperfaqje e asaj qe shume prej nesh e kemi vene re qe ne fillim te ketij procesi – ky eshte persekutim politik ndaj ish krereve te UÇK-se. Mjegullnaja dhe kontaminimi i te vertetes, qe ishin shkaktuar nga akuzat e pabaza te Dik Martit, eshte dashur te sqaroheshin permes nje procesi qe do te sillte drejtesi dhe paanshmeri. Me dosje te montuara ne Serbi dhe me shkelje te te drejtave themelore te te akuzuarve, kjo gjykate, gjer me sot, e ka sjelle te kunderten e kesaj – padrejtesi, anshmeri, linç publik dhe persekutim politik”, ka shkruar Salihu.
Raportimi i Nacionales
Hashim Thaçit e Kadri Veselit u është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Pavarësisht se tashmë dëshmitarët e Prokurorisë kanë përfunduar, e nesër është afati i fundit edhe për dorëzimin e të gjitha provave materiale, Gjykata ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit.
Në dokumentin që e ka parë Nacionale, trupi gjykues e konfirmon se Prokuroria nuk ka dëshmitarë, dhe si rezultat, nuk mund të jetë arsye ndikimi në dëshmitarë.
Megjithatë, gjyqtarët kanë vleësuar se Thaçi e Veseli duke pasur dijeni për dëshmitarët, mund të rrezikojnë të njëjtit duke publikuar të dhëna identifikuese.
Kujtojmë se muajve të fundit, Gjykata Speciale ka rrëzuar pretendimin se Thaçi e Veseli mund të arratisen. Si rezultat, tashmë dy arsye për vazhdimin e paraburgimit kanë pushuar.
“Paneli thekson se, në kundërshtim me parashtresat Prokuroria e Specializuar ka treguar se nuk ka ndërmend të thërrasë ndonjë dëshmitar të mëtejshëm si pjesë e rastit të saj dhe, për rrjedhojë, nuk ka ende dëshmitarë të Prokurorisë për të dëshmuar. Megjithatë, Paneli qëndron në mendimin e tij se, në dritën e procedurave të gjykimit në vazhdim, emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve shumë sensitive janë të ditura për mborjtjen, dhe tek një numër njerëzish të afërt me mbrojtjen, përfshirë z.Thaçin. Kjo, nga ana tjetër, rrit rrezikun që informacionet sensitive që kanë të bëjnë me dëshmitarët, të bëhen të njohura për publikun. Një rrezik i tillë jo vetëm që mund të materializohej para se dëshmitarët të dëshmojnë, por edhe pasi ata të dëshmojnë, pasi shumë dëshmitarë kanë masa mbrojtëse dhe identiteti i tyre nuk duhet të bëhet i njohur në asnjë moment për publikun”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.
Pra, gjyqtarët kanë vlerësuar se pavarësisht përfundimit të dëshmitarëve të Prokurorisë, emrat e dëshmitarëve edhe pse kanë dëshmuar, nuk duhet të dalin në publik. E si rezultat, Thaçit, por edhe Veselit me arsye të njëjtë, duhet t’u vazhdohet paraburgimi.
Trupi gjykues ka përmendur klimën e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, dhe ka theksuar se ata kanë masa mbrojtëse. Por, pavarësisht se ata kanë përfunduar dëshmitë e tyre, ende ka arsye që ish-krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgim.
“Paneli rikujton gjetjet e tij të mëparshme se duket se z. Thaçi u ka ofruar vizitorëve të paprivilegjuar informacione të nxjerra gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur. 4Për më tepër, të dhënat sugjerojnë se ai i ka përcjellë një vizitori të paprivilegjuar udhëzime që kanë të bëjnë me një dëshmitar të ardhshëm të Prokurorisë në lidhje me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë së ardhshme të atij dëshmitari”, thuhet më tutje.
Gjyqtarët kanë kritikuar Prokurorinë që po i japin arsyet e njëjta për vazhdimin e paraburgimit, edhe pse disa prej tyre, u rrëzuan në vendimet paraprake.
“Paneli thekson se Prokuroria po i jep në thelb të njëjtat argumente siç janë shqyrtuar dhe refuzuar nga Paneli në vendimet e mëparshme, në lidhje me çështjet në vijim: (i) vetëdijen e z. Thaçi për seriozitetin e akuzave të konfirmuara kundër tij; (njohuritë e shtuara të z. Thaçi për rastin dhe provat e paraqitura kundër tij; dhe (iv) Vetëdija e z. Thaçi se ndaj tij janë konfirmuar akuzat për vepra penale kundër administratës së drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik. 25 Në lidhje me këtë, Kolegji rikujton konstatimin e Kolegjit të Gjykatës së Apelit se nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të pritet që të shqyrtojë parashtresat që thjesht përsërisin argumentet që tashmë janë trajtuar në vendimet e mëparshme rishikuese. Paneli konsideron se ky parim zbatohet njëlloj si për Kolegjin ashtu edhe për fazën aktuale të procedurës”, thuhet më tutje,
Shumë juristë e avokatë kanë thënë se me përfundimin e dëshmitarëve të prokurorisë, kanë përfunduar asyet e mbajtjes në paraburgim. Kjo pasi arsyeja kryesore e vazhdimit të paraburgimit, ka qenë ndikimi në dëshmitarë.
Megjithatë, Gjykata Speciale, pavarësisht kësaj, ka vendosur për vazhdimin e paraburgimit.